Kush foli i pari?*

Postuar në 26 Maj, 2021 16:16
Daniel Everett - Bentley University, Massachusetts

 

Cili është inovacioni më i madh teknologjik njerëzor? Zjarri? Rrota? Penicilina? Rrobat? Google? Asnjë prej këtyre nuk afrohet. Teksa po lexoni, ju po përdorni teknologjinë që fiton vendin e parë. Vegla kryesore në botë është gjuha. Pa të nuk do të kishte kulturë, letërsi, shkencë, histori, sipërmarrje tregtare apo industri. Lloji Homo sundon Tokën për shkak se zotëron gjuhën. Por si dhe kur e ndërtuam këtë mbretëri të të folurit? Dhe kush është “Ne”. Në fund të fundit, Homo Sapiens është vetëm një nga disa prej specieve njerëzore që kanë kaluar në Tokë. E kemi fjalën për llojin tonë, Homo, apo specien, Sapiens?

Për të gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, ne duhet të kthehemi pas në kohë, të paktën 1.9 milionë vjet më parë, kur si pasojë e procesit antik të evolucionit të primatëve u shfaq Homo erectus. Erectus kishte afërsisht dyfishin e përmasës së trurit të çdo hominini të mëparshëm, ecte zakonisht ngritur, ishin gjahtarë të jashtëzakonshëm, udhëtuan në mbarë botën dhe lundruan në ishujt oqeanikë. Dhe diku në rrugën e tyre ata fituan gjuhën. Po, erectus. Jo Neandertalët. Jo sapiensët. Dhe nëse erectusi shpiku gjuhën, kjo do të thotë se Neandertalët, që lindën më shumë se një milionë vjet më pas, hynë në një botë tashmë linguistike.

Njësoj, specia jonë do të jetë shfaqur në një botë që tanimë e kishte gjuhën. Përkundër faktit se shumë paleoantropologë e shohin erectusin si diçka më shumë se një gorillë me lëkurë, që pati pak arritje, shumë budalla për të patur gjuhë, të cilit i mungonte një aparat zanor i aftë për të folurin inteligjent, evidencat duken bindëse se ata përdornin gjuhën. Erectus kishte nevojë për gjuhën. Ata ishin të aftë për gjuhën. Në fakt, gjuha e erectusit do të ketë qenë në çdo bit po aq “gjuhë e vërtetë” sa çdo gjuhë moderne.

Erectus ishte një krijesë imponuese. Meshkujt arrinin mes 173 – 180 cm. Paraardhësit e tyre direktë, meshkujt australopithecinë, shkonin vetëm 137 cm të gjatë(paraardhësit e tyre direktë do kenë qenë Homo habilis, por vetëm nëse ne pranojmë se habilis nuk ishin australopithecinë, apo se ata ishin një specie e ndarë nga Homo erectus, çka është e paqartë në të dyja rastet). Truri i këtyre njerëzve të hershëm shkonte mesatarisht në 950 cm3 në vëllim, dyfishi i përmasës së australopithecinëve, ndonëse më i vogël se ai i meshkujve Neandertalë(1 450 cm3) dhe sapiensëve(1 250-1 300 cm3), por sërish brenda rrezes së femrave moderne sapiense. Aparati zanor i tyre nuk do ketë qenë shumë më i avancuar sesa ai i gorillave moderne dhe mund të ketë qenë më i ngjashëm me tonin. Por nëse e folura e tyre tingëllonte apo jo e ndryshme nga jona, kjo nuk ka rëndësi, pasi pavarësisht kësaj ishte e përshtatshme për gjuhë.

Evidencat se erectus përdorte gjuhën vijnë nga ngulimet, arti, simbolet, aftësia e tyre për lundrim dhe veglat e punës. Ngulimet e erectusit gjenden thuajse kudo në botë dhe më e rëndësishmja për idenë se erectusi kishte gjuhë, është fakti se oqeanët e hapur nuk përbënin pengesë për udhëtimet e tyre.

Ngulimet e tyre japin të dhëna të kulturës – vlerave, njohurive strukturore dhe strukturave sociale. Kjo e dhënë është e rëndësishme për shkak se gjithë këta elementë përmirësojnë njëri-tjetrin. Evidenca nga ngulimet e erectus, të studiuara nga Gesher Benot Ya’aqov në Izrael, p.sh, sugjerojnë se erectus jo vetëm kontrollonte zjarrin, por edhe se ngulimet e tyre ishin të planifikuara. Një zonë përdorej për përpunimin e ushqimit, një tjetër për përpunimin e materialit për kafshët dhe një tjetër për jetën e përbashkët. E pabesueshme, por erectus ndërtonte po ashtu materiale detare. Udhëtimi detar është e vetmja mënyrë për të shpjeguar ngulimet ishullore të Wallacea(Indonezi), Kretës dhe ato në detin Arabik, Socotra. Asnjë prej këtyre zonave nuk ishin të arritshme nga erectus, veçse duke kaluar oqeanin e hapur, njësoj si tani. Këto site kulturore ishullore demonstrojnë se erectus ishte i aftë për ndërtimin e mjeteve detare me kapacitet mbi 20 njerëz. Sipas shumicës së arkeologëve, 20 njerëz do të ketë qenë minimumi për krijimin e ngulimeve të gjetura.

Për shkak se veglat e gurit të erectus ishin të thjeshta dhe evoluan ngadalë, disa kanë nxituar për të nxjerrë përfundimin se atyre u mungonte inteligjenca për gjuhën. Por veglat prerëse prej guri, thjesht nuk janë e gjithë historia. Evidenca për ngulimet ishullore të erectusit na thotë se ata ndërtuan mjete të transportit të ujit. Erectus duket se kishte edhe art po ashtu, siç shembullizohet në Venusin e Berekhat Rama që është 250 000 vjet i vjetër.

Më tej akoma, arkeologët kanë zbuluar shtiza 400 000 vjeçare në Saksoni(të quajtura shtizat Schöningen), që sugjerojnë një kulturë të zhvilluar gjuetie. Shtizat shpuese p.sh kërkojnë që të paktën një anëtar i një grupi të afrohet mjaftueshëm me prenë, si mamuthi, për ta shpuar atë me armë. Kultura e gjuetisë përfshin bashkëpunim dhe planifikim me të tjerë.

Dikush patjetër që mund të kundërshtojë duke thënë se këto shtiza dhe vegla të tjera nuk i përkasin erectusit, por disa specieve të tjera Homo, para Neandertale dhe sapiense. Ky kundërshtim ka pak argument. Pavarësisht përhapjes së emrave për specie Homo që i paraprinë Neandertalit(rudolfensis, ergaster, heidelbergensis, naldei, floresiensis dhe kështu me radhë), është e paqartë evidenca për të gjithë përveçse tri specieve – erectus, neandertal dhe sapiens. Barra e provës sërish qëndron mbi ata që përpiqen të dallojnë specie e tjera të presupozuara se i përkasin llojit Homo. Dallime më të holla mes specieve të hershme Homo janë të dyshimta, jo vetëm për shkak të mungesës së evidencave bindëse për dallime të tilla, por gjithashtu nga prova të tjera pozitive.

Një burim është zbulimi i kafkave Dmanisi, të vjetra 1.8 milionë vjet, të gjetura vetëm pak vjet më parë në shpellën Dmanisi në Gjeorgjinë e sotme – të gjitha që i përkasin të njëjtës specieje. Ato zbulojnë thuajse të njëjtën sasi të variacionit në formë me ato të gjetura në specie që presupozohen se janë të ndryshme. Burimi tjetër i evidencës vjen nga kërkime të reja sipas të cilit, Homo erectus në Kinë duhet të ketë evoluar drejtpërdrejt në Homo Sapiens, një pozicion i përforcuar ky nga zbulime më të fundit. Pse sugjerohen atëherë kaq shumë specie?

Kjo vjen pjesërisht sepse sugjerime të tilla përfaqësojnë përpjekje të vlefshme për të shpjeguar diveristetin në formë të fosileve dhe siteve. Por përhapja e emrave nxitet po ashtu nga joshja për të qenë i pari që vendos emrin e një specieje. E vërteta me gjasë është shumë më e zakonshme – Homo ndryshoi gradualisht, pa një fund apo fillim të qartë mes specieve, të ndryshme nga tre të mësipërmet mendoj, në mos më pak. Megjithatë, ndonëse dija e sotme njeh se kishte në të vërtetë më shumë specie të ndërmjetme dhe se në fakt, një prej tyre, si Homo heidelbergensis zbuloi e para gjuhën, kjo nuk e ndryshon tezën bazë të kësaj eseje. Gjuha u shpik qindra mijëra vjet përpara Neandertalit dhe sapiensit. Por për tani, disja më e besueshme mbështet idenë se e vetmja specie njerëzore e qartë para Neandertalit, ishte erectus.

Më tej akoma, lundrimi demonstron një nivel të zhvillimit konjitiv që rivalizon edhe atë të njerëzve modernë. Arritjet e erectusit në shtegtimin së bashku përgjatë një prej rrymave më të forta oqeanike në botë, si Rryma e Mesit(Throughflow) që atëherë dhe tani qarkon ishullin e Flores në Indonezi, kërkon jo vetëm bashkëpunim, por gjithashtu korrigjim, udhëzime dhe komandë. Pak udhëzime të hollësime apo korrigjime mund të jepen pa përdorimin e gjuhës. Duhet të jemi të qartë për faktin se kapacitetet udhëtuese të erectusit janë shumë të rëndësishme në vlerësimin e aftësisë gjuhësore. E vetmja alternativë për idenë se erectus ndërtoi varka apo trape është se individët e llojit në fjalë u transportuan aksidentalisht nga ishuj të tjerë përmes trungjeve apo trapeve bimorë të krijuar natyralisht apo diçka e ngjashme. Por kjo nuk vlen si provë. Në librin e tij “Lundërtarë të Erës së Gurit”(2014), antropologu Alan Simmons e paraqet kështu këtë:

Paraardhësit tanë janë portretizuar shpesh si brutalë pa inteligjencë…megjithatë…thjesht ky nuk është rasti. Prova…sugjerojnë se të paktën Homo erectusi dhe ndoshta homininët para tij, ishin detarët e parë…bazuar në këtë evidencë, duket se paraardhësit tanë të hershëm ishin…detarë të suksesshëm…Studime biologjike sugjerojnë se për kolonizim të qëndrueshëm kërkohen një numër i konsiderueshëm i “popullsive themeluese

Siç e mbyll Simmons: Nisur nga këto variable, detaria e qëllimshme, pëfshirë mjetet e ndërtuara qëllimisht dhe të afta për të bartur ngarkesa relativisht të mëdha(që janë njerëz dhe rezerva ushqimore) për distanca të mëdha, është një model më i kënaqshëm, në dritën e evidencave përherë e më të shumta nga mbarë bota të njerëzve të hershëm në shumë ishuj.

Për të ndërtuar dhe operuar një varkë, erectusi kishte nevojë të fliste se çfarë lloj materiali duhej mbledhur, ku duhej mbledhur, si ta vendoste materialin e kështu me radhë – pikërisht ajo që ne vetë do të kishim nevojë të flisnim në mënyrë që të ndërtojmë një trap. Përtej realizimit të mjetit, planifikimi i udhëtimit si të tërë, arsyeja e sipërmarrjes, do të kërkonte po ashtu gjuhën.

Ne atëherë mund të përfundojmë se erectusit i duhej gjuha. Por sa e vështirë do të kishte qenë për ta të shpiknin gjuhën, megjithë trurin e tyre masiv Homo? Kjo varet se çfarë kuptohet me gjuhë. Ka dy përbërës themelorë të gjuhës për të cilët të gjithë gjuhëtarët bien dakord – gramatika dhe simbolet. Ndonëse disa gjuhëtarë e quajnë gramatikën si përbërësin më të rëndësishëm të gjuhës njerëzore, të tjerë konsiderojnë se simbolet janë të tillë. Siç shihet më poshtë, me t’u shfaqur simbolet në gjuhë, gramatika vjen thuajse vetiu. Për të kuptuar natyrën e shpikjes së gjuhës nga erectusi, së pari është e rëndësishme të njihet dallimi mes komunikimit dhe gjuhës:

  • Komunikimi është transferimi i informacionit
  • Gjuha është tranferimi i informacionit me simbole.

Në librin tim “Si filloi gjuha”(2017) unë argumentoj se simbolet e erectusit nisën me veglat e tyre. Përveç sëpatës prej kuarci  “Excalibur”, përdorur në një rit varrimi rreth 350 000 vjet më parë në Atapuercan e sotme në Spanjë, të gjitha veglat e erectusit, sikurse ato të sapiensit, u bënë simbole të punës, komunitetit dhe kulturës. Krijimi, kujdesi, transporti dhe përdorimi me aftësi i veglave, të gjitha demonstrojnë se këto vegla nënkuptonin diçka më shumë sesa thjesht detyra për të cilën ishin projektuar të kryenin. Ashtu si një lopatë përfaqëson jo vetëm detyrën e gërmimit, por evokon kujtime të vrasjes së gjarprinjve, përgatitjen e një kampi e kështu me radhë, edhe veglat e erectusit kishin shumë funksione dhe do të ngacmonin kujtime të vlerave kulturore dhe aktiviteteve kur ato nuk ishin të pranishme.

Me fjalë të tjera, veglat e erectusit përfaqësonin kuptime të përbashkëta që i referoheshin aktiviteteve të të zhvendosurve – jo të pranishëm menjëherë – kuptimeve, shenja dalluese të simboleve. Kështu, teksa erectus shpiku simbolet, aktivitetet, veglat, lundrimin, modelet e ngulimeve e kështu me radhë, ata po shpiknin njëkohësisht kulturën dhe transformonin vetë komunikimin në gjuhë. Kjo do të thotë se gjuha nuk është më shumë një pjesë e “natyrës njerëzore” sesa çdo shpikje tjetër. Më tepër, deri në atë shkallë sa ekziston diçka e ngjashme me natyrën njerëzore, ajo shihet në fuqinë njohëse dhe fleksibilitetin që mbështet aftësinë tonë për të inovuar. Gjuha po pret të shpiket nga çdo krijesë me një tru mjaftueshëm të fuqishëm, njerëzor, jonjerëzor apo edhe alien.

Nga kjo pikë e favorshme, basti për teoritë e origjinës së gjuhës është shumë i lartë. Pyetja kryesore që shtrohet është nëse njerëzit zotërojnë aftësi njohëse të veçanta që u mungojnë organeve trunore të të gjitha krijesave të tjera, apo nëse më thjesht, njerëzit kanë gjuhë sepse ata janë më të zgjuar sesa krijesat e tjera(qoftë përmes densitetit më të lartë të neuroneve, apo avantazheve të tjera të organizimit trunor).

Përgjigja për mua është e thjeshtë – gjeni një kafshë që mund të komunikojë përmes simboleve dhe keni një kafshë që flet. Dhe këtë po them edhe për Homo erectus – ishte kafsha e parë që komunikonte përmes simboleve. Gramatika komplekse nuk është as e domosdoshme, as e mjaftueshme për gjuhën. Replikimi i ADN-së ndjek një procedurë si gramatika, e megjithatë ende askush nuk do të thoshte se genet kanë gjuhë. Dhe siç kam deklaruar prej vitesh, disa gjuhëve moderne u mungon sintaksa komplekse. Simbolet, jo gramatika, janë pra sine qua non e gjuhës. Ato të vetme garantojnë komunikimin që është zhvendosur, që ndahet nga një komunitet i tërë folësish, që mund të transmetohet mes folësve dhe brezave dhe që mund të përfaqësojë ide dhe gjëra abstrakte apo konkrete.

Simbolet mund t’i bëjnë këto gjëra për shkak të tri cilësive: arbitraritetit, qëllimshmërisë dhe konvencionalizimit. Arbitrariteti do të thotë se një fjalë si “molla” nuk ka lidhje të domosdoshme me frytin që referohet nga emri. Një tjetër simbol mund të zgjidhet lehtësisht të përfaqësojë të njëjtin frut, si në fjalën portugeze maça.

Me “qëllimshmëri” ne kuptojmë se një formë është qëllimisht e drejtuar në kuptimin që përfaqëson.  

Dhe me “të konvencionalizuar” kuptohet se një formë simboli është një mënyrë sociale e dakordësuar në refereimin e cilësisë së veçantë, ngjarjeje apo sendi. Mollë ka kuptimin “mollë” sepse ne themi që e ka atë kuptim.

E habitshme, por gjetjet arkeologjike mbështesin saktësisht progresionin e hapave të nevojshëm që çojnë krijesat nga transferuese informacioni pa simbole në gjuhë(transferim informacioni përmes simbolesh). Është një sekuencë që Charles Sanders Peirce, shpikësi i semiotikës(teoria e simboleve) do ta kishte parashikuar. Ndaj unë e qauaj këtë sekuencë “progresioni Peircean”. Hapat e përshfaqjes ne regjistrin arkeologjik do të kishin qenë (i) indekse(të përdorura nga të gjitha kafshët); (ii) ikona(së pari të vëzhguara tek australopithecus africanus); (iii) simbole(veglat, arti dhe krijimet kulturore të erectus). Ky progresion prezantohet në diagramën e mëposhtme:

Të gjitha kafshët varen nga indekset  për të gjetur rrugën e tyre në botë, për t’u ushqyer, për t’i ikur rrezikut, gjetur strehë dhe për të përmbushur nevojat e tjera biologjike. P.sh një luan gjuan prenë e vet përmes indeksit të nuhatjes apo ndoshta indeksit të pamjes(si një lëvizje e degës së një peme, shkaktuar nga kalimin i një kafshe tjetër). Një dhelpër i ikën zjarrit duke iu shmangur indeksit të tymit që shkatktohet nga zjarri. Indekset janë pra të vjetra sa jeta.

Pastaj vijnë ikonat. Ikona e parë në gjetjet arkeologjike demonstron një njohje të qëllimshme të faktit se një objekt i ngjan një tjetri. Ky është manuporti 3 milionë vjeçar Makapansgat nga Afrika e Jugut. Ky guralec i vogël 7 cm x 8.3 cm duket si një fytyrë njerëzore dhe ka qenë në zotërim të një grupi të vogël të asutralipithecus africanus. Ne e dimë se asutralopithecus e çonin këtë gur në shpellën e tyre për shkak se ai nuk ngjan me asnjë tjetër mineral të gjetur aty.

Një milion vjet pas kësaj ikone të parë, shfaqen evidenca për arritjet kulturore të Homo erectusit. 

Në Progresionin Peircean, veglat e ndryshme të erectusit do të shërbenin fillimisht si indekse të detyrave që ato përfaqësonin. Pra ato do të ishin një lidhje fizike mes një shtize me gjak në majë dhe mamuthit të vrarë. Por ndërsa kultura zhvillohej, këto vegla u bënë më të konvencionalizuara sesa 1 milionë vjet më parë, siç tregon arkeologjia dhe kështu do të kenë marrë rolin e simboleve. Një vegël do të ketë prezantuar për erectusin një detyrë domethënëse kulturore, një përfaqësim të pranishëm vetëm kur vegla nuk përdorej. Sërish, kjo është ndoshta e shembullizuar më mirë nga sëpata e gurit prej kuarci e gjetur në një shpellë në Atapuerca. Teksa kultura zhvillohej, veglat u shndërruan në simbole, diçka që ne përndryshe e gjejmë vetëm mes njerëzve të sotshëm.

Organizimi dhe planifikimi i ngulimeve të erectusit si dhe udhëtimi, demonstrojnë aftësinë e nevojshme njohëse për gramatikë dhe grumbullime. Të dhënat e përgjithshme arkeologjike të arritjeve të erctusit mbështesin pra idenë se erectusi kishte fituar gjuhën më shumë se 800 mijë vjet më parë, duke konsideruar se lundrimi pasoi gjuhën dhe me më shumë gjasë, 1.5 milionë vjet më parë(mbështetur nga udhëtime të shumta dhe standardizimi i veglave).

Sa i madh do të ketë qenë për erectus-in hapi për shpikjen e gjuhës?

Simbolet duhet po ashtu të jenë shfaqur gradualisht nga forma kuptimore të dakordësuara të korrespondencës(fjalët e folura kanë forma zanore dhe veglat kanë forma vizuale, të prekshme dhe nuhatëse) të intepretuara nga konteksti kulturor.

Këto mund të kenë qenë pasthirrma të thjeshta me gjeste dhe intonacion, më vonë të konvencionalizuara si simbole. P.sh, supozoni se dikush thërret ‘Shamalamadingdong!’pas një kontakti të afërt me një mace dhëmbë drapër. Gjestet dhe intonacioni do ta kenë shpërbërë këtë në pjesë më të vogla përmes inxhinierisë së prapakthimit siç ndodh me shumë lojëra gjuhësore moderne. Ne po ashtu i shohim folësit të analizojnë gjuhët e tyre përmes “formimeve të pasme” si shpërbërja e fjalës alkoolik në dy pjesë artificiale, ‘alko’ dhe ‘olik’ dhe më pas duke prodhuar një fjalë të re si çokolik(varësi ndaj çokollatës). Folësit i analizojnë fjalët dhe fjalitë e tyre shpesh dhe me lehtësi, por megjithatë, analiza e tyre ndryshon nga teoria gjuhësore.

Simbolet po ashtu dolën nga konvencionalizimi i modeleve natyrore zanore, si e qara, konvencionalizuar për të krijuar ritual vajtimi në disa gjuhë Ge të Brazilit.

Sapo një simbol, siç është një fjalë, shpiket, krijohet një dukuri e njohur si “dualiteti i modelimit”(term i prezantuar në vitet ’60 të shekullit të 20-të nga gjuhëtari amerikan Charles Hockett). Ky është asociimi i sendeve pa kuptim, si një varg tingujsh me kuptim. Sekuenca e tingujve pa kuptim në një fjalë mund të quhet si sekuenca qua. Me t’u bërë kjo, ne mund të zëvendësojmë tingujt si ‘p’ për ‘c’ për të marrë ‘pat’ apo ‘d’ për ‘t’ për të marrë ‘cad’ apo ‘augh’ [ᴐ] për [æ] për të marrë ‘caught’ dhe kështu me radhë. Kjo bazohet mbi një kuptim apo zbulim të ‘vendeve’(pozicionet për ‘c’, ‘a’ dhe ‘t’ në fjalë dhe rrokje) dhe ‘mbushësve’, tingujve individualë të gjuhës. Nga ky parim i thjeshtë pozicion-mbushës, në relacion me kuptimin dhe kulturën, ne mund të ndërtojmë gramatikë të niveleve të ndryshme të kompleksitetit.

Vargjet e tingujve, frazave dhe fjalive, të gjitha kanë vende, që janë pozicione për njësitë që i kompozojnë ato, njësoj si fjalët mbushen për vendet e një fjalie.

Në ‘The goat saw the monkey’(dhia pa majmunin), mbushësit janë emra(si ‘goat’(dhia) dhe ‘monkey’(majmuni), nyjet ‘the’ dhe foljet ‘saw’(pa) dhe vendet janë pozicionet përpara fjalës, folja dhe pozicioni pas foljes. Kështu sikundër mund të nxjerrim ‘pat’ nga ‘cat’(përkëdhelje nga macja), në një kuptim ne po ashtu mund të derivojmë “The monkey saw the goat” apo “The man saw the boy” nga marrëveshje pozicion-mbushje të “The goat saw the monkey”. Me të patur një bashkësi simbolesh dhe një rregull linear për të cilin një kulturë ka rënë dakord, ti ke një gjuhë.

Kjo është e gjitha, ndonëse patjetër që me kalimin e kohës shumica e gjuhëve bëhet me komplekse. Po njësoj, harku dhe shigjeta kanë shumë shkallë kompleksiteti në shoqëri të ndryshme, e megjithatë duket si fakt universal(për shkak se është një zgjidhje optimale për të siguruar proteinën që lëviz më shpejt sesa ty). Në progresionin peircean  që propozoj, këto dallime shprehen nga G(ramatika) të ndryshme, G1-G3. G1 është një gramatikë lineare(simbolet thuajse janë vendosur në rend linear). G2 ka një farë hierarkie(si në diagramat Reed-Kellog të fjalive anglisht që disa prej nesh i mësojnë përmendsh në shkollën fillore).

G3 ka si hierarki ashtu edhe rekursion(kështu që dikush mund të thotë jo vetëm fjalinë e strukturuar “Bill said that May came in the room”(Billi tha se Mei erdhi në dhomë) – ku fjalia “that May came in the room” është e ndërfutur në fjalinë më të gjerë “Bill said…” – por gjithashtu dhe fjalitë përsëritëse(rekursive) si “Bill said tha May said that Peter said tha John said that…” ku fjalitë nuk kanë në parim një kufi të sipërm).

Të gjitha dekoret gramatikore si strukturat hierarkike, përsëritja, fjalitë e thjeshta dhe të tjera ndërtime komplekse, janë dytësore, bazuar në një marrëveshje pozicion-mbushje dhe një kompozimi simbolesh në lidhje me konvencionet kulturore dhe parimet e përgjithshme të llogaritjes efikase. Parime të tilla janë trajtuar së pari në studimin “Arkitektura e Kompleksitetit”(1962) nga nobelisti i ekonomisë, Herbert Simon. Megjithatë, për të patur një gjuhë me të njëjtën forcë shprehëse si çdo gjuhë tjetër, nuk kërkohet kompleksiteti sintaksor. Në fakt ka gjuhë moderne, gramatika e të cilave duket të jetë diçka më shumë sesa simbol në një rend të dakordësuar, të cilëve u mungon prova për hierarkinë apo shenja të tjera të sintaksës komplekse.

Kështu, me t’u shfaqur kultura dhe simbilet, gramatika është rrugës. Nëse ky rend është i saktë, atëherë gjuha nuk ka nisur si këndim, intonim, apo gjeste. Simbolet varen në mënyrë simbiotike dhe të njëkohshme nga gjestet, fjala dhe intonacioni – një aspekt i trajtuar po ashtu nga David McNeill në “Si filloi gjuha”(2012).

Sigurisht që erectus kishte mangësi relative, përtej mungesës së mundshme të rrezes vokale të njeriut modern. Atij i mungonte po ashtu forma moderne e genit të rëndësishëm FOXP2 që sapiensët kanë. Por a përbëjnë këto mangësi të aparatit vokal dhe genet primitive një problem që erectus të kishte një gjuhë? Aspak. P.sh, evolucioni i të folurës u nxit nga gjuha – teksa ne zhvilluam gjuhët, moda e shprehjes së tyre u përmirësua përgjatë kohës. E vërtetë, e folura e sapiensit është me gjasë më e mirë sesa ajo e erectusit. Por kjo nuk do të thotë se atij i mungonte gjuha. Çdo gjitar mund të flasë me tingujt që janë në gjendje të prodhojnë sot. Ata thjesht kanë nevojë për trurin e duhur. Versioni i sapiensit i FOXP2 na ndihmon të artikulojmë më lehtë tinguj si dhe të mendojmë më shpejt dhe me efikasitet sesa erectusi. Por ai nuk është një “gen i gjuhës”. Dhe ndonëse erectusi mund të ketë patur “Modelin T” të këtij geni, ndërkohë që ne posedojmë “versionin Tesla”, varianti primitiv i tyre i FOXP2 nuk i ka privuar ata prej gjuhës. FOXP2 dhe gene të tjera u përshtatën pjesërisht për shkak të presionit evolucionar nga gjuha dhe kultura.

Po sa tinguj ka nevojë një entitet që ta mbajë të dallueshme të folurën e vet? Kompjuterët përdorin vetëm dy “tinguj” – 0 dhe 1. Çdo gjë që mund të thuhet në çdo gjuhë të botës, pavarësisht sesa tinguj të folure ka në një gjuhë të dhënë, mund të përkthehet në 0s dhe 1s në kompjuter – përndryshe nuk mund ta shkruash romanin tënd në laptop. Laringu të huton. Në fakt, ka gjuhë moderne si gjuha Rotokas e Papuas që kanë më pak sesa një duzinë tingujsh. Erectus ishite fizikisht i aftë për të paktën po aq tinguj sa një gorilla apo gjuha binare e laptopit. Në fakt, edhe me të njëjtin aparat vokal, erectusi do të ketë krijuar më shumë tinguj sesa gorilla për shkak të trurit të vet më të avancuar. Shimpazetë nuk flasin sepse ata nuk kanë trurin që të mbështesë simbolet, jo sepse atyre u mungon aparati i duhur vokal.

Anglishtja moderne ka fjali të thjeshta si “Ti pi. Ti nget makinën. Ti shkon në burg”. E megjithatë, pavarësisht kësaj thjeshtësie gramatikore, ne i kuptojmë këto shembuj shumë mirë. Në fakt, mund të ndërtohen fjali të ngjashme në çdo gjuhë që mund të jetë e kuptueshme për të gjithë folësit e lindur të gjuhës. Interpretimi kërkon kontekst kulturor, jo gramatikë komplekse – por kjo e lehtëson atë, duke shpjeguar se pse kaq shumë gjuhë kanë gramatikë komplekse, siç e shpjegoj në librin tim: "Gjuha: Vegla kulturore"(2012).

Fraza të tilla demonstrojnë se njerëzit mund të interpretojnë dhe përdorin një gjuhë edhe kur asaj i mungon gramatika e qartë më tepër sesa rendi i fjalëve. Gjuha e Homo erectus-it nuk duhet të ketë qenë më e ndërlikuar sesa këto shembuj, apo diçka e tillë. Shembujt anglisht nënvizojnë parimin se gjuha është e papërcaktuar përtej veçmas kontekstit kulturor. Vetëm sintaksa është e pamjaftueshme.

Por si t’ia bësh me shumë paleoantropologë modernë, gjuhëtarë dhe të tjerë që nuk besojnë se erectus ishte i aftë për gjuhë moderne për shkak të veglave të tyre shumë primitive? Budallallëqe. Ky atribut paaftësie ndaj erectus-it bazohet në një numër gabimesh në arsyetim:

(i)përqendrohet thuajse ekskluzivisht në veglat prej guri kur vjen puna tek erectus, duke injoruar evidencën për veglat prej kocke dhe druri; (ii) gabon qoftë kur supozon se ngulimet në disa ishuj ishin rezultat i urave tokësore apo aksidenteve për shkak të erës; (iii) duket se nuk konsideron domethënien e organizimit të fshatit të erectusit; (iv) asnjë studim i të folurës së erectusit duket se njeh se e folura erdhi më pas se gjuha dhe se aparati vokal njerëzor ka nevojë të jetë i aftë të prodhojë vetëm një numër të vogël tingujsh që të flasë(shiko kërkimin e fundit mbi makakët të drejtuar nga biologu evolucionist W Tecumseh Fitch në universitetin e Vjenës); (v) ai dështon në kuptimin e faktit se veglat shndërrohen në simbole; (vi) priret të mbivlerësojë vështirësinë e pasjes së gjuhës dhe dështon të kuptojë sesi gramatika pozicionim – mbushje ecën nga simbole në dualitetin e modelimit.

Përfundimi se erectusi shpiku gjuhën përmes inteligjencës së vet më të lartë dhe zhvillimit kulturor, është i mbështetur mirë, siç provohet nga të dhënat arkeologjike. Por nëse gjuha është thjesht një teknologji bazuar në simbole dhe gramatikë, atëherë të tjera krijesa mundet gjithashtu ta kenë zbuluar atë. Nëse jo, kjo ka ardhur sepse atyre u mungonte kultura. Ka disa qëndrime se kafshë të tjera kanë gjuhë siç përkufizohet këtu-transferim informacioni përmes simboleve. Njihet mirë se shumë kafshë mund të mësojnë simbolet. Disa shembuj janë kuajt, majmunët e mëdhenj dhe qentë. Çfarë është e paqartë është nëse jonjerëzorët shpikin simbolet vetë. Ata do të kenë nevojë për kulturën që ta bëjnë një gjë të tillë. Asnjë provë të besueshme nuk ka për këtë.

Ndaj provat e disponueshme mbështesin fort mendimin se erectus shpiku gjuhën më shumë se 1 milionë vjet më parë. Dhe me këtë Homo erectus ndryshoi botën më shumë se çdo krijesë para tij, përfshirë nipin e tij, Homo sapiens.

Burimi: AEON

Përkthimi dhe titulli shqip: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.