Votat drejt Vetëvendosjes nuk i çon flamuri, por hajnia dhe rrugaçëria që qeveris ndër shqiptarë

Postuar në 26 Dhjetor, 2020 01:28

Në media të ndryshme shqiptare po parashikohet fitorja e mundshme e Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Nuk dihet se ku bazohen këto parashikime, por e sigurtë është se klasa politike tradicionale është e shqetësuar thellësisht për një ngjarje të tillë të cilën për faktin se po e paralajmëron, do të thotë se nuk e bllokon dot më.

Ardhja në pushtet e Albin Kurtit, më saktë Vetëvendosjes, po shihet me alarmizëm. Ne ende nuk kemi dëgjuar vendimmarrësit për këtë gjë, por për ta po flasin zëdhënësit e drekave dhe darkave ku diskutohen “pllanet e mëdha strategjike”, të cilët po flasin për një apokalips në botën shqiptare.

Për rrezikun e një nacionalizmi folklorik që kërcënon madje ekzistencën e Kosovës, e cila po sipas këtyre baballarëve të kombit me pantallonat pa rrip, do të bashkohet me Shqipërinë nëse ruan aleancën me Perëndimin. Aleancë të cilë patjetër që e kanë monopol ata që drejtojnë aktualisht në Tiranë dhe Prishtinë. 

Janë të gjitha insinuata që shndërrohen në teza sulmi ndaj një formacioni politik që nuk ka fshehur as bindjet e majta, as lidhet me politike me elementë islamikë dhe as ka fshehur prononcimet për SHBA dhe bashkimin kombëtar.

A mund të jesh dakord me Vetëvendosjen dhe Kurtin për të gjitha këto? Sigurisht që jo. A përfaqëson ai një rrezik në kuptimin nacionalist, aq sa të shndërrojë premtimet në realitet? Sipas të gjitha gjasave: JO. Narrativa e  Kurtit është një eksponat i vjetër i tezave të Rilindjes Kombëtare, artikuluar në një mënyrë disi më të re dhe jashtë kompromentimit që u bën atyre qenia në politikë dhe vendimmarrje për një kohë të gjatë. Kurti ka një karrierë disi origjinale; ai vjen nga radhët e UÇK-së, ka kultivuar profilin e një idealisti, të një njeriu që lufton për mendimet e veta, që di t’i mbrojë ato dhe që ka vendosmëri.

Kurti ka me vete një pjesë të rinisë, jo dhe aq për ato që thotë sesa si model ndryshe në politikë. Në këtë kuadër, fitorja e tij në Kosovë, nëse ndodh, është një proces logjik dhe i pritshëm dhe jo një aksident. Por një fitore e tillë nuk ka ndonjë premisë mbi nacionalizmin, por mbi alternativën sociale dhe ekonomike që elaboron një besim të shoqërisë, më shumë sesa ndonjë program specifik. Ndaj kush stigmatizon Vetëvendosjen se përfaqëson një nacionalizëm folklorik në të vërtetë synon të dredhojë diskutimin aty ku mund të bëhet diversion. Pa folur pastaj pwr deklarime banale tw tipit: Nuk e njihni Ju, Albini nuk wshtw ai qw duket.

Le të marrim një çështje si ajo e tarifave: Kurti foli për reciprocitet dhe nëse ata që sot e akuzojnë për sabotim të shtetësisë, do të duhet të pranonin se reciprociteti në fakt e afirmon shtetësinë, në vend se e minon atë. Nuk dimw nwse njw gjw e tillw e klasifikon atw te nacionalistwt folklorikw.

Debati për motivet e Albin Kurtit dhe karakterin e tij që sot po e nxjerrin në pah ata që i shërbejnë pushtetit duke u vetësugjestionuar se kanë fatet e shqiptarisë në dorë, në të vërtetë nuk ka edhe aq vlerë. Pasi një votë për të nuk është një përbetim shekullor, por një shpresë për të diversifikuar mundësitë tona si shoqëri. U pëlqen apo nuk u pëlqen kjo disave, që dje kanë qenë çirakë edhe të politikanëve si Ilir Meta p.sh, kurse sot vërdallosen me tespijet e destinit të mëmëdhëeut në dorë.

Dhe nëse ky debat mëton t’u hapë sytë shqiptarëve të ruhen nga maskarai i radhës me emrin Albin, atëherë do të duhet të themi: falemnderit! Dhe do të besojmë atë që thoshte dje një ndër eminencat e sorollatjeve nëpër studio sipas të cilit Albini është pa karakter dhe frikacak. Aq më mirë për ne atëherë: nuk kemi pse të druhemi nga një i tillë që i ngjan kaq shumë atyre politikanëve që i kemi edhe në Tiranë e që përveç llogjeve me flamur, nuk kanë bërë gjë tjetër.

Por në fund të fundit do të duhet edhe të pranohet se jetojmë në demokraci. Ku votohet. Thaçi, Edi Rama e të tjerë janë votuar boll gjatë nga shqiptarët që e panë dhe provuan se çfarë mund të bëjnë këta. Pa rrezikuar të biem në ndonjë blasfemi, ne kemi të drejtën t’i besojmë intuitës që na thotë se projekti më i suksesshëm i këtyre të dyve dhe ca të tjerëve si puna e tyre ka qenë pasurimi. Në mos i tyre, sepse mundet të jenë shegertë naivë të qeverisjes, të enturazhit të tyre të cilët i njeh mirë mëhalla shqiptare.

Ndaj të jemi të sinqertë: një votë për Albin Kurtin, nuk është për flamurin, por një votë kundër Hajnisë dhe rrugaçërisë që qeveris anekënd shqiptarisë. Gjithënjë me shpresë, jo me verbëri.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.