Serbia hedh në gjyq NATO-n për pretendimet mbi uraniumin e varfëruar

Postuar në 21 Janar, 2021 12:07

Serbia ka formalizuar në një padi akuzat e ngritura prej kohësh lidhur me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999. Padia e parë e Serbisë kundër NATO-s mbi dëmet që pretendon ka shkaktuar uraniumi i varfëruar gjatë bombardimeve të NATO-s u paraqit në Gjykatën e Lartë në Beograd.

Padia është ngritur nga një zyrë avokatie në Nish, në bashkëpunim me një avokat italian, i cili ka provuar se 70 ushtarë italianë u prekën nga kanceri, që sipas pretendimit të palës serbe ka ardhur për shkak të ekspozimit ndaj uraniumit të varfëruar gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.

Referuar padisë, Serbia pretendon se më shumë se 300 ushtarë italianë mund të kenë vdekur gjatë 15 viteve të fundit nga ekspozimi pa mbrojtje ndaj uraniumit të varfëruar gjatë misioneve në Bosnjë, Kosovë, Afganistan dhe Irak.

Sipas mediave serbe, kostot e tarifave gjyqësore do të paguhen nga zyra e avokatisë në Nish. Në Serbi janë deri tani rreth 2 300 kërkesa nga qytetarë që duan të padisin NATO-n.

"5 tonë uranium të varfëruar u hodhën në Serbi, më saktësisht në Kosovë dhe Metohi dhe në jug të Serbisë. Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjakovë u prekën më së shumti", tha avokati Srdjan Aleksic, duke shtuar se padia përfshin prova nga SHBA dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë mbi efektet e uraniumit të varfëruar.

Pretendimet për pasoja shëndetësore nga uraniumi i varfëruar kanë qarkulluar në prej vitesh në Serbi. Ekspertë të ndryshëm e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë. Në Serbi janë kryer disa ekspedita ndërkombëtare në lidhje me këto pretendime, por nuk janë gjetur prova që i mbështesin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.