Sugjerimi i profesorit: Ta shkruajmë historinë me frymë kompromisi

Postuar në 09 Tetor, 2019 13:02

Historiani Paskal Milo shkruan sot në një opinion të publikuar nga gazeta “Panorama” për rishkrimin e historisë dhe rolin e Akademisë së Shkencave në të.

Në një prej paragrafëve të vet, z. Milo thotë:

Nga historia jonë kombëtare na vjen mësimi se shqiptarët kanë nevojë për të kultivuar më shumë tolerancë si komb. Toleranca është kulturë, emancipim, vlerë demokratike dhe europiane. Me tolerancë duhet rivlerësuar e rishkruar edhe historia, por pa prekur në emër të saj vlerat themelore të historisë kombëtare.

Ka shumë rëndësi që në momente të caktuara, kur për shkak të cenimit të vlerave historike që prekin identitetin kombëtar apo ndjeshmëri që prishin ekuilibra socialë, institucionet shtetërore me kujdes duhet të ndërhyjnë, por duke respektuar autonominë shkencore. Por që të bëhet kjo, shqiptarëve u duhen edhe udhëheqës të kënduar, që të njohin në radhë të parë historinë kombëtare

Ky pasazh që ngjan si predikim ekumenik zbardh referimet pedagogjike të z. Milo që e konsideron p.sh Tolerancën si vlerë europiane. Në fakt toleranca është e postuluar në rendin shoqëror dhe politik të Perëndimit si një ndër vlerat referuese, por kjo nuk i jep asaj një status historik të inçizuar në fibrën e shoqërive europiane.

Tolerana në Europë ka qenë mësim i elitave, pedagogji më shumë sesa prirje dhe historia e Mesjetës na e thotë këtë. Por na e thotë edhe historia e shekullit të 20-të, ku nga Europa e Iluminizmit origjinoi kasaphana më e paprecedentë në historinë botërore. Për një popull si shqiptarët, me histori të ndërlikuar, me prurje identitare nga të dyja krahët, Perëndim dhe Lindje, historia duhet zbardhur domosdoshmërisht për atë që ka qenë, dhe jo duke e aktuaizuar përmes manipulimit si opsion në zgjedhjet e sotme politike. 

Kur z. Milo na thotë si historian se Toleranca është një vlerë emancipuese, ai po thotë një të vërtetë. Por kur z. Milo na udhëzon politikisht se Toleranca është një vlerë europiane, ai pushon së qeni një historian i besueshëm. Pasi përmes këtij pohimi, ne shqiptarëve na thuhet se tolerancë është ose një vlerë origjinale brenda nesh, ose atë nisëm ta përtypim me Rilindjen Kombëtare. Mirëpo kjo nuk ka sesi të vetë e vërtetë. Perandoria Osmane, na pëlqen ne apo jo, ishte një arkitekturë politike globale që vepronte mbi premisa të tolerancës, pavarësisht se si çdo njësi shtetërore e madhe dhe serioze, aparatin represiv e kishte të mirëstrukturuar.

Nga kjo pikëpamje, sado paradoksale të duket, PO-ja, ndonëse një monarki absolute me natyrë fetare, në nivel lokal ndiqte parime pragamtike dhe toleruese ndaj etnive. Është shkruar se luftërat e sotme në Ballkan, apo në Lindjen e Mesme dhe të Afërt, në një mënyrë apo në një tjetër, janë reaksion ndaj ekuilibrit Osman, nën katalizimin e interesave perëndimore. Një ekuilibër që mirë apo keq konservoi traditat dhe kufijtë etnikë që u vunë nën presion shkatërrues.

Ku qëndron toleranca europiane në këtë rast? Të asbolutizosh një përvojë minimale si kjo e Europës të pas viteve ’50 të shekullit të 20-të për ta shndërruar atë në dogmë të besimit si historian, është të mohosh një të vërtetë më të thellë. Kjo qasje reflekton një ndarje në historiografinë shqiptare e cila që nga Rilindja Kombëtare e këtej ka parë të periudha Osmane kohën e zezë të kombit shqiptar. Mirëpo kjo ka qenë për nevoja politike dhe pak ka të bëjë me Historinë e vërtetë. Shqiptarët, por edhe popujt e tjerë të Ballkanit nuk ishin të përjashtua nga struktura e pushtetit Osman, ndaj të kalosh në negative një periudhë 500 vjeçare nuk të bën historian, por dhaskal rebel.

Lexoni sesi z. Milo apelon që Historia të shkruhet me Tolerancë. Vetëm e Vërteta nuk duket gjëkundi në këtë leksion të thukët. Me tolerancë e shkrujanë historinë politikanët, jo historianët, që nuk kanë ndonjë detyrim ndaj rendit politik të kohës, por ndaj së vërtetës. Sigurisht, që historiografia jep gjykime morale, qoftë në dritën e fakteve historike, qoftë nën kodin e vlerave sunduese të kohës, por kjo nuk ka sesi ta kthejë shkrimin e historisë në kompromis siç na sugjeron z. Milo. Raporti me të vërtetën nuk ndryshon, ajo që ndryshon është njohja e së vërtetës që përherë pasurohet me fakte dhe prova.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.