Kur kishte kritikë/Agresioni kinematografik i SHBA-së

Postuar në 03 Tetor, 2019 03:10

 

Agresioni kulturor që ka ndërmarrë sot Amerika nuk është diçka e re. Nëpërmjet filmit, letërsisë, muzikës dhe arteve të tjera kjo superfuqi ka synuar të vendosë hegjemoninë e saj që në vitet ’30 të këtij shekulli, duke kërkuar të bëhet objekt referimi dhe imitimi nga të gjithë popujt e botës e duke ngritur në kult forcën dhe superheroin amerikan, - parajsën – dhe mënyrën amerikane të jetesës.

Mithet amerikane të kinemasë, të disqeve dhe koncerteve Rrok kanë pushtuar jo vetëm kryeqytetet e vendeve të zhvilluara, por kanë depërtuar edhe në ekranet dhe në skenat e kombeve më të vegjël të Amerikës Latine, të pellgut të Indokinës, Europës Perëndimore e Lindore, Afrikës dhe vendeve të tjera. Përhapja e artit masiv standard, e kinematografisë standarde të tipit “Dinastia”, “Dallas”, “Kapitol” etj. me qindra seri, e fotoromaneve dhe “bestsellërve” aventurozë,  synon të krijojë tek shikuesi botëror një kulturë standarte, duke e shkëputur atë nga tradita dhe kultura e vet kombëtare.

Në këtë “ushqim” shquhen filmat e shantazhit atomik, ato të mithit të forcës amerikane të tipit modern “Rambo”, apo Xh. Bondit, të cilët nuk njohin ligje dhe fuqi kombesh; filmat e terrorizmit dhe huliganizmit, të pornografisë apo “hepiendit”, të “ëndrrës amerikane” etj. Kudo vihet në pah dhe estetizohet e shëmtuara si prirje e kënaqësisë estetike, sadizmi, lakuriqësia, ankthi, deziluzioni, horizontet e errta dhe pa perspektivë të shoqërisë bashkëkohore ku po vërshon antikultura, e cila shpreh krizën e vetë sistemit kapitalist botëror që e gjen frymëzimin e vet në teoritë e Markuzës, Adornos, Horkhajmerit. Kjo antikulturë që identifikon në shoqërinë e konsumit një tip aktori kinemaje, reviste, televizioni, muzike të përcaktuar, ky anti-art, ky spektakël kinematografik i degjenruar kërkon të gjejë dhe ka gjetur auditor të gjerë, veçanërisht tek rinia. Dihet se shumë krime që ndodhin nga adoleshentët dhe të rinjtë e vendeve të ndryshme e kanë burimin te shfaqjet kinematografike dhe televizive.

Megjithëse Amerika prodhon vetëm 5% të të gjithë prodhimit kinematografik botëror, ajo zotëron monopolin e filmit dhe 50 për qind të kohës së shfaqjeve kinematografike në ekranin botëror. Në shërbim të saj është vënë teknika më e fundit e shkencës dhe elektronikës, trukeve dhe efekteve speciale, stereofonike etj. Në tregun ndërkombëtar të videove në Montekarlo, supremacia amerikane është absolute. Filmat, pasi shfytëzohen në Amerikë, sillen në Europë me një çmim shumë të ulët dhe shpërndahen në qindra firma private. Rrjetat televizive amerikane ABC, NBC, HBO etj, nëpërmjet filmave dhe bashkëpunimeve i kanë shtrirë lidhjet e tyre në të gjithë botën, duke kontrolluar prodhimin vendas dhe atë ndërkombëtar, aq sa edhe kinematografia angleze, që ka tradita të vjetra, është kthyer sot në një satelit të kinematografisë amerikane. Në mbështetje të kësaj politike është vënë kapitali, paraja: producentët dhe manjatët miliarderë të artit, të cilët shpesh janë bosët e naftës apo industrive të tjera që kanë blerë studio e kanalet e TV, nuk ngurrojnë t’i japin 6 milionë dollarë një aktori për tri javë xhirim apo të harxhojnë 51 milionë dollarë për një film që hyjnizon Amerikën. Vetëm industria e kinemasë dhe televizionit në Kaliforni përbën një biznes prej 4 miliardësh në vit. Krahas kësaj, Amerika me politikën e vet thith edhe mjaft artistë të vendeve të ndryshme të botës, me mijëra aktorë, regjizorë, skenaristë dhe punonjës të tjerë të kinematografisë, të cilët në vend që të kriojojnë e kontribuojnë për vendet e tyre, punojnë për Amerikën dhe qëllimet e saj.

Vërshimi i kinematografisë më të rëndomtë dhe më reaksionare, kryesisht hollvudiane, ka krijuar një gjende krize jo vetëm financiare(për studiot vendase) por edhe të natyrës filozofike dhe artistike. Imitimet amerikane dhe drejtimet e ndryshme artisitike që lindin atje, janë bërë të modës. Llojet e filmit modern “uestern” qysh dy dhjetëvjeçarë më parë filluan të shfaqen dhe në kinematografinë italiane, gjermane e shumë më herë atë japoneze. Regjizori i njohur italian S. Leone, i frymëzuar nga kinematografia amerikane dhe vetë Amerika, tërë talentin dhe krijimtarinë e tij ia kushtoi Amerikës si “Na ishte njëherë Amerika” etj.

Amerika më tërheq pa masë, - deklaron Leone – gjashtë filma ia kam kushtuar asaj. Amerika është ajo siç e përshkruan Hollivudi, epopeja e uestit, luftërat, muzika, xhazi, aksionet e guximshme dhe tragjike të gangsterëve. Gjithçka e tyre ka lënë gjurmë në ekzietencën tonë, në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit”.

Kur Leone niste ciklin e tij kushtuar Amerikës(ku lloji i subjekteve, mënyra e xhirimit, loja e aktorëve ishte një imitim i huaj i konceptuar me frymën dhe formën amerikane), kineastët më në zë si Tavianët, Lizani, Petri, Rosi, Olmo, Kamençini etj, luftonin për në kinematografi kombëtare politike kundër shfrytëzimit, Mafias, drogës, njëkohësisht kundër agresionit të kulturës amerikane.

Është e vërtetë – shkruan V. Taviani, - se në Itali kriza e kinematografisë është ashpërsuar. Kinematografia italiane varet nga kapitali amerikan. Prodhimi i tyre komercial na serviret si avangardë, gjë që është e dëmshme për kinematografinë tonë, sepse paralizon kërkimet e vetë kineastëve për një kinematografi të vërtetë përparimtare. Teleprogramet rajonale orientohen drejt filmave amerikanë. Po të shtosh edhe filmat e këtij lloji nëpër ekrane,  kupton sesa e rrezikshme dhe e vështirë është të ruash kinematografinë tonë kombëtare”.

Në Spanjë gjendja e ekraneve dhe TV është akoma më kritike. Mbi 90 për qind e filmave të shfaqur janë prodhime amerikane. Zotërimi i studiove amerikane mbi sallat e kinemave është absolut. Një numër i madh filmash janë bashkëpunime të financuara dhe të kontrolluara nga amerikanët.

Një nga pikat kryesore të politikës amerikane ka qenë dhe mbetet Amerika Latine, ku u ngritën shpejt qendra të shumta televizive e stacione radiofonike për të përhapur gjithçka amerikane, në forma të drejtpërdrejta e të kamufluara. Agresioni kulturor amerikan në Brazil, Argjentinë, Bolivi, Kolumbi e vende të tjera të këtij kontinenti depërtonte në të gjitha format gjer në filmat vizatimorë të tipit “Diznej”. Kjo gjë ndodhte edhe në revistat e modës së kuzhinës. Pesë agjencitë më të mëdha publicitare në Kili kontrolloheshin nga agjencitë amerikane. Arti standard dhe kinematografia standarde dyndet ngado nëpërmjet televizionit, sallave të kinemasë, ngritjes së studiove të reja amerikane, bashkëpunimeve, shoqërive të përbashkëta kinematografike, financimit të tyre, të agjencive të distribucionit, reklamës etj. Në këtë gjendje të rëndë dhe kritike lëvizja kinematografike në vitet ’60 me “kinemanë e re” vuri si detyrë imediate në synimet e saj kthimin e artit drejt historisë dhe jetës së popullit, largimin nga imitimet amerikane, nga kinematografia komerciale dhe kultura kozmopolite, që kërcënonte zhdukjen e kulturave kombëtare. Ja pse regjisori brazilian G. Roça u mbështet në bardët e popullit dhe këngët popullore për të shprehur, siç thoshtë ai, shpirtin e popullit brazilian. Filmat e tij si “Zoti i zi dhe djalli i verdhë”, “Mosha e Tokës” etj. përfaqësonin kulturën e re dhe tradicionale, vetë frymën popullore.

Pikërisht në këtë kuftë kundër amerikanizimit të kinematografisë u rishfaq me forcë “realizmi social”, apo “realizmi magjik” që mbështetej në pasqyrimin e jetës dhe problemeve të masave të gjëra popullore. Filmat e R. Guerës, J. Sanjinës, J. Salanes etj. Janë filma thellësisht realistë, të vërtetë, që shpalosin problemet më të mëdha të kohës. Kjo kinematografi u drejtua kundër ndërhyrjeve amerikane, juntave ushtarake të mbështetura nga Cia, kundër borgjezisë së tokave. Kineastët kilianë(që shpesh bojkotoheshin nga Amerika që nuk ua shiste filmin si lëndë të parë) dolën me manifeste të qarta politike e revolucionare: “Të luftojmë kundër kulturës neokolonialiste që bëhet vetëm për kënaqësinë e borgjzisë dekadente dhe të mbrojmë e të përsosim kulturën tonë autentike e kombëtare revolucionare”.

“Kultura dhe tradita popullore – pohon regjisori M. Litin,- janë krijuar në luftë gjatë shekujve dhe mbështetja në to është mënyra për të refuzuar modelet e një kulture të huaj. Ne amerikano latinët ejmi bij të një nëne, sepse Amerika Latine ka të njëjtën histori. Popujt tanë janë copëtuar arbitrarisht nga interesat imperialiste. Ja pse simbolet dhe kulturat tona popullore janë aq të përafërta dhe në luftë me ato të huaja, imperialiste”.

E tërë kjo kinematografi përparimtare e këtij 20 vjeçari të fundit ëhstë angazhuar në një luftë të hapur për mbrojtjen e frymës kombëtare kundër kolonializimit nga kultura amerikane. Një kineast latino-amerikan shprehet:

Kinemaja jonë ka lindur si një nevojë për të materializuar mendimin tonë, pozicionet tona kundër imperializmit dhe oligarkisë nacionale, si dhe për të forcuar identitetin kombëtar të dëmtuar nga agresioni kulturor imperialist i SHBA-së

Megjithëse aktualisht në Brazil 60 për qind e filmave që shfaqen janë të prodhiomit amerikan, forcat përparimtare bëjnë një luftë të parreshtur duke propaganduar prodhimet më të mira të regjisroëve vendas nëpërmjet cikleve të ndryshme në televizon apo retrospektivave kinematografike. Janë formuar disa shoqata për mbrojtjen e kinematografisë dhe kulturës kombëtare nga invazioni imperialist amerikan dhe kjo nuk ndodh vetëm në Amerikën Latine apoa atë Qendreore, por në shumë vende të botës ku forcat më përparimtare kanë ngritur zërin e tyre në mbrojtje të kulturës kombëtare kundër standardizimit dhe himnizmimit të Amerikës.

Kjo ndodh në Europë, Afrikë, Japoni, kryesisht në Francë, Gjermani dhe Itali. Një simpozium i gjerë evropian mbi luftën kundër agresionit të kulturës  amerikane u mbajt kohët e fundit në edhe në Bruksel ku shprehimisht u tha se në Europë dyndet dhe importohet prodhimi më i keq amerikan, arti i parafabrikuar, i destinuar për fitim. Estetë, artistë të shquar, kritikë arti, kërkuan evidentimin e identitetit kulturor evropian, rivlerësimin e të gjithë trashëgimit të pasur artistik gjatë shekujve, gjetjen e rrugëve për të luftuar çdo prirje të amerikanizmit të kulturës, të letërsisë, kinematografisë, muzikës, arteve figurative etj. Në këtë kuadër janë domethënëse fjalët e regjisorit gjerman V. Vinders, i cili disa vjet punoi në Amerikë:

Unë asnjëherë nuk thashë se jam regjisor amerikan. Shpejt u ktheva në Euripë. Përse? Sepse në Amerikë më mungonin identiteti, lidhja me kulturën e vendit timdhe kjo do të thoshte për mua ankth, humbje. Identiteti për mua është armë e të qenit artist i vërtetë. Kjo do të thotë forcë, siguri, krenari, pra të jesh me këmbë në tokë...

Kinematografia përparimtare realiste franceze i është kundërvënë gjithnjë prirjeve amerikanizuese të kinematografisë amerikane, aq sa dhe preferencat e publikut francez për filmin amerikan janë më të pakta se në vendet e tjera. Po kështu, edhe regjisorët gjermano-perëndimorë si Shlindorf, Kluge, Trota, Hercog etj. Luftojnë për kinematografinë e pavarur nga çdo imitim artisitik amerikan apo varësi financiare nga filmat dhe studiot amerikane.

Në Itali gjithnjë e më shumë shprehet shqetësimi për krizën e kine3masë italiane dhe nevojën e daljes nga jo krizë. I shqetësuar për dyndjen e prodhimeve standarde amerikane, në një intervistë të fundit, regjisori F. Rozi u drejtohet gjithë kineastëve për ta ndrsyhhuar këtë gjendje, në mënyrë që rinia e sotme të shojë në ekran filmin italian. Të njëjtat pozicione ndaj agresionit amerikan të ekranit mbajnë regjisorët e tjerë, duke punuar në lëmin e filmit social politik. Nëse dhjetë vjet më parë në revistat kinematografike shprehej shqetësimi i dyndjes së filmave amerikanë, sot ky alarm është akoma më i madh. Por sot ai që kërkon një kinematografi realiste kombëtare, në radhë të parë është shikuesi i gjerë, vetë populli.

Kultura kombëtare – thotë shkrimtari i shquar turk J. Qemal,- është forca më e madhe përballë kolonializmit. Synimi i parë i kolonializmit është të mposhtë kulturën e një kombi”.

Me gjithë dyndjen masive të filmave amerikanë, me gjithë dëmin që po sjell veçanërisht në rininë botërore kinematografia standarde e “parajsës” dhe e “hepiendit”, e militarizmit, tmerreve dhe shantazhit atomik, nuk do të mund të mposhtë kinematogafitë kombëtare të popujve edhe nga të vegjëlit, se në thelbin e çdo kombi, bashkë me ekzistencën, është arti dhe kultura e tij, që nuk mund të zhduket, lufta e artistëve të tij, në veprat e të cilëve është fytyra e kombit.

Shënim: Ky është një shkrim me autor Luan Ramën dhe është publikuar në revistën “Skena dhe Ekrani”, numrin e parë të saj për vitin 1989. Kanë kaluar pra më shumë sesa 30 vjet nga botimi i tij dhe riprodhimi i sotshëm kërkon ndonjë sqarim.

Pyetja e parë që lind pas leximit është: A qëndron ky shkrim sot për problematikat që ngre apo përfaqëson një episod të sforcuar të luftës ideologjike të kohës? Në fakt janë të dyja. Në shkrim mund të shihet fare qartë se qasja ndaj modeleve amerikane kalon nga ideja e një kolonializmi të ri kulturor duke nihilizuar arritjet e kinemasë amerikane që janë kolosale. Termi “kinematagrafia standarde” nuk e mbulon dot këtë aspekt edhe pse autori shfaqet i informuar për kohën. 

Por Rama shfaqet në shkrim si një intelektual i majtë europian, përpara se të aludohet se vjen nga një vend i izoluar si Shqipëria. Në asnjë rresht nuk ka ndonjë aludim për kinemanë europian ku mesa duket ushqehej edhe shija apo idetë estetike të kineastëve tanë. Por edhe kritikëve. Në këtë kuptim shkrimi ruan aktualitetin e vet përderisa ka dy modele në kinema, ndonëse duhet thënë se modeli amerikan po kopjohet edhe në Azi. Titulli edhe sot nuk ngjan i ekzagjeruar me dallimin se ankthi dhe refuzimi estetik ndaj modelit amerikan, sot nuk dallohet kund më në këtë formë.

Në fund shkrimin po e sjellim jo vetëm për një kuriozitet për atë kohë, por edhe për të vënë në dukje se në çdo rast është më mirë të ketë kritikë sesa të mos ketë fare edhe pse këtu kritika është mbi premisa ideologjike. Pra si dëshmi e kritikës, por jo për dobinë e saj konkrete. 

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.