Në Bruksel i njohin mirë të dyja palët*

Postuar në 04 Korrik, 2019 16:17
Augustin Palokaj

 

Historia e konfliktit të brendshëm politik në Shqipëri nuk është e panjohur për BE-në dhe strukturat e saja në Bruksel. Kjo është një histori që nga viti 1996 dhe gjithmonë është përsëritur në të njëjtën mënyrë. Vetëm se rolet janë ndryshuar, ndërsa shfaqja ka qenë e njëjtë. Gjithmonë ata që kanë humbur zgjedhjet kanë thënë se ato janë manipuluar. Gjithmonë liderët e partive politike dhe partitë e kanë shikuar interesin e tyre më shumë sesa të vendit. Dhe gjithmonë kanë shfrytëzuar takimet jashtë shtetit jo për të krijuar miq të Shqipërisë, por më shumë armiq të jashtëm të armiqve të tyre të brendshëm. Dhe në Shqipëri vërtet konkurrentët politikë janë parë si armiq, si një e keqe dhe me një retorikë për Evropën të pashembullt janë sulmuar kundërshtarët politikë.

Bashkësia ndërkombëtare e ka pasur të vështirë të mbajë anë, edhe pse në momente të caktuara ndonjë lider u është dukur më i duhur. I tillë është parë Edi Rama në fillim të mandatit. Ai është parë si një freski, si një lider i cili nuk heziton të nisë sulme ndaj grupeve të krimit të organizuar dhe nuk heziton të ftojë edhe shërbimet e vendeve të BE-së për të luftuar kundër kësaj të keqeje. Është parë edhe si politikan, i cili dëshiron të ndërtojë një konsensus të brendshëm për interesat strategjike të vendit që kanë të bëjnë me integrimet në BE.

Edhe pse në parim në BE mbështesin zhvillimin e zgjedhjeve si një proces demokratik, edhe pse në parim BE-ja është gjithmonë kundër bojkotit edhe të Parlamentit, edhe të zgjedhjeve, në BE mendojnë se Rama nuk ka bërë sa duhur për të sjellë opozitën në tryezë dhe me sjelljen e tij ka acaruar edhe më shumë situatën. E përgjegjësinë gjithmonë e ka më të madhe ai që është në pushtet për të krijuar një klimë të duhur politike.

Se kush është i mirë e kush jo në skenën politike në Shqipëri kjo nuk është një punë me të cilën merret bashkësia ndërkombëtare. As nuk u takuan e as nuk duan. Kur mediat në Shqipëri trajtojnë deklaratat e ndonjë politikani apo diplomati të huaj si një “goditje opozitës” apo “mbështetje”, kjo është më shumë tifozëri politike sesa gazetari profesionale.

Dhe nuk kanë përvojë të mirë nga Shqipëria zyrtarët e Brukselit. Disa nga ta kujtojnë sesa ishte angazhuar Partia Socialiste e Edi Ramës për të njoftuar BE-në rreth skandalit “kaseta” e Ilir Metës me Tritan Priftin. Dhe posa në BE u krijua një përshtypje rreth këtij skandali, Edi Rama bëri koalicion pikërisht me Ilir Metën. Tash kur e kanë prishur miqësinë me Metën në PS dhe mediat e afërta me këtë parti rikthejnë kujtesën tek ky skandal.

Po aq e pasinqertë duket dhe kritika e PD-së për “lidhje të pushtetit me krimin dhe drogën”. Sepse problemi i krimit dhe drogës në Shqipëri ishte dhe është i pranishëm pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet e kush në opozitë. As nuk ka filluar me ardhjen e PS-së në pushtet e as nuk ka përfunduar me largimin e PD-së nga pushteti.

Situata konfliktuoze politike në Shqipëri ka qenë shpesh një prej shkaqeve kryesore pse ky shtet aq shumë ka ngecur në proceset e integrimeve evropiane. Në vend që të angazhohet së bashku, edhe pozita, edhe opozita,tek partitë e tyre në nivel evropian për të mirën e Shqipërisë, opozita bën të kundërtën dhe ka frikë mos po ndodh diçka pozitive e meritat i merr kundërshtari i tyre politik. Kështu vazhdon të jetë edhe tash kur Shqipëria ka statusin e kandidatit për anëtarësim dhe ishte në pritje të vendimit për të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Pikërisht në këtë periudhë kur priten vendimet që secili shtet tjetër do t’i konsideronte si historike në Shqipëri, të gjithë, edhe partitë politike, edhe mediat janë më shumë të interesuar për konfliktet e brendshme politike sesa për vendimet e BE-së. Edhe vendimet shikohen si një mjet për luftën e brendshme e jo si një zhvillim i rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Opozita dhe mbështetësit e saj paraqesin mossuksesin si dështim të Qeverisë dhe betohen se ata do ta krijojnë një “Shqipëri evropiane”. Qeveria ia hedh fajin opozitës që po ia nxin imazhin shtetit.

Shtyrja e vendimit për datën e nisjes së negociatave me Shqipërinë ka qenë kësaj radhe e motivuar më shumë nga zhvillimet në BE sesa në Shqipëri. Por tash e tutje mund të jetë e kundërta. Gjasat janë shumë të mëdha që, nëse diçka nuk ndryshon për të mirë në Shqipëri, në tetor BE-ja të vendosë nisjen e negociatave me Maqedoninë, por jo edhe me Shqipërinë. Dhe fajin kësaj radhe do ta ketë klasa politike në Shqipëri, edhe Qeveria, edhe opozita.

Edhe para dy javësh ka pasur mbështetje të madhe për idenë që Maqedonisë t’i caktohet data për nisjen e negociatave pro, Shqipërisë jo. Në fund është shtyrë për të dyja shtetet për muajin tetor. Tash në Bruksel pohojnë se “për Maqedoninë në tetor nuk pritet ndonjë problem, por për Shqipërinë do të jetë shumë, shumë vështirë, sepse në Shqipëri gjërat nuk shkojnë si duhet”.

Në rast të vendimit pozitiv për Maqedoninë e jo edhe për Shqipërinë mund të ndodhë që Shqipëria të mbetet në pritje për një kohë të gjatë. Është pikërisht Maqedonia shembulli më i mirë se si humben vitet kur e humb një rast të duhur. Maqedonia në vitin 2000 ishte më e avancuar sesa Kroacia në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Kroacia prej atëherë e ka përmbushur tërë ciklin, nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, statuti i kandidatit, negociatat, e deri tek anëtarësimi në vitin 2013, e Maqedonia as që i ka nisur ende negociatat.

Nëse Shqipëria përsëri humb rastin do të detyrohet të presë për një kohë të pacaktuar. E atëherë fare pak do të jetë e rëndësishme se kush e ka pasur fajin.

Burimi: koha.net

*Titulli është i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.