Impakti ekonomik i infrastrukturave aeroportuale

Postuar në 20 Dhjetor, 2017 17:43
Klodian Muço - Universiteti "Aleksandër Moisiu"

Infrastrukturat aeroportuale luajnë një rol primar jo vetëm brenda sistemit të trasportit, në të cilin ato janë një komponent i rëndësishëm, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi, më konkretisht në një zonë territoriale të përcaktuar. Infrastrukturat aeroportuale, konsiderohen një element themelor i sistemit ekonomik e prodhues, turistik e tregtar të një territori, kjo për shkak të efektit multiplikator që aktivizohet nga përfitueshmëritë që merr i gjithë sistemi tregtar e prodhues i një zone. Ky koncept pranohet edhe nga KEE, i cili njeh rolin ekonomik dhe social të aeroporteve.

Studime të ndryshme të ekspertëve të sektorit kanë arritur në konkluzionin se aeroportet kanë impakt të ndryshëm ekonomik në një territor si:

  • -Impakt ekonomik direkt, i cili është efekti i gjeneruar nga prezenca brenda aeroportit, të aktiviteteve ekonomike si kompanitë e fluturimeve, shoqëritë e menaxhimit, aktivitetet e shërbimeve si lokale dhe restorante si dhe të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime të ndryshme të nevojshme për trasportin ajëror. Kjo bashkësi aktivitetesh në një aeroport, promovon zhvillimin ekonomik të territorit, stimulon konsumin lokal si dhe krijon rreth 150-200 vende pune.
  • -Impakti ekonomik indirekt, është efekti ekonomik i gjeneruar nga aktivitetet ekonomike të vendosura jashtë strukturave të aeroportit por të lidhura ngushtë me funksionimin e aeroportit, ku ndër to mund të gjejmë hotele, agjensi udhëtimesh, si dhe aktivitete tregtare që u shërbejnë udhëtarëve përgjatë  periudhës së qëndrimit.
  • -Impakt ekonomik i induktuar, është i përbërë nga efekti ekonomik që lind nga efekti multiplikativ i gjeneruar nga impakti direkt dhe indirekt i aktiviteteve të përmendura më lart.
  • -Impakti ekonomik dinamik, vjen nga aftësia për të tërhequr, zgjeruar në kohë dhe për të mbajtur aktivitete përreth aeroportit që kanë pësuar përmirësime për efekt të këtij të fundit.
  • -Pasja e një aeroporti gjeneron po ashtu impakt ekonomik e social pozitiv pasi “shkurton” distancat, shërben si katalizator ekonomik, ndihmon turizmin si dhe ndikon në takimin ndërmjet kërkesës dhe ofertës për shërbime apo aktivitete të natyrave të ndryshme.

Në lidhje me shkurtimin e distancave aeroporti konsiderohet si portë hyrëse qëndrore për një vend. Pasi ai ka aftësi atraktive për investime të natyrës së ndryshme.

Nëse do të analizonim investimet e bëra në infrastrukturë, sipas një sërë studimesh të bëra për vendet e zhvilluara, të gjithë ekonomistët arrijnë në përfundimin se pasja e një rrjeti modern trasporti stimulon rritjen ekonomike dhe jep një kontribut të veçantë në industrializimin e vendit.

Kjo gjë vlen jo vetëm për qëndrat e mëdha urbane siç mund të jetë Tirana por edhe për qëndra të vogla urbane që janë në pika kyçe siç mund të jetë Gjirokastra e cila është një kryqëzim koridoresh lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. E cila jo vetëm që është një qytet me një potencial turistik të lartë ku vetëm për vitin aktual parashikohet të arrijë numrin rekord prej 100 mijë turistësh por edhe pol i rëndësishëm i industrisë ushqimore.

Sipas disa studimeve mbi investimet në aeroporte del se infrastruktura të tilla stimulojnë rritjen e produktivitetit dhe karakterizohen nga proçese endogjene. Nëse realizojmë infrastruktura trasporti në rajone qofshin këto pak apo shumë të zhvilluara kjo do të gjenerojë zhvillim për atë rajon si dhe rritje të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit në tërësi.

Sipas një studimi të bërë në pjesën veriore të Italisë, ndërtimi i një km rrugë gjeneron në harkun kohor të 20 vjetëve hapjen e rreth 660 vendeve të reja të punës dhe rritjen me 125 milionë euro të GDP-së nëse kjo rrugë do të lidhte 2 qytete apo zona industriale. Ndërsa nëse do të lidhte aeroportin me qëndrat urbane apo zonat industriale kjo do të gjeneronte 1100 vende pune dhe një rritje me 260 milione euro të GDP-së, dmth një rritje me 108%.

Pra aeroporti gjeneron zhvillim, nisur nga këto evidenca lind natyrshëm pyetja: pse vall nuk aktivizohet aeroporti rajonal i Gjirokastrës që ka ekzistuar që nga 11 gushti i 1929 për transportin kombëtar të udhëtarëve. Ky aeroport ekziston edhe sot, por për fat të keq nuk funksionon!

Nisur nga evidencat e mësipërme mund të themi me bindje se ky aeroport jo vetëm që do hapte shumë vende pune të reja por do të konsiderohej si një element infrastrukturor që shton fluksin e turistëve, të cilët mund të vijnë jo vetëm në Gjirokastër po me siguri edhe në Sarandë në sezonin e verës. Po ashtu një aeroport vetëm 0.8 km larg nga Gjirokastra do të ishte një zgjidhje shumë e mirë edhe për turistët e huaj që duan të shkojnë në Igumenicë apo në Janinë pasi distanca në kohë me makinë nga Gjirokastra në Janinë është vetëm 45 minuta, pra shumë afër. Duke pasur parasysh se aeroporti low-cost i Barcelonës, Milanos apo Parisit janë rreth 60 minuta me makinë nga qendra e qytetit, një aeroport në Gjirokastër do të ishte një i tillë për Janinën (përfitime ekonomike për ekonominë gjirokastrite) që është 45 minuta larg apo edhe për Sarandën që është vetëm 50 minuta larg. Kosto për riaktivizimin e këtij aeroporti përllogariten rreth 5 milionë euro, pra një shifër shumë e ulët.

E nëse do të konsideroheshin të vlefshme PPP-të ato duhet të shkonin për vepra të tilla si kjo në fjalë që stimulojnë zhvillimin, rrisin turizmin dhe ndikonin pozitivisht edhe në aspektin strategjik të ndryshimi.

Ky aeroport nuk do i bëjë konkurencë Rinasit edhe pse kjo konkurencë nëse do të ekzistonte do të ish pozitive pasi ky i fundit duke shfrytëzuar pozicionin e monopolit mban edhe çmimet më të larta në rajon.

Gjirokastra do të shërbente për avjonët çarter, për avjonët sportiv, për linjat turistike sezonale që sjellin turist siç mund të jenë ata nga vendet nordike etj.

Tsipras në shtator kur inaguroi autostradën Ionike e konsideroi atë një projekt që jo vetëm do stimulonte zhvillimin ekonomik në periudhën afatshkurtër por ndikonte në forcimin e rolit e vendit në gjith vendet e ballkanit. Pasi ajo do të shërbente për rritjen e tregtisë me vendet e tjera duke qënë se lidh portin e Igumenicës me aeroportin e Janinës dhe Kakavien.  Pra aeroporti i Gjirokastrës përveç se sa u tha më lartë do të kishte dhe efekte strategjike zhvillimi, pasi do ta shërbente edhe për zhvillimin e rajonit në aspekt makro.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.