Status quo-ja nuk prodhon më stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Postuar në 25 Mars, 2021 20:10

Status quo-ja nuk po garanton më stabilitet në Ballkanin Perëndimor. BE-ja duhet të përqendrohet më shumë te fitoret e vogla në mënyrë që të arrijë qëllimet afatgjata. Ky ishte konkluzioni që doli gjatë panelit “Si të rikthejmë zgjerimin e BE-së në rrugën e duhur? Përparësia te sundimi i ligjit dhe reformës në drejtësi”, organizuar nga “rrjeti WB2EU”.

Karoline Edtstadler, Ministre Federale për BE dhe Kushtetutën e Austrisë, tha se ajo nuk e sheh si negative situatën aktuale në lidhje me procesin e zgjerimit.

“Mendoj se kemi arritur shumë vitin e kaluar. Ne ishim tashmë në mes të kësaj pandemie kur vendosëm të avanconim me procesin e zgjerimit. Është çështje besueshmërie dhe sigurie për BE-në që ne ta afrojmë Ballkanin Perëndimor më pranë BE-së me qëllim anëtarësimin në BE", citohet Edtstadler nga European Western Balcans.

Ajo shtoi se BE ka nevojë për një qasje më politike, strategjike në procesin e zgjerimit të BE dhe se një perspektivë e qartë duhet t'i jepet Ballkanit Perëndimor.

Katarina Barley, nënkryetare e Parlamentit Evropian, theksoi se kur bën premtime duhet t'i mbash ato.

“Pasi t’i ngresh pritshmëritë, duhet t'i përmbushësh ato. Ajo që kemi parë veçanërisht me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është se BE nuk i ka përmbushur këto pritshmëri dhe nuk i ka mbajtur premtimet që bëri. Parlamenti Evropian punon sa më shumë që tundet për të mbështetur procesin e pranimit", theksoi Barley.

Për Maqedoninë e Veriut, prej kohësh në “paradhomën” e zgjerimit, nëse ky proces më parë i ngjante një autostrade, tani i ngjan një të përpjete.

Nikola Dimitrov, ministri për Çështjet Evropiane të Maqedonisë së Veriut, tha se 16 vjet pritje kanë qenë sfidë.

“Qëllimi i procesit të anëtarësimit nuk është plotësimi i disa kutizave në dokumente, por ta çosh Evropën në shtëpi, në mënyrë që ne këtu të kemi mënyrën evropiane të jetës. Nuk ka asnjë shkop magjik për sundimin e ligjit. Këtë vit ne shënojmë 20 vjet që kur kemi nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, tha Dimitrov.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.