Përparësitë e të qenit mëngjarash

Postuar në 09 Shtator, 2019 17:12

Të qenit mëngjarash ka lidhje me gjenet. Një studim i ri ka identifikuar për herë të parë rajone të gjenomit të lidhur me dorën e majtë dhe ka asociuar efektet e tyre me arkitekturën e trurit. Studimi i lidh këto ndryshime gjenetike me lidhjet midis zonave të trurit që janë përgjegjëse për gjuhën. Dihet që gjenet kanë një rol të pjesshëm në përcaktimin e asaj se cila dorë ka përparësi - studimet e binjakëve kanë vlerësuar se 25% e variacionit të mëngjarashëve mund t'u atribuohet gjeneve - por këto të fundit nuk janë studiuar me saktësi.

Studimi i ri, i udhëhequr nga studiues të Universitetit të Oksfordit, është botuar në revistën “Brain”. Ai ka identifikuar disa nga variantet gjenetike të lidhura me dorën e majtë duke analizuar gjenomet e rreth 400 000 njerëzve nga Biobank në Britaninë e Madhe, 38 332 prej të cilëve mëngjarashë. Nga katër rajonet gjenetike që ata identifikuan, tre prej tyre ishin të lidhura me proteina të përfshira në zhvillimin dhe strukturën e trurit. Në veçanti, këto proteina kishin të bënin me mikrotubulat, të cilat janë pjesë brenda qelizave, të quajtura citoskelet, i cili udhëzon ndërtimin dhe funksionimin e qelizave në trup.

Duke përdorur një imazh të detajuar të trurit nga afro 10 000 prej pjesëmarrësve në studim, studiuesit zbuluan se këto efekte gjenetike shoqëroheshin me ndryshime në strukturën e trurit, në traktet e lëndës së bardhë - të cilat përmbajnë citoskeletin e trurit - që bashkohet me rajone të lidhura me gjuhën.

Dr. Akira Wiberg, një bashkëpunëtore e Këshillit të Kërkimeve Mjekësore në Universitetin e Oksfordit, i cili kreu studimin, thotë: “Rreth 90% e njerëzve përdorin më shumë dorën e djathtë, dhe kështu ka qenë për të paktën 10 000 vjet. Zbuluam se, te mëngjarashët, zonat gjuhësore të anës së majtë dhe të djathtë të trurit komunikojnë me njëra-tjetrën në mënyrë më të koordinuar. Kjo ngre mundësinë intriguese për hulumtime në të ardhmen që mëngjarashët mund të kenë avantazh kur bëhet fjalë për kryerjen e detyrave verbale, por duhet të mbahet mend se këto dallime janë parë vetëm si mesatare mbi një numër shumë të madh njerëzish dhe jo të gjithë mëngjarashët janë të ngjashëm”.

Studiuesit gjetën gjithashtu lidhje midis rajoneve gjenetike që kanë të bëjnë me mëngjarashët dhe gjasa më të ulëta për t’u prekur nga sëmundja e Parkinsonit, por risk më të madh për të pasur skizofreni. Sidoqoftë, studiuesit theksuan se këto lidhje korrespondojnë vetëm me një ndryshim shumë të vogël në numrin aktual të personave me këto sëmundje, dhe janë korrelacion, kështu që ata nuk tregojnë lidhje të sigurt shkak-pasojë. Studimi i lidhjeve gjenetike mund të ndihmojë në përmirësimin e të kuptuarit se si zhvillohen këto gjendje serioze mjekësore.

TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.