Si gënjeu ministri Gjiknuri. Garancia financiare e DH Albania nuk mund të merret

Postuar në 19 Dhjetor, 2018 13:57

Në datën 8 dhjetor 2018, ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri do të sqaronte në rrjetin social Facebook situatën e krijuar me kompaninë DH Albania e cila ishte shpallur fituese e Lotit 1 në projektin e Unazës së Madhe. Ndër të tjera Gjinuri shprehej se:

Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentat e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike.

Vetëm pak ditë më pas ministri do ta relativizonte qëndrimin e tij, duke u shprehur para gazetarëve se kompanitë që falsifikojnë dokumentet në tendera janë të shumta dhe se për to Agjencia e Prokurimit Publik merr shpesh masa administrative të përjashtimit nga procedurat e prokurimit apo ato koncesionare. Dhe e vërteta është pikërisht kështu siç thotë ministri. Pse atëherë do të ndiqet një qasje e veçantë në këtë rast? Pse është hapur hetim penal për administratorin e DH Albania dhe mbi të gjitha: Sa është e mundur dhe e vërtetë që qeveria shqiptare të marrë atë që ministri e quan garanci financiare? Përpara se të trajtojmë këtë çështje le të shohim shkurtimisht se çfarë ndodh gjatë një procedure prokurimi.

Baza ligjore

Baza ligjore që përdoret kryesisht nga institucionet publike në kësi rastesh është ligji 9643/2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 914/2014 “Për Rregullat e Prokurimit Publik", e ndryshuar. Në këtë VKM, në kuptim të të cilit institucionet publike që prokurojnë quhen Autoriteti Kontraktor (AK), saktësohet se çfarë janë Dokumentet Standarde të Tenderit (DST- neni 11). Po në këtë vendim dhe brenda DST, normohet edhe detyrimi i palëve për dy akte me shumë rëndësi në një procedurë prokurimi: sigurimi i ofertës dhe sigurimi i kontratës. Që përmbajnë atë që z. ministër e quan garanci financiare.

Sigurimi i Ofertës

Sigurimi i Ofertës trajtohet në nenin 18 të VKM-së dhe ajo është opsionale. Pra mundet edhe të mos kërkohet (dhe në fakt prej më shumë se dy vjetësh disa AK nuk e kërkojnë as për prokurime mbi 100 milion lek të reja). Ky nen sqaron se çfarë është Sigurimi i Ofertës:

Sigurimi i ofertës ka formën e një depozite apo garancie, të lëshuar nga një bankë ose shoqëri sigurimi.

Pika 2

Ofertuesit paraqesin sigurimin e ofertës në vlerën 2% të vlerës limit të përcaktuar në DST.

Në rastin konkret nëse vlera limit ka qenë 2 246 450 297 lekë (të reja pa TVSH) kjo formalisht do të thotë se ofertuesit në grup (në këtë rast vetëm kompania DH Albania) duhet të depozitonte diku te 45 milion lekë të reja.

Neni në fjalë sanksionon prerazi edhe se:

Sigurimi i ofertës duhet të jetë i vlefshëm gjatë gjithë periudhës së prokurimit

dhe në pikën 3 shton:

Lëshuesi i sigurimit (banka ose kompania e sigurimit) të ofertës duhet:

a)    Të mos vendosë asnjë kusht për pagimin

b)    Të paguajë shumën brenda 15 ditësh nga data e marrjes së kërkesës nga autoriteti kontraktor.

Por a ndodh në të vërtetë kështu?

Nga një hulumtim i ResPublica në prokurimet publike rezulton se më shumë se 90% e Operatoreve Ekonomike (OE) zgjedhin formën e sigurimit të ofertës nëpërmjet një shoqërie sigurimi. Kjo kërkon indirekt që “garancia” të zyrtarizohet si akt formal nga ofertuesi me pagesën e Primit të Sigurimit të Ofertës që i kërkon shoqëria e sigurimit. Në rastin e një sigurimi oferte nëpërmjet një banke (të nivelit të dytë), OE do të duhej të bllokonte të tërë shumën e kërkuar si sigurim dhe kostoja e operacionit për OE do të ishte thjesht kostoja e veprimeve bankare të përmuajshme (rinovim garancie), çka është më e ulët se Primi i Sigurimit.

Çdo të thotë kjo?

Kjo do të thotë që ofertuesi, në këtë rast DH Albania, i drejtohet një kompanie sigurimi duke paguar Primin e Sigurimit të Ofertës që  në këtë rast po e zgjedhim si vlerë të përafërt (nga info nga tregu): 0.005 mbi vlerën e siguruar. Pra kjo aplikohet mbi 2% të vlerës limit. Më tej “garancinë” në vlerën reale e merr përsipër formalisht kompania që ka statusin e Lëshuesit të Sigurimit të Ofertës. Pra DH Albania ka bërë derdhje të 0.005 të 45 milionë lekë (të reja) pranë një kompanie sigurimi, shifër e cila është afërsisht te 224650 lekë (pra 2.2 milionë lekë të vjetra). Mandej kjo kompani ka dalë garant për Sigurimin e plotë të Ofertës pranë Autoritetit Kontraktor.

Çfarë ndodh në momentin e shpalljes së fituesit?

Në VKM-në në fjalë, konkretisht në pikën 4 të nenit 18 sanksionohet se:

Autoriteti Kontraktor duhet t’ua kthejë ofertuesve sigurimin e ofertës jo më vonë se 15 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës.

Kontrata në fjalë, sipas buletinit të APP-së është nënshkruar(lidhur) në datën 2 nëntor. Kjo do të thotë se vlera e sigurimit të ofertës depozituar formalisht nga DH Albania ka pushuar së qeni detyrim duke filluar nga data 18 nëntor dhe në këtë pikëpamje edhe detyrimet që rrjedhin mes ofertuesit dhe Lëshuesit të Sigurimit po ashtu. Kjo përjashton primin e paguar si kosto pranë kompanive të sigurimit (i cili mbetet kosto e shpenzuar për OE).

Sigurimi i Kontratës

Sigurimi i Kontratës trajtohet në nenin 24 ku thuhet:

Pika 1

Sigurimi i kontratës garanton Autoritetin Kontraktor në rast të shkeljes së kontratës. Para nënshkrimit të kontratës, ofertuesi i zgjedhur si fitues duhet t’i dorëzojë AK-së një sigurim kontrate prej 10% të vlerës së saj. Sigurimi i kontratës ka formën e një depozite apo garancie të lëshuar nga një bankë apo shoqëri sigurimi.

Njësoj si në rastin e sigurimit të ofertës, edhe në këtë rast operohet me formularin përkatës që nënshkruhet mes Lëshuesit/Siguruesit – kompanisë së sigurimit - dhe operatorit fitues. Ky formular me të gjitha detyrimet përkatëse i dorëzohet Autoritetit Kontraktor përpara nënshkrimit të kontratës.

Është një moment që ka rëndësi për shkak se këtu qartësohet fakti se Autoriteti Kontraktor është në dijeni të detyrimeve reciproke mes palëve dhe kushtëzimeve mes tyre. Formulari i Sigurimit të Kontratës është një dokument standard ku siç mund të shihet në foton përkatëse, përkufizohen Kushtet e Përgjithshme të Kontratës dhe kur ekzekutohet ajo që zoti Gjiknuri e quan Garanci Financiare. Konkretisht në pikën 2 – Objekti i Sigurimit - të shembullit të një kontrate faktike që kemi sjellë thuhet:

1.    Siguruesi garanton Përfituesin(AK) për përmbushjen e detyrimeve të kontratës së prokurimit të nënshkruar ndërmjet palëve në përputhje me DST.

2.    I siguruari(kontraktori) detyrohet t’I kthejë Siguruesit(kompanisë së Sigurimit) çdo vlerë monetare të paguar prej tij(Siguruesit) në rast të ekzekutimit të garancisë.

Pra ajo që thotë z. Gjiknuri ngjan se është e thjeshtë: Autoriteti Kontraktor kërkon paratë te Siguruesi, i cili mandej, pas depozitimit të vlerës së Sigurimit të Plotë të Kontratës do të kërkojë shumën e parave te i Siguruari. Në këtë rast DH Albania. Por në fakt nuk është kështu dhe ministri bën sikur nuk e di. Themi bën sikur nuk e di, pasi nëse vërtet nuk e di, do të ishte rast klinik. Në formularin e Sigurimit të Kontratës normalisht Siguruesi, pra Kompania e Sigurimit sqaron qartë se ajo do të:

Transferojë në llogarinë e Autoritetit Kontraktor vlerën e siguruar, brenda 15 ditëve nga kërkesa…e tjeshtë dhe e parë me shkrim, pa kërkuar shpjegime, me kusht që kjo kërkesë të përmendë  Mospërmbushjen e kushteve të kontratës.

Ka edhe një arsye tjetër për të cilin z. Gjiknuri duhet të ketë dijeni për kushtëzimet e sigurimit të kontratës. Në Shtojcën 20 të DST të këtij tenderi pëcaktohet shprehimisht formulim identik për mënyrën sesi do të bëhet transferta e parave në rast të ekzekutimit të asaj që quhet garancia financiare. 

Por edhe sikur të mos ishte një pikë e tillë, ne kujtojmë nenin 24 të VKM-së që thotë se:

Sigurimi i kontratës garanton Autoritetin Kontraktor në rast të shkeljes së kontratës

Cila është shkelja e Kontratës që ka bërë DH Albania? Kjo është një pyetje që duhet t’i përgjigjet ministri Gjiknuri? A përbën shkelje të Kontratës falsifikimi në Dokumentacionin Standard të Tenderit? Kjo është një pyetje që duhet t’i përgjigjet juristi Damian Gjiknuri. Në fakt për rastin konkret një përgjigje, ministri e ka marrë nga Siguruesi Avni Ponari, i cili ka referuar pikërisht këti dispozitë. Pra përpara se të kërkohen paratë, qeveria duhet të argumentojë se ku është shkelur kontrata. Me aq sa kuptojmë ne kontrata nuk është shkelur sepse ajo as nuk ka nisur të ekzekutohet. DH Albania ka falsifikuar pjesë të Dokumentacionit Standard të Tenderit, por siç e dimë, kjo gjë ndodh rëndom dhe kush shikon buletinet e APP-së do të vërejë se ato happen pikërisht me njoftimet për masat administrative ndaj kompanive që bëjnë shkelje të tilla. Është interesant fakti se në buletinet e muajit nëntor, një prej kompanive ndaj së cilës ishte marrë masa e përjashtimit nga procedurat koncesionare dhe PPP, por çuditërisht jo nga procedurat tenderuese, ishte edhe…Victoria Invest. Le t’ja lëmë zotit Gjiknuri, juristit, jo ministrit, të bëjë dallimet mes shkeljeve të Dh Albania dhe Victoria Invest, apo pse kur falsifikon dokumentet njëherë trajtohesh si kundravajtës penal, njëherë si kundravajtës administrativ dhe njëherë tjetër si kndravajtës administrativ vetëm për një procedurë të caktuar.

Ne i besojmë ministrit që na ka thënë se ai do të sekuestrojë garancinë, të cilin z. Ponari ia atribuon si akt gjykatës. Deri atëherë ne të gjithë mbetemi në pritje të parave që kthehen në arkën e shtetit megjithë leshelinë proceduriale ku ka futur veten socialisti Damian Gjiknuri, i cili për çudinë e të gjithëve nuk e ka këtë zell edhe për kontratën 12 milionë euro që e njëjta kompani, pra DH Albania fitoi me OST-në. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.