Socialistët dhe shqiptarët

Postuar në 05 Mars, 2019 15:27
Shaptilografisti

 

Kryeministri i Shqipërisë shkoi më në fund në Parlament. Pasi u sigurua nga ministri i Brendshëm, burri i shtetit dixhital, Edi Rama, siguroi shfaqjen personale. Ai mbajti një fjalë rreth 25 minuta të gjatë. Akuzoi përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së se nuk kanë ide, se janë sharës profesionistë, se me ikjen e tyre u kanë dhënë mundësi njerëzve të shohin se kanë alternativë tjetër dhe foli edhe për fitoren 100% në zgjedhjet lokale. Duatrokitje…

Duatrokitje edhe kur Shkëlqesia e Tij deklaroi se mazhoranca është kompakte. Bashkimi dhe uniteti janë në fakt imuniteti i partisë së tij nga tallazet e ndryshimeve: Të bashkuar rreth grazhdit, deviza që nuk të lë kurrë në baltë. Dhe patjetër që para grazhdit ku ngopet oreksi, shuhet nepsi, qetësohet stomaku dhe relaksohet frika e së ardhmes, të vijnë edhe idetë. Idetë për marifete të reja, jo për Shqipërinë e cila thjesht po boshatiset nga shqiptarët dhe po popullohet për pasojë nga socialistët.

Por ky është problemi ynë, i të gjithëve. Dicka gabim ndodh në programimin tonë biologjik. Diçka që e bën të pakuptimtë Shqipërinë me 3 - 4 milionë banorë. Ndaj ajo i flak përherë 1/3-at jashtë. Sepse sa më pak, aq më kompakt dhe efektiv është mentaliteti i sektit, grupit, familjarizimit, i korruptimit të ambicieve dhe ëndrrave. Janë këto cilësi që mbajnë gjallë qeveri të progresit si kjo që kemi sot mbi krye e që I ka vënë flakën njëherë e mirë të ardhmes sonë.

Është një qeveri që fyen çdo shqiptar që përpara partisë ka të paktën Familjen e tij. Një qeveri që qëndron në karrige edhe pse për të dhe në emër të saj, së fundmi flet vetëm Taulant Balla, Milva Ekonomi, Elisa Spiropali, apo Pjerin Ndreu. Nuk duhet më shumë për këtë milet.

Sigurisht që flasin dhe shkruajnë mbrëmjeve edhe analistët, që janë Byroja Socialiste e Medias, aneksi i ligësive dhe djallëzive ndaj një populli të tërë. Kafshë ripërtypëse që riprodhojnë mrekullitë e kësaj qeverie, veçanësinë e Edit, punët e bëra nga z. Veliaj, buzëqeshjen e pakuptimtë të Mirelës, apo llogaritë unike të Arben Ahmetajt. Janë këta që çuditërisht nuk kanë asgjë për të shkruar për ministrat e rinj që kanë zgjedhur të mos flasin, por vetëm të punojnë.

Kështu ecën kjo Shqipëri prej kohësh. Mes përrallave që s’i beson njeri me dy pare mend në kokë, e në të cilat autori socialist ka dashur të thotë vetëm një gjë: Duhet t’i besosh. Kështu ecën ky vend i ndarë mes një pale që vjedh, rrjep, grabit, kapardiset, tubohet në darka dhe takime luksi dhe si histori të vetme kërkon tekstin me një fjalë të vetme: Falemnderit!

T’u jemi mirënjohës për nderin e madh që i kemi, këta fisnikë që rrjedhin nga “ata të Malit”, që ndonëse kaloi gjysmë shekulli mendojnë vetëm me stomak dhe shkollohen vetëm për të përligjur punët e marra paradhënie. Kështu ecën në llucë kjo Shqipëri ku bijtë e atyre që i lyen duart në gjak, apelojnë kundër dhunës. Që janë gati të marrin sërish armët e t’i vënë zjarrin vendit duke mos hequr dorë nga monopoli i përrallës se e bëjnë këtë për të mirën tonë.

Atë përrallë për të cilën në mënyrë krejt naïve ish-zv.kryeministri Peleshi mendonte se e zbuloi vetë si një domosdoshmëri të së ardhmes. Kur ajo ka dekada që ushqehet nga të gjitha drejtimet “si thumb në trutë e njerëzisë”. Zoti Peleshi po do të bëjë atë që e bëri Enver Hoxha më herët: përrallën e partisë ta tregojë si përrallë të shqiptarisë. Ndoshta në vegjëli z. Peleshi ka patur prirje të tjera, më komerçiale përderisa i ka shpëtuar kjo gjë.

Dhuna nuk mjafton më kundër kësaj shtame që bart të gjitha sëmundjet, që harliset në çdo sënduk kujtimesh dhe historie që nga bizantinizmi, tek otomanizmi e më vonë te shqiptarizmi. Që prek çdo shqiptar duke ia mbushur mendjen se u iluminua.

Do të duhet forca e të gjitha dialekteve të shqipes për ta thyer këtë monopol të së keqes, të tregimit të përbashkët që është në fakt hipoteka e një sekti miliarderësh. Që po na detyron të armiqësohemi shpirtërisht edhe me gurët e shtëpisë. Që të ndihemi të huaj në vendin tonë sepse prezenca e tyre të bën të ndihesh në armiqësi permanente. Është një lloj shqiptari që nuk pajtohet me shqiptarinë, e cila u bë verem nga veremlijtë e shekullit të 20-të, qeniet e pathekse, anemike dhe me pasione abdominale, siç i përshkruante dikur Konica. Që ngrenë çdo flamur e që vëllazërohen me çdo njeri, çdo popull dhe çdo fe.

Kjo nuk është përplasje civile, por një luftë e vërtetë identiteti brenda vetë shoqërisë. Një pjesë e së cilës nuk po kupton se problemin e ka te sundimi i skllevërve të virtytshëm të çdo të huaji që kalon këtej pari. E që flasin shqip si të gjithë ne, por flasin një shqipe koke dhe barku, jo një shqipe zemre. Sepse zemra, kësaj specieje nuk i duhet veç për të kuptuar nga duhet të votojë, siç edhe e thotë një devizë socialistësh. Problemi rrjedh nga struktura e padeklaruar e kastës që ka zënë rrënjë në këtë vend. 

Ne dimë të bëjmë qytet, tha sot kryeministri.

Është ai qytet që përkufizon hapësirën publike me pronat e tij, të tyret, klientëve dhe miqve të klientëve. Ne po paguajmë për mirëqenien e fëmijëve të socialistëve të sotshëm, që ata nesër të rriten në ajër të pastër, që të kenë prona në hipotekë, të kenë llogari bankare me shumë zero. Kjo është Shqipëria si projekt i parë dhe i fundit që administrohet nga këta tagrambledhës që kanë mësuar para Nikos se përralla është biznesi i parë. Ditën kur të kemi kuptuar se sa të Huaj jemi për njëri-tjetrin, do të jetë edhe dita e parë që do të mësojmë ta duam ndryshe vendin tonë, kur formulat, ritualet nacionaliste, parimet patriotike e të gjithë budallallëqet me zarar që na mbajnë sot në gjumë do të dalin lakuriq se janë e liga që sot na tregëtohet si parim uniteti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.