Oh, sa e mirë është tallavaja!

Postuar në 24 Dhjetor, 2018 16:27

Grupimi “Tifozat Kuq e zi” ka akorduar sot çmimin “O Sa Mirë Me Qenë Shqiptar” për Lorik Canën. Lajmin e bën të ditur televizioni kombëtar, Top-Channel që i bën një asist edhe gazetarit folklorik Merin Mema, për të cilin shkruan se është pritur me ovacione në takimin e mbajtur me këtë rast. Madje lajmi për ovacionet ndaj Maros është më i gjatë sesa lajmi për vetë çmimin dhënë Lorik Canës.

Cili është kuptimi i këtij çmimi? A mundet ta gjejë dot njeri? Cili është kuptimi i një çmimi që jepet në një shoqëri që ka 1.4 milionë emigrantë me 1.7 milionë të tjerë që duan të ikin? Cili është kumti i një çmimi të tillë, si të shpjegohet ky entuziazëm, ky egoiëm dhe kjo vetëkënaqësi në një vend që është në fund për çdo vlerë?

Ky nuk është nacionalizëm të cilin mandej ta konsiderojmë në ëmnyrë ofensive si strehë. Aspak. Ky është një lloj ceremonie dionisiake katundareske me qeleshe dhe flamur, ku histeria e fjalës shqiptar është kolonë zanore. A mund të marrësh pjesë në ceremoni të tilla si spektator? A mund të pranohesh si shqiptar i tjetër lloji në këto mejhane simbolesh kombëtare që po ulen në rangun e një heraldike lagjarësh që kanë si talent vetëm ulërimën?

Që këtej mund të kuptohet edhe ajo histeria tjetër ndaj një komentatori që u shpreh se në iks kampionat është tifoz me Serbinë. Ishte ky grupim që nisi gjyqin kolektiv dhe që kërkonte largimin e tij nga televizioni publik. Mund të mirëkuptohet deri diku turravrapi i këtij budallallëku, pasi në fund të fundit, në shoqëri kaq mediokre si jona, që nuk konkuron dot me asgjë, dikur do të nxirrte krye kombësia si cv e talenteve imagjinare dhe cilësive apo virtyteve të hiperbolizuara.

Por nuk mund të mirëkuptohet sjellja e një televizioni kombëtar që i bashkohet kësaj tallavaje me gaz e hare, e që i ngjan atyre situatave kur vihesh në siklet ngaqë po të përlavdërojnë pa doganë.

Po sikur një ditë të shpërndahet çmimi “Libohoviti”, “Zagoriti”, “Kuçioti”, apo edhe “Skraparlliu” i vitit, larg pasthirrmave “ooohhh sa mirë”, çfarë do themi? Se të qenit zagoriti apo elbasanlliu i vitit është një shkallë më poshtë sesa ai që merr “o sa mirë me qenë shqiptar”? Ka që tremben nga nacionalizmi shqiptar. Në të vërtetë ky as nacionalizëm nuk është. Kjo është një turfullimë frustrimesh, një inat e një mllef i një shoqërie që dështimin e vet e fsheh në akuzat ndaj të tjerëve për të ngritur lapidarë të një krenarie të rremë pse ose mashtron veten, ose ka keqkuptuar historinë e vet.

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Nuk mund te heq e as shtoj asnje fjale. Analize me vend, ju pergezoj Redaksi.
Me Canen keta i hapen rrugen korrupsionit ne football, me Marin Memen i hapen rrugen trillimeve dhe masturbimit te mendjes ne gazetari me te dyja sebashku duke i menderosur nen velonin e nacionalizmit; barkbosh. Keta, toksebashku jane turme kolektive qe si dele kane nje instikt. Ve bast se heres tjeter, Marin Mema (pasi te bej nje program per te) do te ia kushtoj ketel cmim hajdutit qe nuk ka lene kotec pulash ne fshatin e lindjes pa vjechur, A Rizait.
A ishte Linda Morina ne kete mejhane?

Submitted by bimmi (not verified) on

Nese nje cmim te tille do ta jepte nje institucion shteteror apo cdo person, juridik e fizik, i lidhur me politiken, turfullima ndaj nacionalizmit ne e shprehur ne kete shkrim, do te ishte deridiku e justifikueshme, megjithe mllefin e tepert dhe te pakuptueshem ndaj gazetarit Marin Mema.
Eshte bere mode, tashme, sidomos ne rrethet snobe te shoqerise shqiptare, te jesh antinacionalist. Eshte bere aq mode sa ka dale nga moda , dhe eshte bere me te vertete e velshme, deri ne gerdi.
Ne fakt te kompleksuarit dhe te frustruarit e vertete ne kete mes, jane pikerisht snobet provinciale, te cilet perqeshin ndjeshmerine e natyrshme te nje pjese te konsiderueshme te popullsise. Por edhe kjo eshte nje poze. Nuk jane te vertete ne anti-nacionalizmin e tyre. Eshte nje impostim snob. Eshte thjeshte nje poze prej snobi provincial. Keta jane provinicialet e vertete.
Shoqeria shqiptare me te vertete qe eshte e mjere, jam dakord; madje eshte aq e mjere, sa edhe snobizmin e ka fallc... edhe fallcitetin e ka fallc!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.