Qeverisja si Jerry Springer Show

Postuar në 04 Prill, 2019 14:20
Shaptilografisti

 

Si ju duket Edi? E kemi fjalën për Edi Ramën, kryeministrin. Ja një pyetje që nuk ka të bëjë vetëm me përshtypjet mbi këtë 18 vjeçar me rreth 40 e ca vjet përvojë, por edhe mbi mënyrën sesi ekrani na e prezanton atë.

Njëherë i ngrysur, njëherë i qeshur, njëherë që qesh me thithje – shfryrje të qiellzës, njëherë që bërtet, që hakërrehet, lëviz me duar e me kokë. Pastaj shan e mallkon, zgjidh fjalëryqin e Shqipërisë dhe të Europës . Ulet, qetësohet. Merr mikrofonin, e mban para vetes, qetësisht, i veshur me triko si ndonjë profesor i dashuruar me nxënësit të cilëve u bën kurse falas çdo pasdite. Flet e flet, pyet vetë, e përgjigjet vetë. Për të tashmen, të shkuarën, por sidomos për të ardhmen. Për Saliun, Lulin dhe Monën, këto “shtylla të Herkulit që definojnë jetën dhe kufijtë e tij”.

Si t’i gatuash në perceptim të gjitha këto shfaqje? Kjo varet. Por SI DUKET EDI, ka më shumë rëndësi SE SI ËSHTË EDI.

Nga larg ngjan shumë i ashpër, por sot nga afër m’u duke si një shokun im të vjetër, që keni marrëdhanie me mu

Kështu u shpreh sot një qytetar që siç raportohet nga mediat e pushtetit “kishte marrë zgjidhje për hallin e vet nga Platforma e Bashkëqeverisjes”. Përshtypja “spontane” e këtij hallexhiu është inskenuar si një spot publicitar elementar për imazhin e kryeministrit që nuk po do të identifikohet me pjesën tjetër të politikës.

Ai duket i ashpër dhe këtu ne duhet të kuptojmë jo një defekt në mimikë, por ashpërsinë që të kërkon misioni i të bërit shtet. Shtetari është i ashpër, diçka më shumë se serioz, apo me pamje akademiku. Por nga afër ai e përgënjeshtron për mirë këtë ndjesi. Sepse ai është njerëzor. Është në fakt, Humanisti i fundëm në një shoqëri që duhet të Rilindë.

Nuk shkon kjo gjellë pa ca erëza. Ndaj edhe modestia bajate e tipit “Më vjen keq që dukem aq i ashpër nga larg, por dhe kaq i butë sa t’u duka sot ty nuk jam”, e bën gjellën gati.

Edi, ai i Vërteti njihet në takimin me njerëz të thjeshtë, që vjelin përshtypje, i ripërtypin ato, i shpërndajnë, bashkë me ndonjë foto. Jetojmë në një vend ku kryeministri ka më shumë rëndësi sesa punëdhënësi, sepse në fakt punëdhënës është qeveria, kryeministri që mban në darën e kontrollit çdo lëvizje paraje. Jetojmë në një vend ku kryeministri është bariu i grigjës, sepse edhe feja është duke mbyllur procesin e legalizimit të objekteve të kultit, pra edhe Zoti vetë po pret në radhë të marrë një firmë nga Artan Lame dhe Edi dora vetë. Po Zotit vallë si i duket ky Edi nga Larg? Nga ekrani i madh i soditjes kozmike?

Edi andej, e Edi këndej. Edi në Veri, e Edi në Jug. Edi brenda dhe Edi Jashtë. Shqipëria përjeton spektaklin personal të Edit që mbush ditët kalendarike me zhurmën e vet. Njësoj si Jerry Springer Show që funksionon mbi një padrejtësi me konsensus kolektiv: të gjithë argëtohen me njerëzit që rrihen në skenë, por pavarësisht kësaj ata bërtasin në kor: Jerry, Jerry, Jerry. Sepse është Jerry që siguron këtë arenën kaq argëtuese.

Qeverisja është publiçitare dhe Tërmet Peçit dikush ia futi në kokë padijen për të bërë dallimin mes Publiçitares dhe Plebishitares që u prodhua si lapsus fatlum. Nga pak Tërmetë jemi të gjithë sepse pushteti në këtë vend e administron kohën e njerëzve si ditë e parë të krijimit.

Të hënën ka takime, të martën “Përgjigja ime”, të mërkurën ka VKM, të enjten ka Parlament, të premten “Zonë e Lirë”, të shtunën është kongresi javor i “Shqipëria që Duam” të djelën Taulant Balla ose “Photo of the Day”. Këtu kalon edhe jeta jonë “publike”. Ky është fat I madh, të jesh prezent në mendjen e kryeministrit dhe në vëmendjen e qeveriut.

Edi, Edi, Edi…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.