Politikan Jo. Personazh pa rol, diçka mes Dullë Baxhasë, Peliçelit, Komisarit Memo dhe Lisimak Vocit

Postuar në 06 Nëntor, 2020 21:30
Shaptilografisti

 

Një nga fatkeqësitë e rënies së institucioneve të regjimit të Enver Hoxhës, është edhe se me ikjen e tyre humbi një shans që talenti i kujtdo të gjente një mundësi për t’u shprehur. Është kjo ndoshta një nga arsyet pse tranzicioni shqiptar është edhe një histori aksidentesh. Në jetë, në karrierë, në shoqëri.

Një nga aksidentet më interesante mbetet Erion Veliaj, aktualisht Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Zotit Veliaj ka ndërtuar një profil publik për të cilin investohet shumë, harxhon shumë energji. Ndoshta ai beson se puna dhe vullneti korrigjojnë dhe kompensojnë çdo gjë, por ndoshta harron, ose nuk e di se perceptimi publik nuk i përgjigjet proporcionalisht kësaj filozofie. Sepse në ndërtimin e një perceptimi ka dy palë dhe pala receptuese që krijon mandej faturën, fut në ekuacionin e vet të profilizimit edhe element efemerë si mentaliteti, qasja ndaj problemeve, humori etj..

Zoti Veliaj ecën me parime të thjeshta por që nuk i japin rezultat pikërisht sepse ai mesa duket synon perfeksionin përkundrejt origjinalitetit. Ndaj edhe është kaq teatral dhe stonon me normalitetin e gjërave. Këtu ai paguan edhe koston e të qenit një njeri pa ide të vetat, por që me një vesh hapur nga ajo që ndodh në botë përpiqet të imitojë dhe vërë në zbatim atë që është modë. Kinostudio do ta kishte kooptuar këtë personazh që qëndron diku mes Dullë Baxhasë, Komisarit Memo, Bartolomeo Peliçelit dhe Lisimak Vocit.

Nëse z. Veliaj sheh se moda e debatit shkon nga tallja, ai me vrap e nderon veten duke marrë rolin që mendon se i shkon. P.sh tema “Monika dhe Luli” që ka për autor gaztorin e Ballkanit, Edi Ramën, e ka ngazëllyer kryebashkiakun që mendon se duhet ta japë një “gjujtje” të vetën këtu. Dhe sot ai ka deklaruar ndër të tjera se:

Lulit e Monës do i gjejmë një punë, meqë ambicja e tyre është ende te bashkia, te punët e komunales. Do i marrim si Robert Çamçakizi, si inspektorë komunalë, të vijnë vërdallë nëpër kantiere, për sa kohë që na e bënë të qartë se fiksimi i tyre është të punojnë në bashki e të mbikëqyrin punimet. Kurse qëllimi i Edi Ramës dhe PS-së është të transformojë Shqipërinë nga cepi në cep

Kjo e Ramës në fund të kujton Peliçelin në frazën “Ti Kapo je hero”.

Pastaj:

Ne do të vazhdojmë përpara kudo me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. E keni parë që pasi iu sulën shkollave, tani iu sulen shtëpive, rrinë tërë ditën tek “5 Maji”, ku kanë filluar themelet e shtëpive të reja. Rrinë tërë ditën aty dhe mundohen të injektojnë frikë, përçarje, dyshim, shpifje

Komisari Memo ky.

Teksa ne japim përditë nga një shtëpi, përditë fillojmë një punë të re, dy familjet më të pasura të Shqipërisë, familja e Monës dhe familja e Lulit, nuk strehuan një njeri, nuk dhanë një palë çelësa. Kanë bërë para pa fund, kanë shtuar vila pa fund. Kur ishim në Farkë, takuam kryetarin e PD-së, i cili na tha: Do të bëhem me ju se më bëtë shtëpinë, do bëhem më ju se u interesuat kur ra tërmeti

Dullë Baxhaja që mban shënim, të gjitha këto me pamjen dhe rendjen për të bërë çdo punë si Lisimaku.

Zoti Veliaj është kryebashkiak edhe i Lulit dhe Monës dhe tallja e tyre në këtë mënyrë është pak e përshtatshme, sidomos për standardin e ri që duhet të sjellë një njeri i moshës së tij. Mundet që seriozitetin e qëllimeve ta kompromentojë edhe mimika, ky është rasti i z. Veliaj. Por ai e varros fare mundësinë e të qenit së paku një kryetar bashkie i respektueshëm me rolin publik që merr. Pa folur pastaj se të diskutosh për pasurinë e dikujt duhet të kesh kujdes mos ke shkelur në ndonjë dërrasë të kalbur. Nuk ka mendje shqiptari që të pranojë se në qindra leje ndërtimi kullash dhe pallatesh që janë dhënë, procesi ka qenë i kulluar dhe zoti Veliaj ka fjetur gjumë. Do të ishte kundërproduktive për natyrën e tij, por edhe patologjinë e vetme që e ka të shpallur e që është se “i hanë duart”...për punë kuptohet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.