Relaksohen marrëdhëniet tregtare SHBA-BE

Postuar në 05 Mars, 2021 22:40

Administrata Biden ndryshon qasjen në raport me Bashkimin Europian. Presidenti Joe Biden është i vendosur të rikthejë partneritetin SHBA-BE dhe ka rënë dakord të pezullojë tarifat që erdhën si pasojë e mosmarrëveshjes Boeing-Airbus dhe të punojë për ta zgjidhur çështjen me Organizatën Botërore të Tregtisë.

Lajmin e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, pas thirrjes telefonike midis presidentit amerikan dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

"Si simbol i këtij fillimi të ri, Presidenti Biden dhe unë ramë dakord të pezullojmë të gjitha tarifat tona të vendosura në kontekstin e mosmarrëveshjeve Airbus-Boeing, si për avionët, edhe për produktet jo-ajrore, për një periudhë fillestare prej 4 muajsh", tha Von der Leyen në një deklaratë.

BE vendosi tarifa mbi eksportet e SHBA me vlerë 4 miliardë dollarë nëntorin e kaluar, vetëm disa ditë pasi u zgjodh Biden. Evropa tha se do të ushtronte të drejtat e saj për të zbatuar këto masa kompensuese për subvencionet e marra nga Boeing, siç ka autorizuar Organizata Botërore e Tregtisë.

BE dhe SHBA tani do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje mbi një kornizë të re subvencionesh.

"Ky është një hap i rëndësishëm përpara" në marrëdhëniet me SH.B.A., "partneri ynë më i madh dhe ekonomikisht më i rëndësishëm", citon Euractiv nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit, Valdis Dombrovskis, i cili është përgjegjës për Tregtinë.

"Heqja e këtyre tarifave është një fitore për të dy palët, në një kohë kur pandemia po dëmton punëtorët tanë dhe ekonomitë tona", shtoi ai.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.