Ndërron jetë aktori Xhevdet Ferri

Postuar në 16 Janar, 2020 19:55

Ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare aktori i mirënjohur shqiptar Xhevdet Ferri, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë.
Ferri lindi në Durrës, më 26 nëntor 1960, ishte bashkëshort i  Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma si “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit” etj., dhe një artist shumë i dashur për publikuan dhe mjaft i vlerësuar nga kritika.

Në vitin 1982 u diplomua në Akademinë e Arteve në degën e dramës dhe më pas vazhdoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në këtë akademi. Ka interpretuar një numër të madh rolesh në kinematografi e teatër, më së shumti në rolin e protagonistit.

Për herë të parë shfaqet në ekran në vitin 1980 “Sketerrë ’43” si Arjani dhe po atë vit në “Vëllezër dhe shokë” ku spikati me rolin e Markos.
Role te tjera të tij përmenden Pali në “Besa e kuqe” (1982); Sandri në “Vendimi” (1984); Trimi në “Përrallë nga e kaluara” (1987); Martini në “Treni niset në 7 pa pesë” (1988); Gjon Kadri në “Vitet e pritjes” (1990); Sako “Dasma e Sakos” (1998). Tituj e tij të fundit janë “Delegacioni”, 2018; “Në kërkim të kujt”, 2009 etj..

Ferri bën pjesë ndër aktorët e spikatur të brezit të tij me karakteristika të dallueshme për role personazhesh reflektivë që rroknin ndryshimin e shoqërisë shqiptare në fillim të viteve ’80. Duke lënë pas atmosferën e një optimizmi propagandistik të viteve ’70, prezent në shumë filma, Ferri shfaqet me një profil të ri, krahas aktorëve të tjerë të rinj, duke mishëruar në kinema problematikat e një brezi. 
Është padyshim një pikë referimi për brezin e viteve ’80 dhe lë pas një emër të mirë. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.