Shfaqen raste të një infeksioni të rrallë që shoqëron Covidin në Indi dhe Pakistan

Postuar në 14 Maj, 2021 09:48

Ditët e fundit, në Indi, autoritetet shëndetësore dhanë alarmin se një lloj infeksioni i njohur si “kërpudha e zezë” po shfaqej te pacientët me Covid dhe ata që janë shëruar prej tij. Raste të tilla, që njihen ndryshe edhe si mukormikoza u vunë re sidomos te pacientët Covid me diabetin si sëmundje bashkëshoqëruese.

E njëjta duket se po ndodh në Pakistanin fqinj, sipas The News International, gazeta më e madhe e vendit në gjuhën angleze. Disa spitale në Pakistan kanë raportuar vdekje nga mukormikoza ditët e fundit, por ekspertët dyshojnë se ka edhe shumë raste të paraportuara, pasi mjekët mund të mos e vërejnë infeksionin, duke qenë se janë të zënë me trajtimin e COVID-19.

"Ne kemi parë të paktën pesë raste të mukormikozës te pacientët COVID-19 në gjendje serioze nën trajtim në Njësinë e Kujdesit Intensiv në institucionin shëndetësor", tha për News një mjek nga një spital në Karaçi, Pakistan. “Të paktën katër pacientë vdiqën për shkak të këtij komplikacioni. Të paktën dy qendra të tjera gjithashtu kanë raportuar raste të mukormikozës midis pacientëve me COVID-19".

Këto lloj kërpudhash janë mjaft të zakonshme, por duket se shfaqen në pacientët me diabet që kanë qëndruar më gjatë në spital për shkak të koronavirusit. Mjekët besojnë se steroidet e përdorura për të trajtuar COVID-19 tentojnë të dobësojnë përkohësisht sistemin imunitar të pacientëve, duke lejuar që këto kërpudha të shfaqen në trurin dhe mushkëritë e tyre.

"Pacientët COVID-19 tashmë kanë imunitet të ulët dhe gjithashtu u jepen steroide, kështu që ata bëhen shënjestër e lehtë e kërpudhave të zeza", tha mjeku pakistanez.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.