Bashkimi si alibi e nacional-hajdutërisë

Postuar në 06 Janar, 2019 14:39
Skerdilajd Zaimi

Hashim Thaçi duket se ka gjetur aleatët e vet shqiptarë për funksionalizimin e idesë së ndarjes së Kosovës. Përmes një letre drejtuar përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe Presidentit të Kosovës, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa dhe deputeti shqiptar në Parlamentin serb, Fatmi Hasani, kërkojnë që në dialogun Serbi-Kosovë të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës.

Duke qenë pjesë përbërëse e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë edhe pjesë e zgjidhjes së saj. Prandaj, ne kërkojmë përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në fazën finale të dialogut, që synon arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme

thuhet në letër.

Lëvizja është e stisur, me gjasë nga Hashim Thaçi, pasi edhe më parë ai ka synuar të legjitimojë veten në ushtrimin e detyrës së ushtarit për ndarjen e Kosovës, duke iu referuar kërkesave të ligjshme të shqiptarëve të Preshevës. Me këtë kërkesë Thaçi nuk është çudi që të dalë e të shprehet njësoj si ish-mbreti Zog, se ai për nevojat e Atdheut do mbathë opingat e do dalë malit sërish. Por edhe në qoftë e vullnetshme, ajo reflekton të njëjtin problem ballkanik. Dhe në Ballkan e vërteta është se nuk ka raste sui generis siç pretendohet më së koti.  

Nëse qytetarë serbë me kombësi shqiptare kërkojnë një gjë të tillë, pse vallë qytetarë kosovarë me kombësi serbe nuk do kërkojnë të njëjtën gjë ndaj BE-së? Pse më tej akoma, Vangjel Dule në Shqipëri nuk ka të drejtë ta kërkojë një gjë të tillë? Pyetja nuk është retorike, por konkrete, për shkak se edhe vetë shifrat e emigrimit flasin se shqiptarët në fakt nuk po ikin nga vendi i tyre, por nga njëri-tjetri. Dhe me të vërtetë, bota është një vend shumë I bukur sa për ta ndarë atë në bashkëjetesë vetëm me shqiptarë.

Sidomos kur në krye të tyre vijnë përherë njerëz si Hashim Thaçi, Edi Rama, Sali Berisha apo Ilir Meta, përfaqësues të nacionalhajdutërisë që strehohet përherë te përralla e kombit krenar dhe autokton.

Lëvizja, edhe në marrtë miratim nga ndërkiombëtarët, do të shënojë fillimin e fundit të projektit nacionalist shqiptar, ashtu siç u konceptua ai në mënyrë qesharake me publicistikën e rilindasve dhe që i ngjashëm me ato të vendeve të tjera fqinje, nuk udhëhiqet nga ndonjë ide zhvillimi, as edhe progresi, por nga brenga për të sterilizuar etnikisht territoret ku si shumicë janë shqiptarët. Nga një lloj malli nostalgjik irracional për t’i parë shqiptarë bashkë në një vatër.

Eksperimenti i shtetit etnik e më tej, marrëzia e idesë së bashkimit si kurë për problemet tona, është që në nisje i dështuar pse ai është zgjidhje inerciale e huazuar nga ideologji të shekullit të 19-të që në Ballkan janë antihistorike. Por daullet kanë nisur të bien dhe kur dëgjojnë daullet, shqiptarët- një pjesë e tyre – e kanë vështirë të ndalen. Dhe nuk ndalen edhe pse shohin që daullexhinj janë thaçët dhe ramët, berishët dhe metajt, e gjithë kolonia e shqiptarisë që koncesionin dhe prokuron, që livazdhis në trafiqe droge e që ka zhbërë çdo funksion kulturor të asaj që thirret shqiptari.

Këta nesër do kërkojnë të jenë heronjtë e një bashkimi që do gëzojë vetëm ata. Sepse mizerja do vazhdojë të jetë e njëjtë, sado që alibia është e fortë. Pasi askush nuk kërkon të shohë aty ku është problemi/et, por mjaftohet të kapë ritmin e emocioneve tifozerike të një shoqërie që nuk ka asgjë, nuk aderon dhe as vendos për fatin e vet, ekonomik, social dhe politik, por vetëm çirret sa ka në kokë, në absurdin e gjendjes së vet: oh sa mirë me qenë shqiptar!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.