Asnjë përgjigje për atë që do t’i lëshohet Serbisë, Thaçi: Status quoja nuk mund të vazhdojë

Postuar në 27 Gusht, 2018 15:14

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vijon të mos i japë përgjigje pyetjes kryesore që ka lindur qyshkur se ai hodhi idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë: Si do të shmaget ndarja e Kosovës në këtë rast. Në një intervistë për EuropeanWesternBalkans, Thaçi përsërit të njëjtat gjëra. Integrimin e Kosovës në BE dhe NATO e dëshirojnë 92% e qytetarëve të Kosovës dhe sipas tij kjo është premisë për të negociuuar edhe kufijtë.

Kosova duhet ta mbyllë kapitullin e konfliktit me Serbinë në një mënyrë të përhershme dhe përmes një formule të qëndrueshme…

Unë jam kundër kufijve etnikë. Por nuk jam naiv gjithashtu. E di se Serbia preferon të zvarrisë njohjen e Kosovës që është e pashmangshme. Ata do të pëlqenin të mbanin këtë status quo, por kjo limbo nuk mund të mbahet më. Ndaj ne duhet të përkufizojmë marrëdhëniet tona dypalëshe, ne duhet të përkufizojmë kufirin 400 km të gjatë mes të dyja republikave dhe ne do të duhet të çojmë Kosovën me një vend në OKB. Kjo është arsyeja pse partnerët tanë perëndimorë janë të hapur për zgjidhje creative dhe progressive, që ne të mund të arrijmë këtë qëllim. Jam gati të diskutoj zgjidhje me gjithkënd që garanton një vend të sigurtë të Kosovës dhe një perspektivë të sajnë në faliljen e kombeve euroatlantike

ka thënë ndër të tjera ai.

Sipas tij banorët e Luginës së Preshevës kanë shprehur dëshirën për t’u bashkuar me Kosovën dhe ky është momenti që Kosova ta përfshijë në axhendë atë. Thaçi mendon se në këtë process që është ende larg një marrëvshjeje, “pres përfshirjen aktive dhe të nivelit të lartë nga SHBA, Berlini, Parisi, të gjitha vendet e Kuintit – për të dalë me një zgjidhje të pranueshme reciprokisht që do të sjellë njohje reciproke”.

Thaçi e cilëson hyrjen e Maqedonisë në NATO një kontribut “thelbësor për paqen” dhe zgjidhja e konfliktit Kosovë-Serbi do të jetë një tjetër etapë në këtë kuadër. Pa sqaruar ndonjë gjë për mënyrën sesi një gjë e tillë do të negociohet me Serbinë e cila do të kërkojë diçka në këmbim, pra pa hapur letrat se çfarë është i gatshëm të lëshojë, presidenti i Kosovës ka deklaruar sërish se “status quoja nuk është recetë për sigurinë, por për shkatërrimin e pashmangshëm”.

Thaçi pranon se nuk ka një konsensus për këto nismë, por ai i beson sondazheve që sipas tij shprehin vullnetin për mbylljen e dialogut me Serbinë dhe ecjen përpara. Padyshim që këtë e duan të gjithë, por vështirë se këto sondazhe do të kenë të njëjtat shifra nëse njerëzit do të pyeten për kufijtë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.