E ardhmja e Amazonës varet nga jashtëqitjet e tapirëve

Postuar në 24 Korrik, 2021 16:10

Pylli i Amazonës është dëmtuar seriozisht kohët e fundit. Në 40 vitet e fundit, më shumë se 18% e pyjeve të shiut në Brazil, është shkatërruar nga prerjet, bujqësia, minierat dhe fermat e bagëtive. Kjo është një zonë e barabartë në sipërfaqe me Kaliforninë. Dhe atë që s’e ka bërë shfrytëzimi për qëllime komerciale, e ka bërë zjarri. Një i tillë përfshiu pyjet e shiut në 2019 dhe shkrumboi 10 123 kilometra katrorë pyll. Në vitin 2020, vetëm në katër muajt e parë u dogjën 1.202 kilometra katrorë.

Në këtë situatë nuk mund të mos përmendet roli i tapirëve të fushës, që njihen si gardianët e pyjeve. Jashtëqitjet e tyre janë të mbushura me një larmi farërash që ata i kanë ngrënë. Sudiuesit thonë se së bashku me brumbujt e bajgës, ata mund të kontribuojnë në ripyllëzimin e Amazonës. Dhe kjo është diçka që ata kanë nisur ndërkohë ta bëjnë.

Tapiri është gjitari më i madh vendas i Amerikës së Jugut. Në pamje i ngjan pak derrit. Si specie ka afërsi me kalin ose rinocerontin dhe besohet të ketë ekzistuar për dhjetëra miliona vjet.

Jashtëqitja e tyre mund të konsiderohet thesar për ripyllëzimin. Brenda secilit grumbull mund të gjesh shumëllojshmëri farash, duke përfshirë edhe ato nga pemë të mëdha, magazinuese të karbonit, që janë shumë të mëdha për të kaluar nëpër rrugët tretëse të gjitarëve më të vegjël. Kjo i bën ata shpërndarës të paçmuar të llojit të pemëve që i duhen një pylli për t’u rimëkëmbur.

Tapirët duket se preferojnë edhe zonat e djegura, në të cilat ato janë më të nevojshme. Kjo sepse ata pëlqejnë rrezet e diellit në zonat që nuk mbulohen nga kurora pyjesh.

Në jashtëqitjet e tyre mund të gjesh të përmbedhur një pjesë të madhe të biodiversitetit. Roli i tyre përfundon më jashtëqitjen, për t’i lënë vendin një aleati tjetër të mjedisit: brumbullit të bajgës. Ky i fundit bën përhapjen e jashtëqitjes së tapirëve, duke siguruar kështu mbjelljen e farërave.

Ndërsa tapirët dhe miqtë e tyre, brumbujt e bajgës, qartazi mund të ndihmojnë në ripyllëzimin e Amazonës, ata, si çdo kafshë tjetër që jeton në rajonin e pyjeve të shiut, rrezikohen nga zjarret e furishme të pyjeve. Nëse ata zhduken, bashkë me ta mund të zhduket edhe një mjet fantastik për përhapjen e farërave të pemëve të mëdha nëpër rajon. 

/ Bigthink /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.