Në Shqipëri një klloun bllofoi si mbret. Britania nderoi me titull një gjeneral që as nuk ekzistonte

Postuar në 16 Shkurt, 2020 14:50

Shumëkush mund ta ketë lexuar historinë e Otto Witte, një klloun gjerman që më 1913 u shpall mbret për dy ditë dhe mandej iku para se të zbulohej identiteti i vërtetë i tij. Një histori e ngjashme ka ndodhur pak më vonë edhe me Britaninë e Madhe, ndonëse perandoria sigurisht nuk ngatërroi monarkun e vet, por fliste në rrugë zyrtare për një person që nuk ekzistonte. Incidenti zë fill me Luftën Civile ruse, që nisi pas vitit 1917, pra Revolucionit Bolshevik. Perëndimi, me në krye Britaninë e Madhe shpalli mbështetjen për të Bardhët, ose forcat monarkiste me synim paralizimin e Rusisë në një luftë të gjatë civile dhe defaktorizimin e saj si rival gjeopolitik.

Britania premtoi ndihma të mëdha, por në fakt nuk u dëshmua kaq konkrete në fjalën e vet, ndonëse në vitin 1918 mbështeti luftimet e të Bardhëve, admiralit Kollçak, gjeneralëve Vrangel dhe Denikin. Mirëpo Londra zyrtare mbështeste edhe Gjeneralin Kharkoff. I vetmi problem është se ky gjeneral nuk ekzistonte.

Ushtritë e të bardhëve u krijuan me ndihmën e Aleatëve për të luftuar gjermanët. Do të ishte krejt pa vlerë për çdo komb të madh që t’u thotë atyre pasi ata u kanë shërbyer synimeve të Aleatëve dhe pasi ata kanë marrë të gjitha rreziqet përsipër: Falemnderit, ne ju detyrohemi shumë. I keni shërbyer qëllimit tonë. Nuk kemi më neovjë për Ju. Tani bolshevikët le t’iu therin…Qeveria britanike duhet të mbështesë gjeneralin Denikin, admiralin Kollçak dhe gjeneralin Kharkoff

u shpreh më 16 prill 1919 kryeministri britanik, David Lloyd George.

Ai theksoi madje cilësitë heroike të gjeneralit Kharkoff. Por ky gjeneral thjesht nuk ekzistonte. Historiani rus Boris Egorov shkruan se

Politikani britanik kishte ngatërruar një person me emrin e një qyteti në Ukrainë…Por ai mund të ketë patur në mendje edhe liderin e kozakëve të Donit, atamanin Pyotr Krasnov që gjithësesi ishte rreshtuar me gjermanët dhe nuk kishte marrë mbështetje nga Aleatët

Karamelen e Lloyd George duket se e hëngri mbarë Europa. Egorov shkruan se “gjenerali Kharkoff u bë shumë popullor në Europë” dhe se “gazetat franceze dhe britanike shprehnin admirim të plotë për të”. Një këngë u shkrua për nder të tij dhe emri i tij iu vendos një kafeneje, një seti pajisjesh rrojeje, një birre, një kafeje, manshetave të meshkujve dhe kapeleve të femrave.

Kaq nuk mjaftonte. Fantazma Kharkoff u nderua nga mbreti britanik, George V me titull nderi, motivacioni i të cilit ishte: Për merita në luftën kundër Bolshevizmit, djallit të botës.

Ky karakter u bë madje një anëtar nderi i Urdhërit të Shën Mikailit dhe Shën Xhorxhit. Atij madje i duhej drejtuar me Sir. Komedia e të gjithë këtij salltaneti arriti kulmin kur një delegacion britanik mbërriti më 31 gusht 1919 në shtabin e komandantit të Forcave Ushtarake të Rusisë Jugore, Anton Denikin për të dorëzuar të gjithë titujt gjeneralit Kharkoff.

Pasi u shpjegua se Kharkoff ishte një qytet ata vendosën të kërkonin për heroin e tyre aty. Pasi arritën në Kharkoff që së fundmi ishte kapur nga sovjetikët, britanikët u bindën se gjenerali nuk ekzistonte. Megjithatë ata vendosën t’ia prezantonin titullin gjeneralit Vladimir May-Mayevsky, komandant i Ushtrisë Vullnetare që në atë kohë ishte në marshim drejt Moskës, përpjekja e fundit kjo e të Bardhëve për të mundur bolshevikët

shkruan Egorov.

Një tallje pra me veten në përmasa të paprecedenta deri te maja e monarksië. Çfarë mund të themi me Otto Witten, dalldia e të cilit zgjati vetëm dy ditë në një Shqipëri ku nuk e merrte vesh qeni të Zonë? Sigurisht mund të ndjehemi komodë se së paku Otto Witte ishte njeri real, me talentin e aktorit, kurse gjenerali Kharkoff ishte një shkarje goje e kryeministrit britanik që lëshoi në fjalimin e vet një emër që tingëllon rus dhe kështu lajthitja mori dhenë. Një lloj romani real.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.