Hosteli i Europës Juglindore

Postuar në 16 Mars, 2021 18:49

Revista “Monitor” publikonte sot të dhënat e Eurostat për popullsinë, që flasin për një plakje të shpejtë në Europë. Në vitin 2020, rreth 20.6% e popullsisë ishte mbi moshën 65 vjeç ose më shumë. Sa i përket Shqipërisë panorama paraqitet e zymtë:

Në vitin 2020 shtesa natyrore e popullsisë shënoi pothuajse nivelin zero me vetëm 470 lindje më shumë se vdekjet. Për herë të parë që nga 1923, kur ekzistojnë të dhënat zyrtare për regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë, shtesa natyrore e vendit pushoi se rrituri. Nga viti 1923 deri në vitin 2019, vit pas viti lindjet kanë qenë shumë më të larta se vdekjet. Ndonëse emigracioni ka ndikuar negativisht në tkurrjen e popullsisë banuese në Shqipëri sërish ky kontingjent mund të konsiderohet rezervë, pasi ekziston gjithmonë mundësia e rikthimit të tyre, por kur lindjet janë të më të ulëta se vdekjet, popullsia e një vendi hyn në rënie pa kthim

shkruhet në shkrimin e revistës.

Edhe sikur ky interpretim të merret me rezervë ne duhet të pranojmë se demografia ka një cikël të pashmangshëm për çdo komunitet dhe për rrjedhim rënia është një fakt për shoqërinë shqiptare.

Me rënien demografike që i shtohet emigracionit vijnë shumë probleme komplekse që duhen studiar mirë në mënyrë që në funksion të tyre të ndërtohen politika të ndryshme. Nëse shohim këtë dukuri dhe ta vëmë atë në relacion me programet e qeverisë dhe partive politike ne mund të vërejmë se i vetmi që flet politikisht për këtë temë është Presidenti i Republikës. Por nuk është e qartë sesa ky artikulim është në funksion të një bindjeje që gjeneron programe dhe sesa kemi të bëjmë me elementë të populizimit.

Më dramatike është situata kur sheh se si e trajton një realitet të tillë qeveria dhe shumica. Pa asnjë studim, pa asnjë hulumtim, socialistët e z. Rama folën për “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” duke patur ndërmend një Shqipëri të rregulluar dhe moderne për brezin e ri. Paradoksi i këtij programi është se jo vetëm që ai u zbatua duke prodhuar largime në masë jashtë vendit, por pa një lidhje me lëvizjen demografike dhe moshimin, çka na bën të kuptojmë se programet përgjithësisht miratohen si fletëpalosje trendi.

Moshimi i popullsisë e vë në krizë dhe e bën qesharak një apel si ky i Gjeneratës Tjetër, sikundër e bën fare komike devizën “Ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë”, meqenëse për këtë të fundit i bie të mos llogaritet fakti se Shqipëria po bëhet tashmë e ardhmja e pleqve dhe moshës së tretë. Kryeministri Rama e kupton shumë mirë se në një vend si ky yni, pleqërimi është i përshtatshëm për shkak të klimës dhe ushqimit, sikundër është bërë këto kohë ta zëmë edhe Kamboxhia, për shkak të kostove të ulëta dhe kuriozitetit kulturor.

 Por “Shqipëria, e ardhmja jonë” nuk është Shqipëria e mundësive. Ajo është një hostel në anë të Adriatikut dhe Jonit, ku mjafton të shohësh për të ngrënë e për të pirë, për të mbyllur ditët. Sa për të tjerat ne e dimë se çfarë ndodh. Një qeveri serioze që ka probleme të tilla do të shihte dhe nxitonte në politika sociale dhe buxhete me drejtim social, në disiplinë fiskale dhe skema të zhdërvjellëta sigurimesh. Ajo çfarë po përpjetojmë është një ligj xhungle ku fiton vetëm i forti. Dhe ku njësoj si për pronën që ta fshijnë në kadastër, të duhet të bësh edhe gjyq me lekët e tua për pensionin.

s.zaimi

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Kane harruar te numerojne edhe pleqte e plakes Ragave te Ashrafit ne Manze, ne fermen e kafsheve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.