Një shans i humbur*

Postuar në 27 Tetor, 2017 22:30
Artur Zheji

Para ca kohësh u nda nga jeta Albanologu gjerman Robert Elsie, të cilin e kisha takuar jo më shumë se dy apo tre herë, në jetën time. Iku Elsie një shqiptardashës i rëndësishëm dhe në Shqipëri nuk më ngjau se u ndez ndonjë qiri domethënës mirënjohjeje për të. 
Njerëzit ikin dhe vijnë në këtë botë në mënyrë të mistershme, kështu është në të vërtetë, pavarësisht se ne nuk duam dhe pavarësisht se i bindemi kësaj ligjësie me turfullimë, si viçat drejt therrtores.

+++

Ky lajm largimi, më solli në kujtesë një njeri të ngjashëm me të. Një njeri që e kam takuar me sa kujtoj, vetëm një herë. Ose në vjeshtë të vitit 1989, ose në Pranverën e vitit 1990. Ai quhej Joachim Röhm, një tjetër gjerman, me lidhje të çuditshme dhe të ngrohta me Shqipërinë dhe gjuhën e saj të paçmuar: Shqipen.
U interesova me ngut për fatet e tija të sotme dhe falë internetit u qetesova. Ka lindur në vitin 1947 dhe sot është 70 vjeç dhe duket se gëzon shëndet të mirë, e pra, një leje qëndrimi, për të qëndruar edhe për mjaft kohë mbi tokë, si një shqiptardashës i mirë, ndonëse disi i harruar. Një përkthyes i rrallë, nga shqipja, të cilën e njeh mirë, në gjuhën gjermane.

+++

Por si ndodhi takimi im i vetëm me të? Aspak rastësisht. 
Në vitet 1988-89-90, shtëpia e Dashamir Pezës, shkurt Dashi, gjindej në një vend vip, tek ish pallatet e aviacionit dhe në kat të parë, trashëgimi e një privilegji shtetëror të natyrshëm të babit të tij, Myslym Peza.
Në të vërtetë ajo shtëpi, ishte një bujtinë mikëpritëse dhe e ngrohtë, ku Dashi, ishte mjeshtër që të të bënte të ndiheshe si në shtëpinë tënde. Sot, ajo shtëpi është një kafene, që jeta e solli pas 27 vitesh, që të kumbisem e të pi ndonjë kafe, pikërisht në atë hapësirë, ku dikur, thurrnim ca ëndra për një Shqipëri ndryshe, duke pranuar se socializmi kishte vdekur turpshëm dhe ishte shndrruar në një antisistem, që duhej varrosur sa më parë, sepse ishte kthyer në një murtajë vdekjembjellse për shumicën e shqiptarëve.
Në këtë grup shokësh idealistë, ishte asokohe edhe kryeminisitri i sotëm, mik shpirtëror i çiftit Peza, Dashi dhe Teuta asokohe, ku falë edhe mosmungesave ushqimore, ndanin bujarisht me të gjithë miqtë darka gati të përnatëshme, ku sidoqoftë ushqimi ishte një pretekst për të biseduar gjatasi, më shumë se sa një arësye nepsqare. Aty ishte mysafire e shpeshtë dhe një zonjë grua e huaj, e natyralizuar shqiptare, Xhuni Taylor, vajza e një personaliteti shumë të lartë neozelandez, në emigracion politik në Shqipëri, si komunist i rrezikuar në atdheun e tij që ishte.
Xhuni punonte në Radio Tirana, si një anglisht folëse e përkryer.

+++

Në atë kohë, ne “grupi i shokëve” të atëhershëm, lexonim dorë më dorë, disa ese të Vaclav Havelit, shkrimtarit dhe disidentit të famshëm çek. Ishim kaq të mrekulluar nga Havel, nga shkrimet e tija për prapësitë dhe shtrembërimet që sillte në shoqëritë e ashtuquajtura komuniste, ai sistem pervers. Urrenim sinqerisht, dyftyrësinë njerëzore dhe shkretimin shpirtëror dhe ekonomik, që kish pllakosur, por dhe kërkonim rrotull nesh dhe me dëshpërim, një model moral.
Babai im, Petro Zheji i kishte sipas miqve të mij të atëhershëm këto cilësira Haveliane, porse Petro, e urrente politikën dhe ishte më romantik dhe më utopist, se çfarë kërkonte koha. 
Pastaj ai, nuk e kishte patur “dhuratën” e madhe, të burgosjes politike, ishte vetëm një i vetëburgosur, si filozof, si mistik dhe si një krijesë e rrallë e vetëmjaftueshme. 
Që kish krijuar një Univers të vetin, për të cilin nuk donte pikëprerje të rëndomta me të përditshmen që cyt dhe detyron politika.

+++

Duke bërë këro kërkime, për të gjetur pra “modelin moral” të shoqërisë së ardhshme shqiptare “jokomuniste”, unë ndesha në Kasem Trebeshinën. Të takoheshe në atë kohë me Kasem Trebeshinën, ishte një rrezik i madh më vete. Por e mora në sy këtë rrezik, i frymëzuar edhe nga im atë, që e adhuronte burrërinë dhe qëndresën e tij, dhe sepse, edhe sipas Petros, Kasemi përmbushte krejt cilësitë e alter egos, së një Haveli shqiptar. Por njëkohësisht, një model moral, unik shqiptar
Kishte qenë partizan, nga ata më trimat, pra antikonformist me pushtuesit dhe rrezikdashës i patrembur. Pastaj ishte burgosur, dy herë nga rregjimi i tij dhe kishte bërë për shumë vite burg të rëndë politik, në mospajtim të plotë dhe të hapur me tradhëtinë e ëndrave komuniste, nga ish shokët e luftës së gabuar civile, që u zhvilluar parallel me luftën kundër armikut.
Nuk ishte thyer kurrë në burg dhe kurrë s’kish pranuar të zbythej, nga qëndrimet e veta, ishpartizani dhe antikomunisti i burgosur dy herë, Trebeshina!
E takova në shtëpinë e asaj kohe të mikut tim të ngushtë, ish aktorit gjenial të Teatrit shqiptar, Viktor Gjoka, sot krejt i panjohur, për brezat e rinj. Viktori e kish mik të hershëm dhe e kishte të plotë, besimin e Trebeshinës, prandaj dhe më organizoi disa takime me Kasemin, që ishte realisht impresionues.
Miqësia e shkurtër u ndez dhe u farkëtua shpejt, ndoshta edhe për shkak se ai njihte edhe nënën time Besa Imami, përveç Petros, saqë më besoi për lexim, kryeveprën e tij politike të asaj kohe: “Promemorjen”, një letër të gjatë dhe të mirëstrukturuar, në të vërtetë një program politik, që ai, Kasem Trebeshina, i kish dërguar sy më sy dhe drejtëpërsëdrejti, Enver Hoxhës. Tmerrit të asaj kohe, vrasësit të pabesë, edhe të shokëve të vet, për shkak të pushtetit personal, ngjyrosur me të kuqen ideologjike, që skishte më pikë lidhje me idealet e dikurshme sipas Trebeshinës.
Në “Promemorjen” e tij, ai e akuzontë me trimëri të çmendur Hoxhën, se prijësi komunist, e kish shndrruar Partinë Komuniste Shqiptare, në një parti terroriste dhe vrasësish pas shpine.

+++

Kishim nevojë pra, për një provë. Që kishte apo nuk kishte më, burra Shqipëria. 
Burra që jetonin akoma dhe që ja kishin përplasur Diktatorit në fytyrë. “Promemorja” e Trebeshinës ishte tronditëse. Burrërore, politike dhe e shkruar me një stil fantastik analitik, e mirëstrukturuar dhe me një shqipe të pasur dhe të rrjedhshme.
Me këtë zbulim në duar, u paraqita një mbrëmje, në bujtinën e Dashit, bujtina e shoqërisë tonë pothuajse “konspirative” dhe tejet heterogjene. Sigurisht të kopjuar me dorë dhe jo tekstin e daktilografuar dhe origjinal të Kasemit, i cili ishte e një rrezikshmërie esktreme për kohën e terrorit ku jetonim, pamvarsisht se ishte një rregjim, në netët e tija të fundit. Ndonëse te Dashi ishim të sigurtë dhe kishim një mbrojtje të nënkuptueshme që nuk përgjoheshim.
Fakti që ai, Kasem Trebeshina, ishte edhe ish komunist, edhe anti komunist, si edhe ish burgosur politik dhe një polemizues i gjallë i Diktatorit të vdekur, qëkur Dikatori kish qenë gjallë dhe në agun e pushtetit të vet, e bënte këtë burrë dhe “Promemrojen” e tij, një promemorje “haveliane”. 
Haveliane që çke me të dhe ky ishte asokohe një zbulim që entuziazmoi të gjithë, edhe Ed Ramën, që atëhere nuk ishte ky këndezi i sotëm dhe kaq i vetëkënaqur, që ka shpikur gjithshka dhe di gjithshka dhe ka mbirë ndoshta sipas tij, nga hiçi i kohërave, apo ndoshta si një dhuratë e Bjeshkëve për shqiptarët e katranosur. 
Rama i atëhershëm, ishte më shumë një sfungjer i etur, për të thithur atë dije alternative që i mungonte, mjaft modest dhe mjaft ndryshe dhe mbi të gjitha një natyrë e dyzuar dhe në kërkim.
Por ishte aktiv dhe me idera Rama, padyshim, edhe atëhere. Nuk e di se kujt i lindi mendimi, që kjo “Promemorje” dhe ndonjë libër i tij, duhej dërguar jashtë shtetit, që të botohej. 
Ishte viti 1989, bisha e pushtetit ishte e plagosur dhe duke dhënë shpirt, por kafshonte akoma egërsisht.
Më trimja e “grupit” ishte Xhuni Taylor, neozelandezja, e cila sygjeroi që këto libra, ti jepeshin, personit me emrin Joachim Rhöm. Gjerman. Marksist Leninist dhe që jepte lajmet gjermanisht të Radio Tiranës.
- Pse ti besojmë Joachimit? – e pyeta Xhunin.
- është i zhgënjyer, krejtësisht! Dhe do ta lerë atë punë e të merret vetëm me përkthime. Madje është duke u larguar përfundimisht nga Shqipëria dhe po mbledh dorëshkrime. Ka dëshirë të përkthejë edhe Kadarenë në gjermanisht, sepse Kadareja, si shkrimtar pëlqehet dhe ecën shumë jashtë… - shpegoi Xhuni.

Nuk kishim kohë dhe as mundësi të prisnim që “Havelit” tonë ti paraqitej një rast tjetër, sepse mendonim me të drejtë që Shqipëria do të kishte nevojë herët a vonë, për një pikë referimi moral, të pastër dhe idealist. Sepse kazani ziente, por nuk kishte dot një kartë morale, që të bënte një divorc të fortë dhe të ndershëm, me sistemin e diskretituar që po vdiste ditë pas dite.
Mendonim asokohe, se Kadareja nuk ishte bindës për atë mision moral, sepse sipas gjykimit tonë, pamvarsisht penës së tij brilante, ishte shumë i komprometuar me regjimin dhe nuk e kishte shprehur kurrë forcën e duhur dhe të hapur Haveliane politike kundër Diktatorit, si kishte bërë Kasemi me “Promemorjen”, që për ndëshkim, e kishte fundosur burgjeve më të rënda dhe më torturuese komuniste.

+++

“Vendimi” i grupit pra ishte marrë, për të përzgjedhur Trebeshinën si “Vaclav Havelin shqiptar”. Ata nuk e kishin parë asnjëherë fizikisht deri atëhere, por frazat tmerronjëse të Promemorjes së tij dhe dëshmitë e Petros, babait tim, që unë ua përcillja, ishin një bazë e mjaftueshme. Më vonë Rama, sëbashku me Ardian Klosin, organizuan Refleksionet në Akademinë e Arteve, me Trebeshinën, pasi ua kisha prezantuar edhe fizikisht, pak kohë përpara se sa të largohesha nga Shqipëria, në Nëntor të vitit 1990. 
“Refleksionet” me Trebeshinën, e shndrruan Edin, në një personazh që u veçua një kokë më lart të tjerëve, jo thjesht nga gjatësia. Por mendoj se atëhere, sinqeriteti dominonte plotësisht dhe Rama, kish hedhur një hap të mirë, sëbashku me Klosin, drejt afirmimit të Modelit të Ri Moral, që i duhej si busull shoqërisë shqiptare, që duhej të Rilindëte.
Por koha tregoi se ishte Sigurimi i Shtetit ishte ai, që do të vendoste modelin e ri dhe të ardhshëm të Shqipërisë.

+++

Ditët e gjermanit Rhöm, markist leninistit të zhgënjyer, po soseshin në Tiranë, por guximin për t’ja dorëzuar librat e Trebeshinës, nuk po e gjenim. Natyrshëm Xhuni nuk mund ta merrte përsipër, në fund të fundit ajo ishte e huaj dhe mua mu duk se më përkiste mua, të bëja shkëmbimin “konspirativ” me Joachimin, sipas një takimi të kombinuar, sa mbaj mend, nga Xhuni.
Në një kafe, në një vend të hapur dhe publik. Te “Postiqja”, që sot mbiquhet Piazza në Tiranë.
Me librat e Trebesinës në sqetull, ndoshta dhe i djersitur nga sikleti, u ula në Kafe me Joachimin. I shpegova ca gjëra më tepër në lidhje me Trebeshinën dhë bëra sikur harrova mbi tavolinë “Promemorjen” dhe një libër tjetër, mbështjellë me një gazetë “Zëri i Popullit”. Pastaj u përshëndeta dhe u largova, me ndjesinë utopike se kisha bërë një akt burrash, në një kohë kurvash.

+++

Këto rrëfenja mund të vazhdojnë pafund, gjë që kërkojnë një vullnet më vete. Mirëpo dua të vrapoj në të paktën tre të vërteta të hidhura:
Shqipëria nuk pati dot fatin të kishte një Udhërrëfyes moral, në daljen e saj nga sistemi komunist, që ra më shpejt se çdo parashikim. U sajuan ca konvertime të përshpejtuara, që krijuan ca idole të rremë ish komunistësh të penduar, kur komunizmi kishte rënë. U krijuan pra fallsitete, që sollën këtë zvarritje morale pa kufi, që s’dihet se sa do të vazhdojë akoma si një flamë apo si një mallkim.
U krijua miti i gënjeshtërt, se të gjithë janë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, duke mbjellë që në rrënjë të një Kohe të re që shpresonim të vinte, kënetën e gënjeshtrave të mbivendosura shtresë shtresë, deri në ditët e sotme. 
Gënjeshtra është magjike dhe ofron miliona lehtësira, por nuk krijon dot themele Kombesh, që duan të dalin nga llumi. Dhe prandaj mendoj se llumi që mbeti në themelet e tranzicionit, vërshon vazhdimisht mbi kryet tona.
Dhe sot e kësaj dite, që Edi i djeshëm, sot një kryeministër i mbitalentuar në të folme dhe në të shkruar, gjithmonë e më bukur, por gjithmonë e më rrejshëm, mbetet gjithmonë e më shumë vetëm një shans humbur. 
Dhe duket qartë se edhe ai, i përket një brezi të humbur, sepse është mbi kalin e lodhur të shumë kompromiseve që e kanë burgosur tashmë pazgjidhshmërisht. 
Ndoshta u gëlltit nga materia gri e të fortëve, sepse ishte shumë i dobët apo sepse ishte shumë ambicioz, ndoshta… nuk dua të përziej në këtë shkrim analiza politike, të kohëve të sotme.
Por gjithësesi, ka kaq kohë që drejton Shqipërinë dhe as ka bërë asgjë të vlertë për Albanologjinë shqiptare. Përveç rilindjes së kafeneve, restoranteve dhe sallamerive në asete arkeologjike.
Joachim Rhöm, mund të na denonconte dhe nuk e bëri kurrë, marksisti i penduar gjerman. Përkthen letra shqipe në gjuhë të gjermanit, edhe sot e kësaj dite.
E kujt i bëhet vonë? Në këtë vend që vdes përditë së brendshmi dhe drogohet së jashtmi?
+++
Ajo kohë nuk vjen më. As nuk e di nëse sot jeton apo jo zoti Trebeshina. Thonë që vite më vonë ai e humbi krejt torruan, duke u deklaruar nga dëshpërimi si joshqiptar. Unë e ndoqa disa vite nga Roma, ku e intervistoja për Radio-Radicalen. Ishte krejt besim humbur dhe pohonte se skema e mashtrimit me turmat shqiptare pa kokë dhe pa busull morale, kishte fituar tashmë. Ai si personazh, për kokëqoftet e mediave apo të letërlëçitjeve shqiptare, nuk egziston. Shqipëria është e zhytur nga mosdija e rrënjëve të veta dhe shqiptarët mendojnë rrejshëm se nuk ka më burra Shqipëria. Ndoshta i përket më të rinjve të zbulojnë një Trebeshinë të ri, ose të zhvarrosin figurën e tij të harruar. Por sigurisht idolet e rreme të së sotmes, që ngjyrosin në mënyrë të gënjeshtërt të kaluarën e tyre, nuk do ta bëjnë kurrë.
Durim. 

 

*Titulli origjinal:Joachim Röhm, Trebeshina, bujtina e Dash Pezës dhe Rama i atëhershëm… 

360grade.al

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po sjell vetem kete pjese nga shkrimi, sepse mjafton per koment:
"Në atë kohë, ne “grupi i shokëve” të atëhershëm, lexonim dorë më dorë, disa ese të Vaclav Havelit, shkrimtarit dhe disidentit të famshëm çek. Ishim kaq të mrekulluar nga Havel, nga shkrimet e tija për prapësitë dhe shtrembërimet që sillte në shoqëritë e ashtuquajtura komuniste, ai sistem pervers. Urrenim sinqerisht, dyftyrësinë njerëzore dhe shkretimin shpirtëror dhe ekonomik, që kish pllakosur, por dhe kërkonim rrotull nesh dhe me dëshpërim, një model moral.
Babai im, Petro Zheji i kishte sipas miqve të mij të atëhershëm këto cilësira Haveliane, porse Petro, e urrente politikën dhe ishte më romantik dhe më utopist, se çfarë kërkonte koha."
Mjeshtri i zbukurimeve, Arturoja, permend vitet 88-89-90, ndalet me shume tek 89-90-a, keshtu lexuesi mendon se Arturoja po kerkonte Havelin shqiptar qysh me 1989, nderkohe qe Vaclav Haveli cek u be i njohur ne Shq. ne fund te dhjetorit 1989, e sidomos prej janarit 1990, ku fytyra e tij mbushte ekranet e TV te gjithe Europes. Dhe eshte e qarte se cfare flisnin keta djem te perkedhelur elitash, sidomos Edi dhe Dashi, aq me teper ne ambiente te tilla pallatesh te privilegjuarish, ku dyshimi per pergjuesa ishte permanent; -pa diskutim keta flisnin per disa tolerime te metejshme muzike dhe librash, por kurre per prapesite qe u sillte sistemi komunist, sic na permend tani Arturoja!
Dhe vertet, i ati (Petroja) i kishte mjaft cilesi haveliane, mirpo nga dreqin ka ngjare i biri, ky pertac-mburravec-finok, dreqi e merr vesh!
Kuptohet me tej ne shkrim edhe se, kur ky trim i madh e ka takuar perkthyesin gjerman, Joahim Röm, ne v. 1990, ndoshta pas veres 1990, tashme Ramizi pregatiste me ngut opoziten e ardhme, si edhe vete Trebeshina na qenkesh ftuar nderkohe ne Konservator nga Edi dhe Ardian Klosi.
Mjeshter i madh Arturoja, ato skena aq normale asaj kohe, shqetesuese, revoltuese, per te gjithe njerezit, prezantohen si skena mjaft te vecanta ne kryeqytetin shqiptar, me celula idealistesh qe vepronin per te ardhmen e Shqiperise, e ne keto skena-celula Arturoja mbeshtillet aty "modest". Oh, c'na hapi barkun!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.