Po sillet me Teatrin Kombëtar si me rrugën Thumanë-Kashar. Pse nuk flasin kompanitë që fitojnë miliona?

Postuar në 02 Gusht, 2019 15:34

Kryeministri ka vijuar sot me publikimin e prononcimeve të aktorëve të ndryshëm për çështjen e teatrit kombëtar. Tashmë prononcimet që nuk dihet ku janë bërë, por që tubohen të gjithë në profilin Facebook të z. Rama, theksojnë qartë dhe sqarojnë merakun e sotshëm të pushtetit që është demontimi i argumenteve të protestuesve.

Materiali, mjedisi i vjetëruar, ndërtimi i një teatri të ri, ja prononcimet e përcjella nga z. Rama. I cili sipas zakonit të vet  në politikë që debatin e bën me veten dhe jo me argumentet e tjetrit, nuk merr në konsideratë se zërat kundër kanë po aq vlerë, madje më shumë sesa zërat pro prishjes së Teatrit Kombëtar.

Kjo sepse protesta në thelb është gjenuine, askush prej artistëve aty dhe qytetarëve që kanë iniciuar protestën nuk kanë ndonjë përfitim material. A nuk do të ishte mirë që ky debat mes artistësh të zhvillohej vetiu, pa ndërmjetësimin e kryeministrit që luan këtu rolin e moderatorit, por jo për qëllime informimi dhe diskutimi. Sepse z. Rama është i interesuari kryesor në këtë aferë. Ne nuk kemi dëgjuar për asnjë çast të vetëm kompaninë “Fusha” që pretendon se ka një projekt të flasë dhe të sqarojë idenë e vet, arkitektët e saj. Ne nuk kemi parë asnjë akt të të të ashtuquajturve komisone negociimi, që drejtohen nga Bashkia e Tiranës.

Me amendimin e ligjit është hapur formalisht një garë dhe qeveria shqiptare po deklaron përditë se Teatri do të bëhet. Këtë gjë bëri z. Rama edhe me rrugën Thumanë-Kashar, publikoi videon e kompanisë për projektin një ditë pasi Ministria e Financave miratoi fituesin e projektit. Sot z. Rama nuk flet më për atë projekt duke mbajtur një heshtje që është shumë e rëndë. Në fund të fundit, deliri të çon shumë larg, sepse në këtë vend pushtetarët sillen si zotër. Por të tillë nuk janë. Është fatkeqësi për ata që e kuptojnë vonë një gjë të tillë për t’u katandisur si zhurmues pa vlerë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.