Tentativat e një vetëvrasjeje politike

Postuar në 28 Qershor, 2019 15:12
Paolo Mieli

 

Në vitet ’70, sekti “Tempulli Popullor” njohu pasurim të madh në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara. Papritmas, më 12 nëntor 1978, në Jonestown, Guajana, reverendi Jim Jones, i cili ishte udhëheqës i atij kongregacioni, i bindi 909 dishepujt e tij të bënin vetëvrasje në masë. Pse? Kishte ndodhur që një kongresist, Leo Ryan, i intriguar nga fakti që Jones dhe familja e tij ishin zhvendosur në xhunglën e Guajanës, kishte zbuluar se ushtrimi i pushtetit brenda komunitetit kishte divergjencë nga premtimet fillestare, deri në pikën që të prodhonte “sjellje të papërgjegjshme, destruktive" dhe abuzim të konsiderueshëm. Ryan u vra pasa se t’i zbulonte botës atë që kishte parë - megjithëse kishte pasur kohë për të ndarë gjërat thelbësore me disa gazetarë - dhe Jones mendoi ishte i nevojshëm kthimi në "frymën e fillimeve" dhe që "të mbrohej nga pushtimi i së keqes”, nevojitej një farë katarsisi. Ai i bindi ndjekësit e tij që të pinin cianid, ndërsa vetë qëlloi veten me armë, duke menduar se në këtë mënyrë, projekti i tij ishte i sigurt. E pati gabim. Amerika e komentoi këtë episod me nota tmerri.

Diçka e tillë, por me përmasa më të vogla, (edhe pse, natyrisht, e një lloji tjetër) po ndodh në Itali. Në Venaria Reale, një komunë piemonteze, Roberto Falcone, i cili triumfoi në garën e vitit 2015 për kryebashkiak me 70 përqind të votave, një vit përpara suksesit të Chiara Appendino në Torino, u dorëzua.

Tre ditë më parë - dhjetë muaj përpara skadimit të mandatit - ai u detyrua të japë dorëheqjen për shkak (sipas fjalëve të tij) të "përsëritjes së sjelljeve të papërgjegjshme dhe shkatërruese" të shumicës. Shumica e përbërë, natyrisht, nga shokët e partisë së tij. Shumë prej tyre, sipas Falcone-s, vuajnë nga "protagonizmi": kryetarja e grupit, Raffaela Cantella, e cila “përplasi derën” në vitin 2017; nënkryetari dhe vlerësuesi i buxhetit Angelo Castagno (i cili dha dorëheqjen në maj); kryetari i këshillit bashkiak Andrea Accorsi me këshilltarët Luca Stasi, Rosa Antico dhe Giovanni Battafarano, të cilët nuk arritën të votonin për ndryshimin e buxhetit dhe u larguan nga ekipi grilian (pak para se të përjashtoheshin). Stasi u justifikua se mungonte "Demokracia e brendshme". Mundet që rebelët të kenë pasur të drejtë, që Falcone të ketë shkuar drejt një sjelljeje ala Duçe. Por është pothuajse e pashpjegueshme se si dhe pse ai vendosi të "kryejë vetëvrasje" pasi nuk ka gjasa që ai së shpejti të kthehet në udhëheqjen e komunës së Venarias. Dhe nuk mund të jetë rastësi që një episod i tillë ndodh në një moment kur e gjithë Italia duket sikur është goditur nga tërmeti.

Të tilla lëkundje - botimi i një libri nga Alessandro Di Battista, shumë polemik mes rreshtash me ministrat dhe zv.sekretarët e Lëvizjes 5 Yjet, me qëndrimin bombastik të drejtuesit të Dhomës së Ulët të Parlamentit, Roberto Fico - shpallin hapjen e një sezoni të çuditshëm për Lëvizjen Pesë Yjet. E çuditshme dhe vendimtare për fatin e legjislaturës, fundi i hershëm i të cilës do t’i hapte rrugën Matteo Salvinit dhe partive të krahut të djathtë (pikë së pari asaj të Giorgia Meloni-t) edhe kjo lidhet me të. Megjithatë, një senatore, Paola Nugnes, vendosi që është koha e duhur për t’u larguar nga Lëvizja 5 Yjet, dy nga kolegët e saj, Elena Fattori dhe Matteo Montero, të cilët nuk po e vrasin mendjen shumë për të fshehur mospajtimin e tyre me kryetarin Luigi Di Maio, në mënyrë të tillë që shumica e nevojshme për qeverinë (161 vota) duket e rrezikuar. Nuk mund të thuhet as se po ngrihet një aks Di Battista-Fico. Dhe as midis pasuesve të të dyve nuk ka unanimitet: Dalila Nesci, ndonëse besnike e Presidentit të Dhomës së Ulët të Parlamentit, proteston kundër "spekulimeve në publik" pas një interviste në “La Repubblica” të liderit të saj aktual. Ka vetëm një emërues të përbashkët në këtë kaos: të gjithë thonë se duan të kthehen në kohët e dikurshme. Pra, mund të ndodhë që, në emër të një rikthimi të "shpirtit të origjinës", janë pikërisht deputetët e Lëvizjes Pesë Yjet që provokojnë një “vetëvrasje” masive si ajo e Jonestown-it.

Por, duke hequr mënjanë reverendin Jones, a është real kthimi te e shkuara i Lëvizjes 5 Yjet? Çdo vëzhguesi të fazës aktuale të politikës i duket e qartë se - nëse një konvertim i papritur dhe unanim i të gjithë lëvizjes në gjendjen e prillit 2008 është i mundur – pasuesit e Beppe Grillos do ta kishin të vështirë të gjenin një elektorat të gatshëm për ta kaluar lehtë  provën e tyre të fundit në qeveri. Kur të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme politike, qofshin këto pas një jave, një muaji apo një viti, ministrat do të vlerësohen për atë që kanë ose nuk kanë bërë.

Për të mos përmendur se - për arsye të dukshme - denoncimi i një ndotjeje të mundshme të frymës revolucionare të origjinës do të ishte krejtësisht joefektiv nëse nuk do të shoqërohej me ofrimin e atyre që janë bërë përgjegjës për këtë shkelje (Di Maio? Ministra, nënsekretarë, Presidentë të Komisionit?) për "ndëshkimin" e atyre që e bënë të mundur (Davide Casaleggio?).

Kthimi në kohët e lavdishme do ta vendoste Lëvizjen Pesë Yjet në kontrast me komponentin "teknik" të qeverisë së saj (duke filluar me kryeministrin) dhe në një marrëdhënie të vështirë me interlokutorët e ardhshëm të mundshëm të të gjithë të majtës. Ndoshta më e lehtë me pjesën më radikale ajo që (në intervistën me Daniela Preziosi mbi "manifestin" që propozon modele të reja organizative) Stefano Fassina e ka riemërtuar në mënyrë efektive "e majta e 1%-shit ". Por kemi të bëjmë pikërisht me një  fraksion politik në minorancë. Duhet të na mësojë diçka fakti që - sipas asaj që shpalli gazeta spanjolle “El Diario” - grupi ekstrem evropian i majtë, pjesë e të cilit janë spanjollët e Podemos, grekët e Syrizës, France Insoumise e Jean Luc Mélenchon-it dhe gjermania Die Linke, sapo ka refuzuar kërkesën për regjistrimin e partisë së Di Maio-s. Edhe më problematike - përtej kërkesave taktike në të cilat ngulin këmbë Andrea Orlando, Goffredo Bettini, Elisabetta Gualmini dhe Gianni Cuperlo - do të dukej  marrëdhënia e një Lëvizjeje 5 Yjet "e kthyer në origjinë" me komponenten PD të Paolo Gentiloni-t, Carlo Calenda-s dhe ndoshta asaj të mbledhur rreth Nicola Zingaretti-t. Pra, për një kohë, ne mund të shohim se Di Battista, Fico dhe pjesa tjetër e Lëvizjes 5 Yjet - përtej qëllimeve - do të mbeten në histori si ata që i hapën dyert Salvinit dhe ia mbyllën Zingaretit. Kjo duke shkaktuar në vetë lëvizjen e tyre një vetëvrasje kolektive si ajo e Guajanës. Padashje, në ndryshim nga reverendi Jones.

Corriere della Sera/TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.