Kioska për certifikata? Gjendja Civile pranon se radhët në sportele kanë rënë

Postuar në 23 Shkurt, 2018 16:20

Pranë zyrave të njësive bashkiake, janë instaluar këto ditë makinetat që do të shërbejnë për lëshimin e dokumenteve në një formë më shpejtë dhe pa praninë e punonjësve të autorizuar. Shërbimi E-kiosk është i treti në radhën e shërbimeve, pas atij klasik që ofrohet në sportele dhe portalit e-albania që ofron sot 1277 shërbime pa pagesë. Të planifikuara për t’u vënë në zbatim nga muaji janar, 10 kioskat dixhitale do të vihen në përdorim gjatë ditëve në vijim, dhe për bashkinë e Tiranës një vonesë e tillë ka ardhur për arsye teknike. Por, pavarësisht nga kjo, në statistikat e dala nga portali e-albania vihet re një rritje e numrit të përdoruesve, ku në statistika mujore, aplikimi për dokumente që lëshohen edhe në zyrat e gjendjes civile në vend i kalon 200 mijë. Po kështu numri i qytetarëve që u drejtohen sporteleve fizikë ka rënë, çka e bën të pakuptishëm vendosjen e kioskave ndërkohë që shërbimet elektronike kanë dhënë efekt pozitiv.

Kioskat elektronike morën aprovimin për t'u vendosur pranë njësive bashkiake, në muajin gusht 2017 përmes një tenderi të kërkuar nga bashkia e Tiranës me fond limit 17.470.000 lekë, ndërsa qeveria kishte avancuar mjaft  me lëshimin e dokumenteve me vulë dixhitale pa pagesë, madje duke kërkuar nga institucionet që të gjenerojnë vetë dokumentet për llogari të aplikantëve. Për këtë fakt, drejtori i IT-së në Bashkinë e Tiranës, Ermir Puka është shprehur se nuk mund të konsiderohet përplasje, pasi të dyja janë shërbime plotësuese të njëra-tjetrës.

Ndërkohë, në vazhdën e reduktimit të procedurave burokratike në ministrinë e Mjedisit, zv/kryeministrja Senida Mesi ka njoftuar dhe përshendetur eliminimin e 1400 dokumenteve, të cilat nuk do t’ju kërkohen më qytetarëve. Në këtë kuadër, nisma e bashkisë duket se nuk do ta konkurojë dot platformën e qeverisë, e cila sot ka avantazhin në kohë dhe në shkallë kombëtare. Po kështu portali e-albania ka aktualisht në 15 destinacione sportele dixhitale në mbarë vendin. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.