"70% e tenderave kanë probleme, do reformojmë prokurimin publik"

Postuar në 13 Korrik, 2021 14:11

Kryeministri Rama prezantoi sot një paketë të re ligjore për prokurimin, që sipas tij synon rritjen e eficencës dhe transparencës së sistemit të prokurimeve në vend.

Në takimin me titullarët e autoriteteve kontraktore të ekzekutivit, Rama pranoi se 70% e tenderave kanë pasur probleme, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me hartimin e kritereve.

Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse u janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimeve. 20% e institucioneve nuk kanë reaguar ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve”, u shpreh Rama.

Rama pranoi para ministrave se 30-50% e tenderave janë vetëm me një operator ekonomik dhe “qepja e kritereve” shpesh ngushton garën. Po ashtu, sipas tij, në shumë raste, punonjësit e angazhuar nuk e kuptojnë procesin.

Paketa e re për prokurimin publik prezantohet në një moment kur debati për abuzimet me tenderat është rikthyer në qendër të vëmendjes.

Përgjatë javës së fundit, SPAK ka ngritur akuza për 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe dy kryebashkiakë për abuzim me tenderat. Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit, me vlerë 2.8 miliardë lekë, i zhvilluar në kohën kur këtë ministri e drejtonte Sandër Lleshaj, u bë shkak për arrestimin e 8 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve (një në arrest shtëpie).   

Në burg përfundoi edhe kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, i cili sipas SPAK dyshohet se ka favorizuar në një tender me vlerë 23 milionë lekë kompaninë ‘Euro Alb’, në pronësi të mikut të tij, Ibrahim Lami.

Ndërsa sot SPAK ka mbyllur hetimet për ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kaprin dhe 5 ish-zyrtarët e kësaj bashkie. Kapri dhe 5 ish-zyrtarët e tjerë do të gjykohen në lidhje me akuzat për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017 dhe tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019.

Comments

Submitted by Xaxiq (not verified) on

70% e tenderave kanë probleme, por ne 100% te tyre vidhet derrçe 20 deri ne 70 % te vleres dhe na del m2 i rruges me vlere 700-900 Euro/m2. Kosto e ndertimit te 1 m2 banese shkon 300-350 Euro/m2. Sikur me beton arme te ndertohen rruget dhe me thellesi 2 m, vlera nuk shkon me shume se 200 Euro/m2. Nese doni te beni reforme ne prokurimin publik, aty i ke Afrim Qendron dhe Plarent Ndrecen, emeroi bashkekryetar te reformes dhe do gjesh qetesi ne kete lemi. Akoma po meson mbas 20 viteve ne pushtet? Lere more ate loje se nuk eshte per mesues vizatimi qe nuk ka bir kurve qe e akuzon se i ka futur doren ne xhep.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.