Qeveria propozon projektligj për regjistrin qendror të llogarive bankare

Postuar në 10 Tetor, 2020 00:27

Qeveria ka depozituar sot një draftligj për konsultim publik përmes të cilit parashikohet krijimi i Regjistrit Unik Bankar – titullimi zyrtar “Për regjistrin qendror të llogarive bankare”.

Në relacionin përkatës thuhet se drafti në fjalë vjen si nevojë për zbatimin e “kërkesave të lidhura me rekomandimet e Grupit të Posaçëm të Veprimit Financiar (FATF) për “Standardet Ndërkombëtare për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, por edhe si rezultat i analizës së bërë se një çështje e tillë nuk mund të rregullohet në kushtet e tanishme të legjislacionit vendas me akte nënligjore, apo amendime.

Në qëllimin që i mvishet projektligjit formalisht ai thuhet se udhëhiqet nga nevoja për “përcaktimin e funksioneve të regjistrit të llogarive bankare, mënyrën e raportimit dhe shfrytëzimit të të dhënave të llogarive bankare, si dhe aksesin dhe shfrytëzimin e këtij regjistri me qëllim identifikimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtari veprimtarive kriminale, nëpërmjet transaksioneve bankare. Regjistri do të përdoret pikërisht si një mjet për zbulimin, identifikimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale, ndjekjen penale të autorëve të veprave penale, zbulimin, gjurmimin ose identifikimin e pasurive të dyshuara me origjinë nga veprimtari kriminale si edhe detyrimeve tatimore”.

Duket se diapazoni i veprimit nuk është edhe aq i gjerë, por kompleksiteti është shumë i madh pasi niset nga nevoja për gjurmim të pasurive të krimit dhe përfundon te detyrimet tatimore. Drafti nuk prek vetëm llogaritë bankare, por edhe kasetat e sigurisë, duke vendosur hallka në kontrollin e lëvizjeve bankare. Nga jashtë duket se drafti është shumë serioz, por nëse sheh sesa e mekur është lufta kundër pastrimit të parave në vend, kuptohet si ai është asgjë më tepër sesa një shtesë në kërkesat nga jashtë. Dhe në argumentimin e draftit kjo thuhet hapur:

Neni 32a i Direktivës 2015/849/BE “Kundër Pastrimit të Parave” kërkon që Shtetet Anëtare të ngrenë deri më 10 Shtator 2020 regjistrat qendror të llogarive bankare për identifikimin e çdo personi fizik apo juridik, që mban apo kontrollon llogari pagesash, llogari bankare apo kasetat e sigurisë në territoret e tyre

thuhet ndër të tjera në relacion ku vihet në dukje se mungesa e një regjistri të llogarive bankare krijon vështirësi efektive në zbatimin e dispozitave të ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008, “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Parave”, diçka teorike kjo. Nga ana tjetër drafti saktëson fushën e veprimit, detyrimet dhe përgjegjësitë. Regjistri do të krijohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe do të administrohet nga Drejtoria e Tatimeve.

Ky ligj zbatohet nga të gjitha institucionet financiare të cilat veprojnë në Republikën e Shqipërisë dhe që ofrojnë shërbimet e llogarive bankare ose kasetave të sigurisë për klientët e tyre

thuhet në nenin 3.

Ai konsiston teknikisht në një sistem qendror elektronik për mbajtjen e llogarive bankare dhe kasetave të sigurisë sipas raportimit të bërë nga institucionet financiare. Neni 5 rregullon përdorimin dhe aksesin në regjistër që nuk do të jetë I hapur për publikun e gjerë.

Aksesi në Regjistër është i disponueshëm vetëm për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shërbimin Informativ Shtetëror…Kanë askes të drejtpërdrejtë, në kohë reale dhe pa filtra në të dhënat e regjistrit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ Shtetëror

thuhet në draft.

Po kështu ligji e përjashton regjistrin nga zbatimi i legjislacionit për të drejtën e informimit, duke i dhënë kështu dy agjenciave të ekzekutivit, DPT dhe SHISH të drejta ekskluzive dhe të pakufizuara në të dhënat e mijëra individëve. Të dhëna të cilat po me këtë ligj klasififikohen sekret bankar.

E drejta për aksesin kushtëzohet me nevojat e dy institucioneve për të ndjekur disa veprimtari si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit apo veprave të rënda penale si dhe për të kryer funksione mbikëqyrëse.

Është e paqartë sesi do të harmonizohet zbatimi i këtij projekligji me atë për Amnistinë Fiskale, jo në nivel juridik thjesht, por edhe në aspektin e vëllimit të punës. Ne e dimë shumë mirë nivelin e stafeve të cilave z. Rama u ngarkon detyra të tilla, apo edhe të sistemeve që vihen në veprim. Të mos harrojmë se DPT-ja është ai institucion të cilit iu aksesua serveri, ndërkohë që SHISH është një nga institucionet më të pabesueshme në vend dhe të dhënat e të cilit dolën para disa kohësh në media. Të flasësh për sekretin në Shqipëri duket njësoj sikur të pretendosh të fshehësh hënën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.