Edukata morale e Facebook-ut, bamirësi dhe kodoshi i Tiranës

Postuar në 01 Tetor, 2019 04:00

Erion Veliaj ka bërë çmos qëkurse mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës që të mbajë larg vetes ndonjë bar të keq që akuzohet për korrupsion. Ose më saktë: që kapet gafil në akte të dyshimta.

Si një njeri që është vetëprojektuar për kryetar të PS-së, z. Veliaj, që operon në politikë me instinkt dhe pabesi, që janë mikroklima e logjikës së tij, ka menduar thjesht për t’u evidentuar si Ndryshe: Ata vjedhin, Unë Punoj. Ose Ne në Bashki punojmë.

Akuzat për projekte të ndryshme, ku herë ka dalë për të përfituar një çikë imazh, e herë është keqpërdorur si viktimë, z. Veliaj i ka hedhur poshtë sa me paturpësinë e tij, aq edhe me alibinë bajate se një pakicë e zhurmshme po sulmon zhvillimin.

Kur z. Veliaj u kap në flagrancë në falsifikim firme të një inspektori, pushteti i PS-së kishte dhjam shumë dhe sulmi vetëm sa ngriti një pikëpyetje.

Kur z. Veliaj u akuzua për Ardit Gjoklajn, ai u pa në një fotografi me prokurorin Fusha, pas të cilit nisi një bashkëpunim i frytshëm.

Kur z. Veliaj u akuzua për rastin e Mirvete Dukës, ai pati me vete shumicën e mediave që i ka blerë.

Por djali i mirë që është halë në sy të zhurmuesve, sot është kapur ngushtë me zëvendësin e tij Arbian Mazniku. Në një udhëtim në Barcelonë ky zotëri ka fjetur në një hotel me 900 euro nata për dy netë. Nga dalin këto para për këtë zotëri?  Në një prononcim për Zërin e Amerikës, Bashkia e Tiranës ka deklaruar se paratë për delegacionin e Barcelonës i ka paguar...kush tjetër? Kompania “Fusha”. Arsyeja? Kompania “Fusha” e entuziazmuar sa më s’ka që sheshi i ndërtuar prej saj, “Skënderbej”, mori çmim, vendosi të heqë shpenzimet e udhëtimit. Ja prononcimi konkretisht:

Në datat 19 - 20 qershor 2018 në Barcelonë u mbajt ceremonia e dhënies së çmimeve “European Prize for Urban Public Space 2018’, ku sheshi “Skënderbej” fitoi Çmimin e parë, - thuhet në reagimin e bashkisë së Tiranës për “Zërin e Amerikës”. - Ky çmim i shkoi Arkitektit ‘54N4E’/Kompanisë Zbatuese "Fusha" dhe Kontraktorit - Bashkia Tiranë. Me rastin e marrjes së këtij Çmimi prestigjoz, një grup nga Shqipëria udhëtoi për në Barcelonë për të marrë pjesë në ceremoni dhe për të tërhequr çmimin. Kompania “Fusha” mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin

Mirëpo këtij deklarimi që e prezanton Bashkinë si një kominoshe personale të z. Veliaj, i cili zgjedh vetë lavanterinë ku do lahet e pastrohet, i shtohen pikëpyetjet, jo vetëm sepse udhëtimi është zyrtar dhe se për të kërkohet bazë ligjore dhe faturë, por edhe për shkak se mesa duket Bashkia është kapur në gënjeshtër. Partia Demokratike ka publikuar dje një dokument zyrtar që zbulon se nga buxheti i Bashkisë janë prokuruar 9 milionë lekë për këtë udhëtim.

Ja edhe dokumenti:

Ndaj pyetja është si qëndron e vërteta? Nëse do besojmë Bashkinë e z. Veliaj sërish do të pyesim: pse kompania “Fusha” do të paguante dhoma luksoze për z. Mazniku, duke patur parasysh se ajo është një ndër kompanitë e preferuara për punë publike në Tiranë?

Si mund të justifikohet ftohtë dhe pa ngritur dyshime kjo dorovitje dhe si mund të justifikohet në nivel aktesh dhe dokumentesh ky financim?

Ky rast, që ka si qershi mbi tortë dokumentin e hotelit ku pronari i kompanisë ka vënë adresë e-maili, numër telefoni dhe kartë krediti në dispozicion, pra ka provuar se kur entuziazmohet nuk përmbahet, sqaron të gjithë për mënyrën sesi institucionet përdorin pushtetin që u është dhënë dhe financat publike.

Zëri i Amerikës shton edhe se:

...kërkoi më pas informacion nga Bashkia lidhur me pjesëtarët e tjerë të grupit që mori pjesë në ceremoni, ku ka qenë i pranishëm dhe kryetari Erion Veliaj, apo dhe vlerën dhe llojin e shpenzimeve të sponsorizuara nga kompania “Fusha”, po nuk mori më asnjë përgjigje

Këtu skenari i ahengut në Spanjë bëhet i plotë fare. Të paktën përmes asaj që na thonë mediat. Troç dhe thjeshtë: Kompania është një shoqe e ngushtë e Bashkisë që me ca lekë të vetat e bën ylyver muhabetin në Barcelonë. Nuk është hera e parë. 

E kujtoni të gjithë sesi nisi qeverisja e z. Rama. Me “disa miq të mirë” që rikonstruktuan dhe areduan(kullandrisën) për merak interierin e godinës së Kryeministrisë. Por kush janë këta miq ende sot nuk dihet. Të paktën z. Veliaj, për naivitet apo neglizhencë, na i tregon miqtë. Por duke e bërë këtë ai edhe për më dashamirësin e Tiranës që po përparon ka dalë me kostumin e kodoshit që nuk është edhe aq i mirë. Sepse paraja lë gjurmë dhe nuk hidhet kot. 

Sa për kompaninë “Fusha”, ajo përfaqëson një rast studimor bamirësie në Shqipërinë e tranzicionit. Dy vjet më parë i doli zot premtimit se do t’i falte Tiranës një teatër që kushton 30 milionë euro, sot vë në dispozicion kartat e kreditit për zyrtarë të Bashkisë që flenë në luks. Duke pranuar me sinqeritet se z. Mazniku ka prerjen antropologjike për dhoma kaq të shtrenjta, por padyshim edhe për vizitat në Prokurori, ne që lexojmë kësi lajmesh nuk ka pse të na kërkohet vetëm mirëkuptimi dhe besimi i verbër se me zhvillimin vijnë edhe kostot. Sidomos kur rehabilitimi për filantropë të tillë ka gjasa të bëhet me paratë publike.

Në fund të fundit vetë zoti Veliaj na ka mësuar në lëndën e edukatës morale që e bën përditë, se ata që vjedhin duhet të shporren nga Tirana. Apo ata që abuzojnë. Të mbetet shija e keqe se te kjo e Maznikut ka abuzim dhe jo të vogël. Ndaj përpara se të besojmë akoma se disa prej këtyre do t’i shporrë Prokuroria, mirë është të kërkojmë që maznikët e shumtë që janë ushtarë të heshtur në një skemë politike të pistë që kërkon të blejë të ardhmen e dikujt pa identitet, të paktën të hipen në autobuzët e linjës e të çohen aty ku i takon tribunëve të punës siç janë këta të Bashkisë. Jo si shërbim prove sepse ai është ekskluzivitet, por si formë riedukimi. Ta nisi nga uji me orar.

Sigurisht operatorët e linjave le të aplikojnë ulje çmimi për këtë të pamundur si z. Mazniku. 

Re.Pu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.