Petrisch si Edward Grey: Po shkëmbimit të territoreve. Interesi i Europës, në plan të parë

Postuar në 01 Qershor, 2019 13:26

Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, nën eufemizmin “kompromis historik” u skualifikua në planin e brendshëm, por ajo po ushqehet nga brenda Europës, nga qarqe apo njerëz që në fakt në Ballkan vetëm zgjidhje nuk kanë sjellë. 
Në një intervistë për agjencinë gjermane, Deutsche Welle, ish-përfaqsuesi i Lartë për Bosnjen, diplomati austriak, Wolfgang Petrisch thotë se për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë nevojitet një Dejton Europian. 

…Propozoj që tani të organizohet diçka si - dialog plus. Ata të dy (presidentët Thaçi dhe Vuçiq) nuk duhet të takohen vetëm një herë në muaj apo dhe më rrallë. BE duhet t'i ftojë të dy palët për diskutime intensive për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në Bruksel apo në ndonjë vend tjetër. Mendoj se mund t'i ftojë edhe në Vjenë, ku palët në një proces shumë intensiv negociator do të tejkalonin dallimet dhe kontradiktat, dhe do të gjenin zgjidhjen më të mirë, mbi bazën e propozimeve që ekzistojnë mbi tavolinë. Kjo duhet të jetë një zgjidhje evropiane. Nuk do të doja që në këtë proces të jenë të pranishëm Uashingtoni apo Moska. Tek e fundit ky është problem evropian, ndaj edhe zgjidhja duhet të gjendet në Evropë. Ndaj mendoj se ky proces duhet të zhvillohet në Evropë

shprehet Petrisch.

I vetëdijshëm se Bashkimi Europian u diskreditua në Ballkan me procesin 6 vjeçar që nuk po konkludon asgjë, diplomati austriak sugjepron edhe shtrëngimet për palët. 

Të dy palëve u duhet thënë: Duam zgjidhje evropiane. Në fund të fundit, të dy vendet duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se interesat e Evropës duhet të jenë në plan të parë. Këtë duhet ta kuptojnë të dy palët.

shton ai. 

Ideja është thjesht teorike dhe voluntariste sa kohë që vetë Petrisch deklaron se Gjermania ka patur një përfaqësues në ekipin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini, por në fund e ndryshoi qëndrimin. Mirëpo ky qëndrim me shumë nuanca po verifikohet edhe në raport me vendimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Zoti Petrisch nuk sqaron sesi do të arrihet më së pari uniteti brenda BE-së, nga i cili të marrë kuptim dhe të mund të përkufizohet nocioni i “interesit europian”. Dhe ky interes që lidhet patjetër me paqen e kërkon premisën e negociatave te një lëvizje e Prishtinës për taksat ndërkohë që ndaj Beogradit nuk ka asnjë sugjerim shtrëngues. 

Nga ana tjetër zotëria mbyll sytë para një fakti shumë bazik dhe thelbësor: çdo negociatë që do të nisë i vendos palët në pozitat aktuale vetëm për shkak se në Kosovë është misioni KFOR. Që do të thotë thjesht dhe fare thjesht: Në Kosovë është Amerika. Manovrat e deritanishme të qeverisë së Kosovës nuk kanë sfiduar autoritetin e ShBA, ndonëse qëndrimet e ndryshme për taksën kanë qenë publike. 

Zoti Petrich nuk sqaron sesi do të sigurojë autoritetin e vet një Konferencë Europiane, që përjashton ShBA-të, kur në terren janë këto të fundit që sigurojnë çdo gjë? Dhe si do të ndodhë kjo kur në doktrinën e sigurisë kombëtare të ShBA, Serbia përkufizohet si vend që përçon ndikikin rus? 

Ajo që zotëria sugjeron është një utopi europiane sipas të cilës Europa duhet të afirmohet në territoret e veta, por duke ecur në rrugën e vjetër të Eduard Greit, që bënte paqe europiane me kufijtë e të tjerëve.

Është po kaq i paqëndrueshëm argumentimi i dhënë se rasti i Kosovës nuk ka për të ndikuar në Republikën Srpska, pasi aty “Dodik nuk ka për të gjetut bashkëbisedues”.
Por as kosovarët nuk kishin partner për çështjen e tyre deri në një farë kohe, por ja që më pas i gjetën ata. Është thuajse flagrant ky arsyetim që në vend se të ofrojë ndonjë zgjidhje, në fakt i qan hallin një Europe që ka mbetur në kryqëzimin e historisë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.