PE i hap dritën jeshile fondit 7.9 miliardë euro për industrinë e mbrojtjes  

Postuar në 30 Prill, 2021 13:20

Europarlamenti miratoi të enjten fondin e diskutueshëm prej 7.9 miliardë eurosh, që njihet si Fondi Evropian i Mbrojtjes (EDF), raporton Euractive. Ky fond i hap rrugë programit të parë të dedikuar të Bllokut për kërkime ushtarake që synon të forcojë bashkëpunimin ushtarak midis vendeve anëtare të BE.

Fondi, i propozuar së pari kur Komisioni Europian drejtohej nga Jean-Claude Juncker, ishte planifikuar fillimisht për 13 miliardë euro, por më pas u zvogëlua me 5 miliardë euro në negociatat e buxhetit të BE-së vitin e kaluar, si pasojë e pandemisë.

Fondi synon të forcojë industrinë e mbrojtjes së Evropës dhe të zvogëlojë dublikimin në shpenzimet e mbrojtjes duke bashkë-financuar kërkimin e mbrojtjes me vendet anëtare, me deri në 8% që do të shpenzohen për teknologjinë e re.

Programi do të mbulojë gjithashtu zhvillimin e prototipave të armëve, me kusht që vendet anëtare të përfshira të angazhohen për të marrë produktin përfundimtar.

"Qëllimi i fondit nuk është vetëm të mbështesë projekte kërkimore dhe zhvillimore të industrisë evropiane të mbrojtjes por gjithashtu të përfshijë subjekte të reja në rrjetet e bashkëpunimit dhe zinxhirët e furnizimit, përfshirë ato që nuk kanë qenë aktive në këtë industri deri më tani", tha raportuesi për fondin, eurodeputeti polak Zdzisłaë Krasnodębski.

“EDF nuk do të subvencionojë bashkëpunimin dypalësh midis vendeve, pasi numri minimal i pjesëmarrësve në projektin e financuar është të paktën tre njësi nga të paktën tre shtete anëtare," shtoi ai.

Komisioni Evropian do të menaxhojë drejtpërdrejt programin dhe konkursi i parë i grantit pritet të shpallet para verës.

Franca ka qenë e para që ka kërkuar "autonominë strategjike" të BE-së për të qenë në gjendje të përballet e vetme me çështjet e sigurisë pas Brexit, pasigurisë gjatë ish-administratës së Trump dhe mes një ngërçi të shkallëzuar gjeopolitik midis SHBA dhe Kina.

Raportuesi për fondin, Krasnodębski, i hodhi poshtë “legjendat urbane”, sipas të cilave programi i ri e fut Bllokun në rrugën e një uniteti ushtarak.

“Nuk është hapi i parë për një ushtri europiane dhe këto para nuk do të përdoren nga shtetet anëtare për të blerë pajisje ushtarake”, tha ai.

Ambiciet për mbrojtjen e përbashkët kanë hasur kritika vitet e fundit. Anëtarët e BE-së, me përjashtim të dy vendeve kanë nënshkruar bashkëpunimin e strukturuar të përhershëm të BE-së (PESCO), që synon të ndihmojë në financimin, zhvillimin dhe vendosjen e forcave të armatosura së bashku, për ta bërë sektorin e mbrojtjes të BE-së më fleksibël dhe më të pavarur nga SHBA-të.

Një nga çështjet e diskutueshme gjatë negociatave ishte mundësia që fondi të mund të përdorej për zhvillimin e armëve të diskutueshme.

Marrëveshja përjashton zhvillimin e armëve autonome vdekjeprurëse - të ashtuquajtura robotë vrasës - dhe sistemeve të armëve të ndaluara nga ligji ndërkombëtar, të tilla si mina tokësore, ose armë bërthamore, kimike dhe biologjike.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.