Studiuesit gjermanë shpjegojnë mpiksjen e gjakut pas vaksinimit me AstraZeneca

Postuar në 30 Maj, 2021 11:33

Studiuesit e Universitetit Gëte në Frankfurt, Gjermani, thonë se kanë zbuluar mekanizmin që qëndron pas rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut, të lidhura me vaksinën AstraZeneca, raporton DW.

Katër vaksinat kryesore kundër Covid-19, që përdoren në Perëndim, funksionojnë me anë të futjes së një pjese të kodit gjenetik në trup. Kjo i mëson trupit të krijojë një virus të parrezikshëm, gjë që nxit përgjigjen imunitare. Në këtë pikë, trupi përgjigjet njësoj siç do të bënte me një virus të vërtetë.  

Vaksinat që përdorin teknologjinë mARN, përfshirë Pfizer dhe Moderna, e çojnë materialin gjenetik në pjesën e lëngshme të qelizës. Vaksinat e bazuara në adenovirus, siç janë J & J dhe AstraZeneca, e shpërndajnë atë në pjesën qendrore të qelizës, që njihet si bërthama.

Sipas shkencëtarëve, ndryshimi qëndron pikërisht këtu. Ndërsa pjesa e padëmshme e virusit krijohet në bërthamë, copëza të materialit gjenetik mund të prishen, duke krijuar proteina "mutante" që largohen nga qeliza dhe lëvizin rreth trupit. Muret e enëve të gjakut u përgjigjen këtyre proteinave, gjë që shkakton mpiksjen e gjakut.

Mpiksjet e pazakonta të gjakut, veçanërisht në tru, janë një efekt anësor shumë i rrallë i të dy vaksinave, sipas rregullatorëve. Për vaksinën e AstraZeneca, 86 raste të mpiksjes së pazakontë të gjakut u raportuan nga 25 milionë njerëz që u vaksinuan që nga 22 marsi, sipas Agjencisë Evropiane të Barnave. Për vaksinën e J & J, ka pasur tetë raste serioze të mpiksjes së gjakut që nga 13 prilli, kur më shumë se 7 milionë njerëz janë vaksinuar.

Raste të mpiksjes së gjakut janë hasur më shpesh te gratë e reja, kjo sepse ato kanë përgjigje immune më të forta se burrat. Sipas studiuesve, te të moshuarit ka më pak gjasa për mpiksje gjaku, pasi përgjigjet e tyre imune janë më të dobëta.

Hipoteza e shkencëtarëve gjermanë nuk është provuar ende. Studiuesit e Universitetit të Bristolit thanë në tetor se proteina e bërë nga vaksina brenda qelizave njerëzore pasqyronte me saktësi udhëzimet gjenetike.

Për të shpjeguar mpiksjet e gjakut ka edhe hipoteza të tjera. Njëra është se qelizat e gjakut, përgjegjëse për mpiksjen, që njihen si trombocite, “aktivizohen” pas vaksinimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.