Tabloja sinoptike e 30 qershorit në variantin e kuçedrës dhe Qerosit

Postuar në 23 Korrik, 2019 17:35

Ne nuk e kemi kuptuar, as e kemi ndjerë, por si zakonisht në këtë vend kemi qenë bashkëkohës të një historie të rëndësishme. Shqipëria qenka lëkundur keq më 30 qershor të këtij viti. Ajo qenka rrezikuar seriozisht, por atë e kanë shpëtuar miqtë amerikanë dhe europianë. Këtë na thotë sot nga Asambleja e Partisë Socialiste kryeministri Edi Rama, që është rishfaqur sërish me sentimentin e tij të njohur për mëmëdhenë. 

30 Qershori dukej sikur nuk do të vinte kurrë, iku paqësisht, por plaga është ende e hapur dhe më e hapur se asnjëherë, sfida jonë. Sepse që të jemi të qartë, 30 Qershorin e fituan qytetarët edhe për ne. Ndërsa gjithë ajo që vjen pas duhet ta fitojmë ne për qytetarët.
Dua të përsëris që Shqipëria u shfaq në brishtëisnë e saj, u kërcënua dhe lëkund dhe nëse nuk u rrëzua erdhi edhe falë qëndrimit të SHBA dhe BE-së në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të parimeve më themelore të demokracisë. Në mbështetje të lirisë së zgjedhjeve dhe të drejtës së cdo qytetari për të zgjedhur. Ma ha mendja se asnjëherë kur të flitet për këtë moment kompleks nuk do të harrohet roli i aleatëve për të cilin nuk do të jetë kurrë mjaft falenderimi

 tha Rama.

Po çfarë do të ndodhte nëse nuk do të ishin këta aleatë? Këtë zoti Rama nuk na e thotë, e me siguri ia fsheh edhe historisë e cila mund të bëhet shumë xheloze për këto mistere nesër dej. Nuk tregon ky debitor i përjetshëm i miqve të huaj, ndërkohë që prrallis për qytetarët përrallën e kuçedrës e ku mesa duket, vetë ka zgjedhur rolin e Qerosit të mençur që u jep zgjidhje halleve. 

Në fakt, për aq sa dimë dhe po shohim, në 30 qershor u ndalua përmes tradhëtisë dhe shantazhit, shfryrja e një tensioni që është real. Tension ndaj hajdutërisë së paprecedentë të kësaj qeverie, bastisjes së Shqipërisë prej saj dhe padrejtësisë të ngritur në standard normaliteti. 

Ndodhi kjo sepse mesa duket historia e kësaj kohe në Shqipëri kërkon ta ziejë edhe më shumë gjellën e shpifur të një tranzicioni që herët apo vonë do ta shpërthejë tenxheren ku kanë zhytur kokën njerëz si ky kryeministër. 

Miqtë e huaj sugjerojnë prej 30 vjetësh rregulla dhe modele, ata kontrollojnë stabilitetin e rremë që cenohet pikërisht se këto rregulla nuk zbatohen. Ndaj miqësia e tyre po e dëmton Shqipërinë më shumë se çdo gjë tjetër pikërisht sepse duke e shndërruar atë në një konservë politiko-sociale, i krijojnë idenë se “sistemi funksionon”, demokracia përparon, kur në fakt ne jetojmë në një republikë gangsterësh që kanë gjetur miq, zëdhënësa dhe moralizues në majën e pushtetit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.