Koha që biznesi të marrë pjesë aktive në debatin publik...

Postuar në 27 Janar, 2019 22:47
Skerdilajd Zaimi

Debati më i fundit për ndërtimin e heceve në Shqipëri, apo keqinformimi i posaçëm se në Zagori do të nisë kërkimi për naftë, nxjerr në sipërfaqe dy probleme: së pari pervertimin e lëvizjeve dhe shoqërisë civile që vihet në punë jo mbi bazë kauzash, por parash dhe interesash të ngushta. Dhe kjo ka të keqen se diskrediton vetë çështjet që me të vërtetë ja vlejnë për mobilizim, si p.sh prekja e Vjosës për të cilën ka sensibilitet ndërkombëtar dhe lokal.

Së dyti se biznesi vetë është i papërgatitur të mbrojë, apo edhe të përpiqet të mbrojë në rrugë publike, me debat dhe argumente interesin dhe investimin e vet.

Të dyja bashkë kanë provokuar një situatë ku interesi i të gjithëve është peng i zhurmës, keqinformimit duke e lënë modelin e zhvillimit, apo kahjen e tij, në mëshirë të humorit të disa matrapazëve profesionistë dhe një qeverie që heq bythën mënjanë.

Parimisht nuk ka asgjë të keqe që të rreshtohesh në njërin krah apo tjetrin. Rëndësi ka që palët të përballin argumentet dhe jo të mprehin brirët e histerisë. Në rastin konkret, atë të Zagorisë, të ashtuquajturit mjedisorë dhe banorët kanë rekrutuar, apo kanë lejuar që mes tyre të shfaqet edhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, një personazh që do të mbahet mend se nuk ndali asgjë kur kishte në dorë ta bënte këtë.

Përtej kësaj, është e udhës që për çështje të këtilla të ndjekim modele debatimi që janë pjesë e kulturës së bashkëjetesës, ku biznesi dhe disa modele zhvillimi nuk mund të shihen si fatkeqësi kombëtare. Rasti më i fundit është ai drejtorit ekzekutiv të Philip Morris, Andre Calantzopoulos, i cili është drejtuar të gjithë klientëve përmes një letre të hapur që është publikuar nga Politico.

Në mënyrë krejt të papritur për mënyrën sesi i shohim gjërat këtu në Shqipëri, Calantzopoulos paralajmëron atë që e quan një botë pa cigare. Ai pranon se në të shkuarën kompania është dëmtuar në imazhin e vet, por kjo nuk duhet të pengojë aplikimin e alternativave që duket se PM i ka gati për t’i hedhur në treg. Për ta kuptuar këtë mjaftojnë disa shifra: sot në botë janë 1 miliardë njerëz që pinë cigare dhe në vitin 2025 do të jenë edhe 1 miliardë të tjerë. Si do të përjashtohet atëherë PM nga zgjidhja e situatës?

Pyetja e duhur do të ishte: Kur do të ndalojnë njerëzit së bleri cigare?

thotë Calantzopoulos.

Sipas tij në diskutimin për efektet e duhanit ka një polarizim dhe paralizim të debatit që vjen si pasojë e faktit se shumëkush i sheh kompanitë si PM pjesë vetëm të problemit dhe jo të zgjidhjes. Ja që drejtori i saj ka zgjedhur të hyjë në debat dhe të kërkojë audiencën për të propozuar zgjidhjet që vetë kompania ofron dhe sugjeron në këmbim të cigareve të sotme.

Ne kemi investuar më shumë sesa 4.5 miliardë dollarë në kërkime dhe zhvillim për t’u siguruar duhanpirësve të rritur opsione më të mira sesa të vazhdojnë të pinë duhan. Përtej këtij investimi, qëndron shkenca e vërtetë…Por produktet innovative dhe zgjidhjet e reja nuk mund të bëjnë gjë nëse njerëzit nuk i njohin ato. Ne jemi gati dhe dëshirojmë që të flasim me njerëzit në të gjithë sektorët dhe të dëgjojmë të gjitha këndvështrimet , përfshirë ato që nuk bien dakord me ne. Ata që dyshojnë në qëllimet tona, që bllokojnë progresin pa marrë kohë për të kuptuar shkencën dhe përmasën e mundësive për shëndetin publik u keqshërbejnë duhanpirësve... Këta detraktorë janë bërë zhvlerësues të zgjidhjeve për shëndetin publik. Ata po bllokojnë ndryshimin dhe shumë duhanpirësve po u mohohen këto alternativa

shton Calantzopoulos.

Është një dimension të cilin biznesi serioz nuk mund ta ndajë në botën e sotme të teknologjisë së informacionit dhe mediave sociale. Ku paragjykimi dhe helmimi i opinionit është shumë i lehtë për t’u bërë nga njerëz që edhe kur janë synim-mirë veprojnë në keqbesim dhe shpesh pa u informuar.

Për hecet për të cilët po flitet shumë dëgjohet vetëm një anë, flitet vetëm për dëmet në natyrë dhe në mjedis, duke kaluar rrezikshëm drejt një vështrimi të vendit si vakëf. Ka thirrje për moratorium, por Shqipëria është vendi komik i moratoriumeve që nuk zbatohen dhe për të cilat nuk ka analiza kostosh dhe përfitimesh. E rëndësishme është që tregu i energjisë të mos banalizohet njësoj si ai universiteteve sepse nuk kemi nevojë për piramida të reja, por është po ashtu e qartë se kjo lloj klithme për Shqipërinë që po e zhelosin dhe ndosin është po aq e dëmshme.

Për Zagorinë është thuajse e kotë të flitet, pasi aty ku bërtasin se po ndotet nga nafta nuk duan të shohin se aty naftë nuk do të kërkohet. Këmbëngulet në versionin se Parku Kombëtar duhet mbrojtur. Është po ai problem autizmi që ngre me shqetësim përfaqësuesi i PM. Është e qartë se kauza të tilla e ndajnë shoqërinë, por koha ka ardhur që krahas apelit për ndërgjegje ekologjike, siç shkruante dikush pak ditë më parë, të krijohet edhe një kulturë debati dhe sidomos veprimi nga biznesi që nuk mundet të operojë duke u falur në zyra ministrash dhe drejtorësh, apo të pranojë gjoba nga media.

Media ka një rol për të luajtur por jo të gjithë rolin. Ajo nuk është tribunë protestash dhe nervozizmi. E luan sot këtë rol sepse askush nga grupet e interesit nuk preferon të flasë, të argumentojë, duke lënë fushën bosh për disa pseudoshenjtorë të natyrës së virgjër ndërkohë që janë biznesmenë të fjalës dhe shantazhit. Të gjithë duhet ta kemi të qartë: nëse lejojmë që pisllëku dhe meskiniteti i një kategorie do të largojë një kompani si Shell ndërkohë që për Bankers p.sh askush nuk flet, atëherë askush në të ardhmen nuk mund të ankohet se pse nuk shkel kush në këtë vend. Do të shohim vetëm fshatra turistikë si ai në Palasë, për të cilët askush nga këta zhurmuesit nuk flet, ndoshta sepse nuk dinë gjë, ose ndoshta sepse kanë ndonjë çati aty. Por shapi duhet ndarë nga sheqeri, sepse edhe tranzicionit në media e shoqëri civile duhet t’i vijë fundi, sidomos kur sheh se niveli i gënjeshtrave është fare bajat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.