Protestoni, por mund edhe të (e)migroni!

Postuar në 12 Nëntor, 2018 11:27

Ajo çfarë po ndodh me banorët e zonës së Astirit mishëron në një episod dramatik atë kaos dhe marrëzi të këtyre 25 viteve. Aty kemi nga të gjitha krahët, por kryesisht filli ecën në një kah: dikush, dikur nga vitet ’90, apo edhe më vonë u nis drejt Tiranës me idenë për të blerë apo zënë një copë truall, për të ndërtuar një shtëpi dhe mandej për të nisur jetën nga e para. Shembulli më i qartë i një vendi pa strukturë ekonomike, pa siguri juridike dhe me një shoqëri që është në mëshirën e politikanëve që tallen. 

Ndërkohë që këta banorë protestonin, dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama, u premtoi disa banorëve të Ksamilit në Sarandë, që ankoheshin për moslegalizim, se qeveria do të nxirrte banesat e tyre nga zona e mbrojtur, pra do të rishkruante kufijtë e kësaj të fundit, me synim që të mundësonte legalizimin e banesave të tyre. 
Mbi cilin kriter bëhet një akt i tillë? Mbi kritere të humanizmit, të bashkëqeverisjes, të tolerancës? Ndoshta janë të gjitha bashkë, por një kryeministër që jep premtime të tilla thjesht tregon se ai me shtetin nuk ka lidhje. 

100% dëmshpërblim. Kjo është një ndër parrullat e protestuesve të zonës së Astirit. Me këtë kuptohet njohja e vlerës së banesës përveç truallit. Kërkohet kjo për arsyen irrituese të faktit se refuzimi nga ALUIZNI për të dhënë leje legalizimi, pavarësisht se njerëzit kanë vite që kanë aplikuar, i lejon qeverisë që të dëmshpërblejë vetëm për truallin. 

Banesa, godina, ai i shkreti beton që vuri përpara ëndrrat e një populli që i qau  xhani për pak qytet, iku e vate. Bashkë me buzëqeshjet e kryeministrit dhe mjaullimat tinzare të opozitës. Janë të dy në të njëjtin batak, ndajnë të njëjtin hall: kur do t’I heqin qafe këta çeçenë që nuk u bënë njëherë njerëz. Rruga duhet bërë, sepse pas saj vjen rritja e vlerës së truallit që mandej të ndërtohen qendra tregëtare dhe kulla. Kjo po ndodh në mes të Tiranës, në bregdet e kudo. Kush po pyet për informalët që po bëjnë gabimin se nuk bashkohen në një padi të përbashkët ndaj këtij shteti që duket se e urren paqen sociale. 

Kjo është hileja, pasi ne e dimë se për interesa publike, që ec e merre vesh se cilat janë në të vërtetë, mund ta na prishet shtëpia të gjithëve. Madje kjo qeveri çmon në cilësinë e ligjvënësit se edhe për investime strategjike që janë të tilla sipas mendimit të qeverisë, shtëpia, apo prona private zhbëhet. Po ku janë këto investime strategjike që nuk po duken? Pse nuk vijnë? Mos vallë pas këtyre paragrafëve fshihet qëllimi për tjetërsim pronarësh me çmim të lirë? Kemi të drejtë të dyshojmë në këtë duke parë se çfarë po ndodh me truallin publik dhe Teatrin Kombëtar. 

Zotit kryeministër dhe të vetëve u zë sytë kotësia e hapësirave të pazëna, fakti se aty pranë ku jetojnë e punojnë ata, të mund të ecet lirisht prej të gjithëve, të punohet me çmime qesharake, kafe dhe ujë 80 lekë. Një ndër kostot e atij që e quajnë zhvillim është edhe qartësimi i kufijve mes Qendrës dhe Periferisë. Koha e pushtimit nga të ardhurit mori fund. Tani një pjesë e tyre po dëbohen përmes pasurisë, taksës, krizës ekonomike dhe projekteve zhvilluese. Nuk është fjala për rracizëm, ndonëse ai ekziston. Por për dallime sociale që mund të zbuten vetëm nga dhuna. Por dhuna te shqiptarët aplikohet në formë mazokiste, shprehur kjo në ikjen në masë, dorëzimin tek ideja “se nuk ke çfarë bën”. Dhe kështu shkon puna e një jete, apo edhe shpresa se ajo që ke bërë ka vlejtur diçka për fëmijët e tu. Punë e madhe. Ne kemi flamurin dhe shenjën e shqiponjës me duar. Shesim votën dhe duartrokasim partinë. Më mirë do të bëhet, sepse më keq nuk ka ku të shkojë. Dhe thonë pastaj që pozitivizmi është filozofi amerikane.

“Vetë na thanë bëjeni drogën, mbilleni dhe shiteni. Vetë merrnin lekët te ne, vetë thanë pastaj që nuk duhet më, vetë erdhën e na futën në burg si kriminelë”. Kështu tha në një bisedë një banor i Lazaratit i këmbyer së fundmi në tregëtar byreqesh në Gjirokastër.

Edhe këta që sot “hanë golin e shtëpisë”, nuk kanë ardhur kuturu. Dikush u ka thënë atëherë, sikurse dikush tani po u thotë prapë në vesh: Mos u mërzisni se do ta rregullojmë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.