28 vjet - Nga faktor në dekor

Postuar në 12 Dhjetor, 2018 15:25
Skerdilajd Zaimi

E shkreta Parti Demokratike! 28 vjetori i themelimit e gjen në përpjekjen për t’u fshehur pas protestës së studentëve. Për të ngulitur fiksionin e një proteste ku ajo thjesht po ndihmon dhe po i hap korridorin e frymëzimit politik.

Një ndryshim i madh pas 28 vitesh, kur protesta gjeneronte krijimin e një partie që duhet të ishte partie e intelektualëve. Hedh sytë sot dhe sheh Klevis Balliun, Grida Dumën, Salianjin që kanë shpallur aleancë me partinë e ish-studentit Ilir Meta në kërkim të rekrutëve studentë, për të faktorizuar axhendat e veta. Pas kauzës së një proteste që po e ndotin për çdo çast.

Kush janë axhendat e PD-së dhe LSI-së? I dimë të gjithë. Axhendat e koncesioneve, të tenderave, të lejeve të ndërtimit, që sot i ndajnë me Edi Ramën sa herë ky ka nevojë. Pse duhet të çuditemi që të jenë duke bërë edhe tani këtë gjë?

PD-ja është sot me mjerimin e vet demokratik një kufizë e pluralizmit që nuk arrin edhe në kushtet e një pakënaqësie masive të faktorizohet si alternativë. Dhe e di fare mirë shkakun. Sepse në CV-në e saj, nuk janë vetëm ato që dëshiron z. Berisha të rendisë në fjalimet e përvitshme të përvjetorëve. Janë edhe pazaret e Lulit. Ato që përfliten. Por është edhe pazari i madh i majit 2017, që nuk mund të harrohet ndonjëherë. Sepse është Pazar kur dy njerëz pështynë mbi qëndresën e qindrave të tjerëve dhe mbi shpresën e mijëra të tjerëve.

Vraga e pazarit si mentalitet qëndron mbi fytyrën publike të një partie që nuk ka më identitet tjetër pos dëshirës për pushtet. Ajo ndodhet në këtë fazë përpëlitëse sepse nuk përfaqëson më asgjë, studentët jo e jo. Ajo është shprehi e konsumizmit që ushqen parazitizmin.

Kush vallë do të votonte sot për Lulin? Cili qytetar i zhgënjyer dhe i lodhur, që e urren qeverinë e Edi Ramës, këtij dështaku që po tërheq në greminë të gjithë vendin? Pakkush!
 

Sot PD-ja po luan me të vetmen kartë që ka mbetur, apo që nuhat: dëshpërimin e njerëzve. Ajo po përpiqet ta yshtë atë drejt marrëzisë së votës për Lulin e majit 2017, e këtij njeriu të emëruar. Vetë kjo taktikë është mjerane. Edhe për vetë demokratët.

Kjo krizë e tanishme është krizë sistemike, jo pse qeveria vjedh. Dhe ajo po vjedh shumë. Por është krizë e sistemit, sepse opozita është bërë dekor, ajo ka vdekur si alternativë. Dhe kjo krizë denoncon me të madhe një tjetër tradhëtar par excellence të kauzave publike: Ben Blushin. I cili nisi krijimin e një alternative politike që sot ndoshta do të ishte faktorizuar. Por zotëria zgjodhi të bëjë atë që bën Luli dhe Monika: zjarrëfikësin. Duke thënë në mbyllje të aventurës së vet se “nuk bën populli”. Dhe këta janë të gjithë protagonistët – e caktuar ose vullnetarë – të 1990-ës.

Le të pyesim atëherë: cilat ishin idealet e dhjetorit ’90? Ishin ideale apo ide të vagullta, ca të huazuara në mënyrë banale, ca të ushqyera nga vegimet me rrënjë abdominale, të lindura në shkretëtirën komuniste të Shqipërisë?

Ato nuk kanë qenë ideale. Ata nuk kanë qenë idealistë. Ato ishin pasione të një momenti dhe kaq. Sikundër sot nuk ka ideale studentësh. Ka vetëm një pasion pakënaqësie ndaj një pordhaci mendjefyell që qeveris duke bërë show dhe patjetër duke vjedhur. Tanimë e ka pranuar edhe vetë: Ai me qeverinë e tij po vjedh sepse po e mashtrojnë në letra. PD-ja dhe LSI-ja për momentin po vjedhin protestën, pasi duan të ruajnë Pazarin. Rroftë dhjetori 2018! 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.