Drejtësi e reformuar?! Ekspertizë e huaj edhe për një çështje mandati...

Postuar në 05 Maj, 2020 18:34

Sot raportohet se është mbledhur online Këshilli i Lartë Gjyqësor që ka për detyrë të shqyrtojë mandatin e Ardian Dvoranit si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe si anëtar i Gjykatës së Lartë.  Seanca është mbledhur pas një letre të Presidentit të Republikës që ka vënë në dukje se Dvorani nuk mund të vazhdojë asnjë prej detyrat e tij. 

Para disa ditësh Dvoranit iu pranua kërkesa për shtyrje të afatit të paraqitjes së argumenteve ligjorë, të cilat nuk dihet kur do t’i japë. Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami pohoi se shpjegimet e Dvoranit, ky institucion i ka marrë në dispozicion. Deri këtu nuk ka ndonjë lajm. Lajmi fillon me vendimin e KLGj-së për të pritur mendimin e partnerëve të huaj për këtë çështje. 

Për mandatet Shqipëria ka përvojën e vet dhe diskutimit kushtetues dhe ligjor nuk i mungojnë rastet dhe precedentët. Mirëpo në rastin e parë që asaj që quhet Drejtësia e Re i kërkohet një vendim për këtë çështje ajo e adreson te partnerët e huaj.  Vallë nuk ka kapacitete KLGj për të shqyrtuar dhe vendosur për këtë çështje? Nuk e dimë, por nëse nuk i ka, ky do të ishte fundi.  Nëse i ka dhe delegon shqyrtimin jashtë, atëhere ose është një organ i kapur politikisht, ose i njëanshëm, ose nuk ka cilësinë e të qenit i pavarur dhe heq bythën mënjanë për ta shitur fatin e Dvoranit në derë të botës. Për mirë dhe për keq. 

A mund të quhet drejtësi një gjë e tillë? Kërkesa për interpretim të specializuar mund të kërkohet për çështje të caktuara, për të cilat vendi ynë nuk ka ekspertë, ose ka ekspertizë të kufizuar. Po jo për çështje të mandatit. Kemi parë gjatë këtyre viteve njerëz që mbajnë titullin profesor, që rreshtojnë specializimet e tyre në lëmë të jurisprudencës, por tani këta nuk duken gjëkundi. Këta vetingarë nuk dinë se çfarë të bëjnë me një letër për një mandat. Dhe ne na thonë se drejtësia e re do të bëjë tërmet. Ky është tërmeti? 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.