Si mund ta kuptojë këtë lloj qeverisjeje një njeri normal?

Postuar në 04 Korrik, 2021 03:54

Në Shqipëri ka nisur një aksion i ri. “Bregdeti ynë” quhet. Në krye policia që përmes titullarit politik të saj, ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ka njoftuar dje se ka prishur 130 ndërtime pa leje nga Velipoja në Ksamil. Vetë ministri ka folur me optimizëm për këtë që po ndodh duke lënë të kuptohet se serioziteti sezonal në këtë vend është partneri besnik I groteskut shtetëror.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë”, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil shembi mbi 130 ndërtime pa leje, si dhe vendosi rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte. Dhjetra persona janë arrestuar e të tjerë po ndiqen penalisht. Nuk ka mbaruar këtu gjithçka e as nuk do ta ndalim punën për çlirimin e bregdetit nga zaptuesit. Prej tre ditësh Policia e Shtetit në vijim të këtij operacion po kryen kontrolle për të evidentuar edhe ato subjekte që në mënyrë të paligjshme po shfrytëzojnë hapësirat e plazheve. Kemi detyrimin të mbrojmë këtë pasuri tonën të përbashkët dhe të çojmë para drejtësisë shkelësit e ligjit. Pas bregdetit, IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojnë punën për pastrimin e territorit nga ndërtimet pa leje edhe në zona të tjera të vendit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush

ka thënë ministri Çuçi.

Sa herë e kemi dëgjuar këtë këngë? Sa herë është paralajmëruar që askush të mos lëvizë se ky vend ka zot dhe ligj? Ja, i erdhi radha edhe z. Çuçi që përfaqëson qeverinë e dy mandateve legalizim që të përsërisë të njëjtën gjë. Me policinë para, pra hurin në dorë, qeveria po prish e çrrënjos ata që i quan zaptues, teksa për 8 vjet nuk la vend e qoshe të Shqipërisë pa shpërndarë  tapi legalizimesh. Duke e arnuar e qepur ligjin përkatës...në emër të shtetbërjes padyshim.

Është e vështirë që edhe të jesh normal, por edhe ta lexosh normalisht këtë qeveri dhe qeverisje. Të mësosh nga kjo politikë e çorientimit dhe batërdisë që e ka reduktuar Kushtetutën në një letër bakalli, ligjet në bela për disa e kobure për disa të tjerë dhe institucionet në zaptije të vërteta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.