Shqipëria konkuron në turizëm me çmime, por jo me shërbime

Postuar në 20 Korrik, 2019 13:31

Shqipëria vazhdon ta konkurojë bregun e Malit të Zi lidhur me tregun turistik të Kosovës. Sipas raportimeve të mediave në Kosovës, turistë të këtij shteti këtë vit kanë braktisur Ulqinin dhe kanë zgjedhur Shqipërinë, ndonëse shërbimet dghe siguria në Ulqin është më e madhe.

…kosovarët sivjet kanë vendosur që të bojkotojnë Ulqinin, arsyeja kryesore janë çmimet e larta

shkruan gazeta Metro.

Unë që shumë vite vi në Ulqin që ti kaloj pushimet, por sivjet çmimet kanë qenë tmerrësisht të larta

citohet një turist kosovar në në Plazhen e Madhe të Ulqinit.

“Ajo çka bie në sy është se shumica e turistëve që po frekuentojnë këtë plazh janë nga vende të ndryshme të botës, po sivjet dominojnë boshnjakët nga Novi Pazar, (Sanxhaku)”, shton gazeta.

Çmimet, të paktën ato që sillen në këtë shkrim, janë realisht të larta për standardin ekonomik të Kosovës: një kafe e vogël kushton 2 euro, ndërsa një ‘coca cola’ kushton 2.50 euro. Në plazhe të caktuara çmimet janë dhe me të larta. Shqipëria qëndron më poshtë në këtë drejtim, pasi të paktën nga Shkodra e deri në Lushnje, çmimet qëndrojnë te 1 euro për një kafe(çmim i quajtur edhe ky i lartë), duke patur parasysh se vija bregdetare në këtë hapësirë është jo e vogël.

Megjithatë një debat për çmimet është hapur dhe në Shqipëri, një vend që në vend se të përfitonte me politika të zgjuara në drejtim të tregut kosovar dhe maqedonas të turizmit, u lëshua në abuzim dhe prirje për të përfituar sa më shumë. Viti që iku ishte i suksesshëm në thithjen e turistëve kosovarë, por nuk duket që ende të ketë një politikë të strukturuar që Shqipëria të dijë të mbajë të lidhur me shërbime dhe cilësi, por edhe çmime, tregun kosovar, serb dhe atë maqedonas që deri më dje frekuentonin Kroacinë, Malin e Zi dhe Greqinë.

Koniunktura politike mundësoi që Shqipëria të kthehej në destinacion, ndërkohë që vetë qytetarët e saj në masë të madhe preferojnë të pushojnë jashtë për shkak të mungesës së seriozitetit, abuzivizmit dhe kushteve. Uji i pijshëm, mbetjet, infrastruktura dhe sidomos sjellja me hapësirën publike janë ndër faktorët që e bëjnë vendin tonë jo tërheqës në planin afatgjatë. Jo vetëm ajo që quhet Riviera, por edhe vija ranore e Adriatikut shqiptar do të ishte një konkurente e denjë, porb në të nuk ka asnjë investim serioz që të mund të rrisë standadet dhe të transformojë shërbimet. Shqipëria me thyerjen që paraqet mes Jonit dhe Adriatikut ka mundësi thuajse unike që në një vijë kaq të vogël të mund të ndjekë dy politika të diferencuara turistike: atë të turizmit masiv në Adriatik dhe atë të turizmit elitar në Rivierën e Jonit.

Kosova, Maqedonia dhe Serbia përfaqësojnë një treg prej rreth 11 milionë njerëish. Po qe se do të dinim të bënim biznes nuk do kishim këto probleme që kemi. Po flasim vetëm për turizmin detar, pa përmendur atë malor dhe ushqimin që mbetet një ndër vlerat më të mira.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.