Pushohen dy çështje penale për Denar Bibën

Postuar në 22 Shkurt, 2019 19:48

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, me kërkesë të prokurorisë, ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj ish - kreut të KQZ-së Denar Biba për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Bëhet fjalë për pushimin e hetimeve për çështjen e Ledi Biankut, gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strazburgut. Hetimet për këtë rast u ndoqën nga prokurori Adriano Dyrmishi, i cili kërkoi edhe nga gjykata të miratojë pushimin e hetimeve. Prokurori tha se Ledi Biankun nuk është marrë dot në pyetje pasi nuk ndodhet në Shqipëri. Ndërkohë vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Bani.

Nga hetimet e kryera është pyetur vetë ish- kreu i KQZ-së, Denar Biba, i cili ka sqaruar "se premtimet se po i ofronte ndonjë vend pune Biankut, janë qesharake". Ndërkohë “Tema TV” ka siguruar edhe dëshminë e zotit Biba në prokurori. Ish kryetari i KQZ-së ka sqaruar versionin sipas tij të takimit me z. Bianku. Ai pranon se i ka kërkuar ndihmë Biankut, por jo që të ndikojë:

"Biseda ka qenë e gjatë, mbi 40 minuta, duke qenë se kishim kohë pa u parë dhe kishim ç'të flisnim. Ka kaluar kohë e gjatë, por kujtoj që kemi folur për familjet tona, për miqtë e përbashkët. Folëm për qëllimin e vizitës dhe i kërkova ndër të tjera të më jepte ide sesi mund të ishim sa më bindës në kërkesën tonë, duke qenë se ishte dhënë tashmë një shtyrje prej 18 muajsh. Unë isha në dijeni të pamundësisë së tij formale për të ndikuar në këtë çështje, pasi tashmë bëhej fjalë për një vendim të marrë prej muajsh, por duke qenë se tashmë vendimmarrja ishte politike e jo juridike, i kërkova që të na gjendej me se të mundej për të siguruar shtyrjen, duke qenë se në ato momente shteti shqiptar thjesht nuk i kishte mundësitë të paguante shuma aq të mëdha".

Pas kësaj çështjeje Biba dëshmon në prokurori edhe për çështjen e punësimit të tij në krye të Komisionit të Prokurimit Publik që sipas tij e ka marrë pa dëshirë.

"Pas kësaj kaluam në tema të tjera, ndër to edhe se përse unë kisha pranuar të merrja detyrën e Kryetarit të KPP, kur në fakt dëshiroja Gjykatën Kushtetuese e në pamundësi Avokaturën e Shtetit. I sqarova se, me prorsi të Kryeministrit Rama, më thirri, z. Agaci dhe më propozoi kreun e KPP. Fillimisht nuk pranova. Pasi dola nga takimi me atë, fola me disa miq të mitë të cilëve ua respektoj dhe kërkoj këshillën. Njëri prej tyre ndër të tjera më tha se: "Me tipa si Edi Rama, ky tren vetëm njëherë të qëndron në stacion" dhe se "Ke bërë sakrifica, do ngelesh pa punë" duke përmendur faktin që isha dorëhequr nga detyra e Zv/Kryetarit të KQZ disa muaj më parë dhe kisha mbi 6 muaj pa punë. Si rrjedhim pranova, ndonëse nuk më pëlqente si punë. Pasi folëm edhe për pak,  u ndamë duke u përqafuar dhe me të fala për familjarët tanë".

Duhet theksuar se Biba u largua nga Komisioni i Prokurimit Publik përmes dorëheqjes bashkë me dy anëtarë të tjerë në të njëjtën ditë. Ndonëse si arsye formale jepet largimi i tij me dëshirë, burime prane qeverisë i thanë “TemaTv” se përpara shkarkimit ka patur një auditim nga kryeministria që ka rezultuar problematik.  

Përveç kësaj çështjeje që pushohet me kërkesë të prokurorisë, për z. Biba është mbyllur edhe një tjetër dosje që ka të bëjë me funksionin e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Tema Tv mëson se me kërkesë të prokurorisë së Tiranës është pushuar edhe çështja penale e krijuar nga  raporti ti auditimit të KLSH-së për KQZ-në për vitin 2018. Sipas Burimeve të Televizionit Tema, raporti i KLSH-së i cili është cilësuar si konfidencial, akuzon zotin Biba se ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 120 milionë lekësh. Dyshimi këtu ngrihet për prokurorinë e cila ndonëse për çështjet kërkon kohë të gjatë për t’i shqyrtuar, për rastin në fjalë e ka mbyllur hetimin brenda 11 ditëve.

Në një përgjigje zyrtare të organit të akuzes thuhet se kallëzimi është regjistruar më 12 dhjetor 2018 dhe me 23 dhjetor është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Prokuroria nuk sqaron se për cilin person është regjistruar kallëzimi ndërkohë që koha e shkurtër e shqyrtimit nënkupton se askush nuk është marrë në pyetje. Me një procedim çuditërisht të shpejtë z. Biba është çliruar nga të gjitha akuzat që i janë ngritur ndërkohë që ai përflitet si një ndër emrat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.