Mercenari skocez që do të ekzekutonte Pablo Escobar-in

Postuar në 13 Mars, 2021 17:20

Në 1989, një ekip mercenarësh britanikë, të udhëhequr nga skocezi Peter McAleese, udhëtoi për në perandorinë kriminale të njeriut më të rrezikshëm në botë, me qëllimin për ta ekzekutuar.

Pablo Escobar ishte udhëheqësi i kartelit të drogës Medellin në Kolumbi dhe një nga kriminelët më të pasur në histori.

Ai ishte prodhuesi dhe shpërndarësi më i madh i kokainës në botë, përgjegjës për deri në 80% të tregtisë globale të drogës në atë kohë.

Ish-operativi i SAS-it, McAleese, u rekrutua nga një kartel rival kolumbian për të vrarë Escobar-in.

Historia e tij tregohet në dokumentarin "Killing Escobar", të cilit i referohet BBC.

McAleese ka lindur në Glasgoë në 1942 dhe përshkruhet nga regjisori si "njeri kompleks". Ai u rrit në Riddrie - në periferi të qytetit më të madh të Skocisë – pranë burgut famëkeq të Barlinnie, ku babai i tij - një njeri i dhunshëm – kaloi shumicën e jetës.

McAleese, i cili tani është 78 vjeç, rrëfen: "Unë u trajnova për të vrarë në ushtri, por instinkti i luftës erdhi nga Glasgoë".

Kur ishte 17 vjeç, ai u largua nga shtëpia dhe iu bashkua ushtrisë. Ai u regjistrua në Regjimentin e Parashutës dhe u bë më pas edhe anëtar i elitës 22 Regjimentit SAS.

Ai shërbeu në Borneo me SAS, duke luftuar në xhungël, përpara se të largohej nga Ushtria Britanike në 1969, një vendim që ai e përshkruan si gjëja më e keqe që ka bërë ndonjëherë.

Pasi u arrestua për dhunë ndaj të dashurës dhe u lirua, McAleese u bë "mercenar" në Luftën Civile Angolan dhe më vonë në Rodezi (Zimbabveja e sotme), si dhe Afrikën e Jugut.

Ai u takua me Dave Tomkins në Angola në 1976. Tomkins nuk ishte mirëfilli ushtar, por dinte të bënte marrëveshje dhe të furnizonte me armë. Ata nuk u bënë miq të mirë dhe ishte Tomkins ai që iu afrua McAleese për misionin për të vrarë Escobar.

Jorge Salcedo, pjesë e bandës rivale të drogës kolumbiane, karteli Cali, ishte koordinator i sulmit. McAleese ishte personi i parë të cilit iu kërkua kjo gjë.

"Nuk të kërkonte njeri të vrisje Pablo Escobar nëse nuk kishe përvojën e duhur", tha McAleese.

"Unë nuk e kisha problem ta vrisja. Unë kurrë nuk e kam parë si vrasje. Unë e shikoja atë si një shënjestër", thotë ai.

Armë dhe bomba

Hacienda Napoles  ishte një fermë e stërmadhe me një kopsht zoologjik plot me kafshë ekzotike, një koleksion makinash të vjetra dhe luksoze, një aeroport privat dhe një ring për demat.

McAleese fluturoi mbi fermë për inspektim dhe dakord që detyra mund të bëhej. Tomkins rekrutoi një ekip prej 12 mercenarësh, njerëz me të cilët kishte punuar më parë ose që ishin rekomanduar.

Ata u ndihmuan përmes doganave nga Jorge Salcedo dhe karteli Cali siguroi qëndrimin e tyre. Secili prej tyre kishte 5 000 dollarë në muaj plus shpenzimet, por Tomkins merrte 1000 dollarë në ditë.

Ata fillimisht qëndruan në qytetin e Cali-t, por me frikën se mund të binin shumë në sy u zhvendosën në një fermë në fshat, ku siguruan një sasi të madhe armësh. Mercenarët u stërvitën shumë për misionin e tyre, por vetëm Tomkins dhe McAleese e dinin se kush ishte shënjestra.

Para se t'u thuhej të tjerëve, njëri prej grupeve u tërhoq dhe u lejua të shkonte në shtëpi. Ai e shiti historinë e tij në gazeta, por nuk dha emrat ose detajet e operacionit.

Ndërsa sulmi po afrohej, ekipi u zhvendos në xhungël, në mënyrë që të mund të praktikoheshin me armë dhe bomba pa u dëgjuar.

Plani i sulmit përfshinte dy helikopterë që do të fluturonin mbi fermën e Escobar-it, ndërsa mercenarët pritej ta sillnin kokën e tij si trofe.

Kur morën vesh nga një informator që Escobar ishte në fermën e tij, ata u nisën menjëherë. Por sulmi nuk do të ndodhte kurrë.

Helikopteri me të cilin udhëtonte McAleese dhe Tomkins u rrëzua ndërsa fluturonte ulët përmes reve mbi Ande. Piloti vdiq.

Premtime Zotit

Të tjerët mbijetuan, por McAleese ishte shumë i dëmtuar dhe nuk lëvizte dot. Ai qëndroi shtrirë për tre ditë me dhimbje torturuese derisa shkuan dhe e morën.

Escobar dëgjoi për planin e sulmit dhe i dërgoi njerëzit e tij në mal për t'i gjetur vrasësit.

"Nëse Pablo do të më kishte kapur, unë do të kisha pasur një vdekje të dhimbshme e të ngadaltë", thotë McAleese.

Ai shpëtoi dhe u përpoq të mbante premtimet që i kishte dhënë Zotit ndërsa ishte shtrirë në mes të pyllit pas rrëzimit të helikopterit.

McAleese pranon se ishte një njeri i keq dhe e kuptoi që duhej të ndryshonte.

Por ai nuk pendohet për veprimet e tij në zonat e luftës. Më shumë pendohet për dështimin si bashkëshort dhe si baba.

"Kam shumë keqardhje dhe asnjë prej tyre nuk është më me mua", thotë ai.

Në moshën 78-vjeçare, ai thotë se më në fund ka gjetur paqen.

Ndërkohë, Pablo Escobar u qëllua për vdekje në 1993 ndërsa arratisej nga autoritetet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.