Komisioni për shkarkimin e Metës: Presidenti nuk parashikoi pandeminë, provë e re rënduese

Postuar në 16 Prill, 2020 21:45

Komisioni Parlamentar për shkarkimin e presidentit të Republikës ka pranuar sot disa prova të reja që rëndojnë pozitën e kreut të shtetit. 

Në një letër - denoncim, deputetë të Partisë Socialiste përfshirë ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, kërkojnë të merret parasysh në cilësinë e provës dhe përgjegjësisë sjellja e presidentit para dhe gjatë pandemisë. Sipas tyre pozita e Ilir Metës rëndohet shumë për shkak se ai nuk njoftoi institucionet për afrimin e koronavirusit. 

Është fakt i njohur publikisht se presidenti aktual i Republikës gëzon dhunti të shprehura parashikuese që u konfirmuan me tërmetin e 26 nëntorit 2019. Nga konsultimi ynë rezulton se aftësitë parashikuese nuk hyjnë në kategorinë e anomalive psikike, psikologjike apo neurologjike, por janë cilësi të shprehura të indvidëve të ndryshëm në raport me ngjarje madhore. 

Në këtë kuptim presidenti Meta shpalosi se i zotëron këto cilësi me rastin e tërmetit të rëndë të 26 nëntorit. Në biseda informale me njerëz të LSI-së raportohet se z. Meta që nga ajo kohë ka rrëfyer ëndrra të çuditshme që ka parë e që në një mënyrë apo tjetër asociohen me pandeminë. 
Në njërën prej tyre ai tregon se vreshtat e tij në Çepan u sulmuan nga një re mizash që drejtoheshin nga njerëz të veshur me dok. 
Në një tjetër z. Meta ka parë qenin e shtëpisë në fshat që nuk mbushej me frymë nga vapa dhe se ishte frymëmarrja gojë më gojë që e shpëtoi.

Po presidenti i ka privuar institucionet vendimmarrëse nga njoftimi i këtyre shenjave kuptimplota dhe që do të ndihmonin në shpejtimin e marrjes së masave parandaluese. 

Në këtë kuptim ne kërkojmë që ky mosveprim të konsiderohet si provë fajësie e presidentit që e ka funksion kushtetues sigurinë publike

shkruhet në letër. 

Letra është administruar dhe do të merret në shqyrtim së shpejti me dyer të mbyllura. Presidenti do të thirret për t’u dëgjuar për këtë çështje duke zbardhur kështu një aspekt bizar të funksionimit të politikës dhe shtetit.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.