Kardhiq-Delvinë, kompania "Gjoka Konstruksion" paralajmëron padi për Sonila Qaton

Postuar në 16 Shtator, 2019 16:01

Prej dy ditësh në disa media kanë qarkulluar një njoftim i Autoritetit Rrugor Shqiptar për tenderin e rrugës Kardhi-Delvinë që u anullua nga Ministria e Infrastrukturës. Në thelb të njoftimit qëndronte akuza se kompania Gjoka Konstruksion, pjesë e një bashkimi kompanish që kanë qenë pjesë e garës, ka falsifikuar dokumentacionin e paraqitur për punë të pakryera në rrugën e Arbrit, dokumentacion që duhej si pjesë e përvojës dhe kapaciteteve në tenderin e tenderit të anulluar.

Sot kompania ka reaguar përmes një sqarimi për shtyp ku sqaron pozicionin e saj dhe deklaron se në të vërtetë pas sulmeve të ARRSH-së qëndron një lojë interesi që synon favorizimin e komapnisë italiane që u skualifikua në fakt nga Komisioni i Prokurimit Publik. Thuhet ndër të tjera në sqarimin e kompanisë:

Më datë 20.06.2019 ora 14:07 nëpërmjet sistemit të prokurimit elektronik jemi njoftuar mbi s’kualifikimin tonë si bashkim operatorësh ekonomik. I vetmi i kualifikuar ishte “Ircop” S.p.a Degë e shoqëisë së huaj me diferencë prej 509,729,253.75 leke me oferten tonë që ishte oferta më e ulët.

…Në datë 26.06.2019 “GJOKA KONSTRUKSION”sh.a përfaqësuese e BOE, ka paraqitur ankesë pranë Autoritetit Kontraktor duke kundërshtuar arsyet e të dhëna në sistem mbi skualifikimin e bashkimit te operatorëve nga Autoriteti Kontraktor dhe kualifikimin e “Ircop” spa sic rezultonte nëpërmjet sistemit.

Në datë 01.07.2019 Autoriteti kontraktor, na ka njoftuar se pas shqyrtimit te ankeses ka vendosur lënien në fuqi të skualifikimit.

Skualifikimi është ankimuar nga ne në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili me Vendimin 510/2019 datë 01.08.2019 ka urdhëruar ARrSh të rregulloj shkeljen e kryer dhe të kualifikojë kompaninë tonë. Vendimi i KPP, organ të cilin Ligji i prokurimit e ka përcaktuar si organin më të lartë për shqyrtimin e ankesave në fushën e prokurimit publik, i është dorëzuar palëve më datë 05.08.2019 me postë me detyrimin për zbatim brenda 10 ditëve nga ARrSh.

Më datë 13.08.19 vetëm 2 ditë para skadimit të afatit për zbatimin e Vendimit të KPP, Drejtori i ARrSh nxjerr Urdhër për verifikim të zbatimit të punimeve të kontratës të dorëzuar si punë e ngjashme në këtë procedurë nga “Gjoka Konstruksion” sh.a. Këto punime në vlerësimin e bërë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk kanë qënë arsye skualifikimi dhe as janë ngritur në asnjë çast dyshime në lidhje me vërtetësinë e këtyre punimeve.

Në datën 16.08.2019 ARrSh ka kërkuar rishikimin e Vendimit 510/2019 të KPP, kërkesë e cila nuk është pranuar me Vendimin 510/4/2019 datë 20.08.2019 të K.P.P, dhe ka lënë në fuqi Vendimin 510/2019, të detyrueshëm për zbatim nga Autoriteti Kontraktor.

…Në lidhje me gjithë pretendimet e ARrSh të publikuara në media sqarojmë opinionin publik se sipas dokumentacionit të vënë në dispozicion ARrSh-së në procedurën e tenderimit për plotësimin e kriterit të objektit të ngjashëm, janë përfunduar plotësisht 100% vetëm punime të situacionuara dhe të dorëzuara. Punimet në objekt vazhdojnë, vazhdojnë zëra punimesh të tjerë të zbatohen. Gjoka Konstruksion sh.a nuk është shprehur në asnjë pjesë të dokumentacionit të saj se tunelet dhe Rruga e Arbrit kanë përfunduar plotësisht. Është kryer kolaudim i punimeve të situacionuara dhe të realizuara nga Gjoka Konstruksion si nënkontraktor. Kontrata koncensionare e Rrugës së Arbrit e lidhur me Ministrinë e Infrastukturës dhe Energjisë, zbatimi i së cilës monitorohet nga Njësia e Zbatimit të Projektit të Rrugës së Arbrit dhe Inxhinieri i Pavarur-mbikëqyrës i punimeve të Rrugës së Arbrit, nuk ka përfunduar, por Gjoka Konstruksion nuk ka deklaruar kontratën koncensionare si objekt të përfunduar dhe është në nderin e drejtorit të ARrSh të mos abuzoj mbi këto fakte.

Tunelet nuk janë deklaruar asnjë moment si të shfrytëzueshëm nga ne, deklarimi i tunelit si i shfrytëzueshëm do të behët nga Autoriteti kontraktor MIE dhe shoqëria koncensionare në përputhje të plotë me dispozitat e kontratës koncensionare dhe legjislacionin në fuqi.

Cdo aludim mbi dokumentacionin e tillë si Formular Vlerësimi, Situacion perfundimtar punimesh dhe Akt kolaudimi të paraqitur në tender nga Gjoka Konstruksion sha, i cili paraqet të dhëna të rreme e të pasakta është i pavërtetë, i njëanshëm, i mbajtur nga njërëz besnik të zj Qato, të cilët me devotshmëri dhe pa profesionalizëm i kanë shërbyer drejtorit të ARrSh duke hedhur baltë mbi ne si shoqëri për qëllimin e vetëm, kualifikimin e një ofertuesi të regjistruar 1 muaj përpara shpalljes së tenderit me ofertë mbi 500 milion lekë më të lartë

Në këtë situatë duket se kompania po shikon opsionin e paditjes së zonjës Sonila Qato për dëmtim imazhi, ndërkohë që vetë Qato ka provokuar një dështim spektakolar për institucionin dhe qeverinë përderisa detyroi me gjasë për shkak të këtyre manovrave shtyrjen në kohë të projektit.

Nga neser padia e parë për drejtoren e ARRSH-së do të jetë fillimisht në gjykatë për prishje të imazhit të kompanise me informacione të nxjerra në media të cilat janë të paprovuara

përfundon deklarata.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.