Parlamenti miratoi shembjen e Teatrit dhe ngritjen e Kullave

Postuar në 05 Korrik, 2018 21:52

Shumica zbatoi urdhërin politik të kryeministrit për të miratuar projektligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ngritjen e 6 Kullave. Mazhoranca socialiste hyri në një kurs refuzimi të çdo zëri që i kërkoi të tërhiqet nga shembja e Teatrit Kombëtar.

Shumica nuk tregoi asnjë shenjë reflektimi përballë qendresës së një grupi aktorësh dhe regjisorësh, të cilët nuk u pajtuan me ofertën e Erion Veliajt për të hyrë në negociata me kompaninë Fusha.sh.p.k.

Kokëfortësia e Edi Rëmës për të vijuar me projektin e rrafshimit të godinës ekzistuese dhe ngritjen në këtë territor të 6 kullave shumëkatëshe është sipas një modeli që ai ka trashëguar qysh kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Këmbëngulja për të vënë në zbatim projektin e një kompanie ndërtimi me një ligj të posaçëm dhe në kushtet kur vendi është pa Gjykatë Kushtetuese praktikisht rrëzon çdo alibi të mazhorancës se niset nga një perspektivë që lidhet më të mirën publike.

Këtë tashmë e kanë kuptuar të gjithë ndaj dhe hapi i radhës që paralajmëruan aktorët, regjisorët dhe aktivistët është mbrojtje fizike për Teatri. “Të bëhemi gati për përballje trup me trup”-deklaroi Adriatik Lapa, aktivist i Aleancës për mbrojtjen e Teatrit, ndërsa aktorët pritet të ngujohen në godinën e Teatrit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.