SHBA dhe Rusia ulen në bisedime në Gjenevë

Postuar në 26 Maj, 2021 12:46

Presidenti amerikan dhe ai rus do të ulen përballë njëri-tjetrit muajin e ardhshëm, takimi i parë i këtij niveli që prej zgjedhjes së Biden. Putin dhe homologu i tij amerikan do të takohen në Gjenevë, më 16 qershor, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Në axhendë janë një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me stabilitetin e marrëdhënieve amerikano-ruse, ka bërë të ditur zëdhënësja Jen Psaki.

Biden ka deklaruar më parë se kërkon që Putini të ndalojë ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane dhe të ndalojë sulmet kibernetike ruse në rrjetet amerikane.

Po ashtu, Uashingtoni pret që Putini të mos cenojë më sovranitetin e Ukrainës dhe të lirojë kritikun e burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny.

Megjithatë, parashikimet janë që asnjëra nga palët nuk do të bëjë lëshime. Sipas “Reuters”, palët nuk presin ndonjë kthesë të madhe nga ky samit.

Gatishmëria e Biden për të rirregulluar marrëdhëniet me Putinin i ka shtyrë zyrtarët amerikanë ta shohin këtë samit si një mundësi për të ekuilibruar atë që ata e quajnë qëndrim lajkatues të ish-Presidentit Donald Trump ndaj udhëheqësit rus.

Por ndërkohë, pala tjetër flet për mesazhe të paqarta nga administrata amerikane.

Zvicra u zgjodh mes disa vendeve që shiheshin si opsione për zhvillimin e takimit. Samitit të nivelit të lartë i paraprin një takim i këshilltarit të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, me homologun rus, për të diskutuar mbi detajet.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.