Akuzë publike për 100 vrasje, tri ditë para takimit të Uashingtonit

Postuar në 24 Qershor, 2020 16:24

Akuzë për rreth 100 vrasje për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, njëri Presidenti i Republikës së Kosovës dhe tjetri, kryetar i Partisë Demokratike të saj. Materiali është përgatitur nga Zyra e Prokurorit Special dhe të dy të akuzuarit duhet të mbrohen para Gjykatës Speciale në Hagë.

Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë.

Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës

thuhet në njoftim.

Kjo është një goditje e dyfishtë, për Thaçin, por edhe për procesin e dialogut me Serbinë në pozita të dobësuara të Kosovës. Publikimi i njoftimit vjen pak ditë para se Thaçi të jetë në Uashington ku do të diskutojë me presidentin serb Vuçiç, por tanimë në një pozitë të rënduar politike dhe juridike. Nuk është e qartë nëse ky akt i Gjykatës lidhet me këtë proces, por ai e ndikon atë padyshim. Sikundër nuk është e qartë se kush dhe çfraë do të përfitohet nëse do të përfitohet nga kjo pozitë e Thaçit që në një farë mënyre ka humbur legjitimitetin si përfaqësues i përshtatshëm i Kosovës në këtë proces.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.