Partia ideologjike, partia e vlerave dhe lëvizjet e reja

Postuar në 14 Shtator, 2017 12:13

Gjatë intervistës së djeshme në syri.net, ish-kryeministri Sali Berisha, një njeri që ka qenë në drejtim politik dhe ekzekutiv për dy dekada, bëri edhe këtë koment që meriton vëmendje:

PS-ja është parti ideologjike, kurse ne – PD – nuk jemi parti ideologjike. Ne jemi parti vlerash”.

Ky konstatim erdhi në vazhdimin e argumentimit për qëndrimet dhe nisma për parti të reja, mes të cilave  Berisha përmendi Ben Blushin. Sipas tij, Blushi, një njeri i mençur i politikës, mendoi se në Shqipëri u krijuan kushtet e Greqisë, për daljen e një Tsiprasi, me një program thuajse komunist.

Këtu janë dy çështje për të cilat nuk flitet thuajse fare. Së pari është konstatimi për orientimin e partive kryesore shqiptare. Berisha sugjeron se PS-ja është parti ideologjike, por se cilës ideologji i përmbahet ajo, këtë nuk di ta thotë kush. Në faqen zyrtare të saj, shkruhet se

Ne besojmë tek Shqipëria dhe shqiptarët. Besojmë tek një Shqipëri e respektit dhe besimit tek çdo njeri, ku askush nuk duhet të dështojë për shkak të gjinisë, krahinës, përkatësisë fetare, etnike apo politike. Ne besojmë tek një Shqipëri e punës, e shpërblimit sipas punës dhe e taksimit të ndershëm, ku çdo shqiptar gëzon të drejtën e punës dhe sipërmarrjes dhe askujt nuk i mohohet mundësia për të jetuar me punë të ndershme...”.

Këtë mund ta thotë kushdo pa zbuluar nëse është i majtë apo i djathtë.

Në faqen e saj gjen edhe të ashtuquajturin Manifest 2017-2021, që u rekomandon shqiptarëve rrugën nga mendon të kalojë PS-ja për të mirën e tyre. Nuk ka asnjë gërme të vetme për ideologjinë ku aderon kjo parti. Nuk ka madje asnjë gërmë për historinë e saj, nuk publikohet statuti dhe nuk ka thuajse asnjë gjë për socialistët në Europë. Nëse i referohemi kësaj faqeje si burim informacioni, aty gjejmë të sintetizuar disa të dhëna formale, kombinuar me formatin e një blogu personal të Edi Ramës. Nëse z. Berisha i referohet origjinës së kësaj partie, është e qartë se ai kërkon të manipulojë, pasi PS-ja është ndoshta forca politike e spostuar më djathtas nga të gjitha. Politikat e saj në privatizime, për pronën, konçesione dhe taksim kanë provokuar debate jo të vogla dhe vështirë se mund të quhen të majta.

Po të kalojmë te PD-ja, aty gjejmë vetëm një prezantim të vjetëruar të Lulzim Bashës në fushatë, termin Republikë e Re, formularin e anëtarësimit online. Dhe kaq. Askush që është i interesuar për PD-në nuk gjen qoftë edhe një informacion të vetëm për të ashtuquajturat vlera që ajo përfaqëson. Po të heqim statutin që është I publikuar, historia e kësaj force mbetet diçka që duhet hulumtuar në mjete të tjera informacioni.

Kjo mungesë e qëllimshme e informacionit primar dhe themelor për atë që këto parti përfaqësojnë është një pikë bashkimi për forca politike që kanë komplekse nga historia e tyre. Vlerat apo ideologjia janë artifica në një diskutim medatik dhe asgjë më shumë dhe këtë e provon mbyllja e tyre. Transformimi në grupime për mbrojtjen e interesave ekonomike që burojnë nga kapja e pasurisë kombëtare. Është shumë e dëmshme që realitetin ta deformosh në këtë mënyrë aq më tepër kur të dyja forcat politike nuk e fshehin më raportin e përmbysur me historinë e afërt, me kapitalin, tregun etj..Ato i duhen tashmë njëra-tjetrës për të vazhduar teatrin që mban peng vendin.

Çështja e dytë është nisma e partive të reja, të cilat përherë i ikin analizës pas zgjedhore. Rasti më i fundit i Ben Blushit, Gjergj Bojaxhiut dhe më parë, Bamir Topit, na dëshmon se politikanët profesionistë mungojnë në vendin tonë. Ta ushtrosh politikën vetëm me shqisat e pragmatizmit dhe oportunizmit po dëshmohet se nuk çon larg, nëse me larg kuptojmë ambicie të vërteta politike. Me sa duket inicimi i një veprimi politik po dështon në afirmimin e ndonjë ideje, madje edhe ndonjë kauze dhe këtu merr rëndësi kritike kompromentimi që ka sjellë edhe një shoqëri civile e kapur. Kritika e dy partive kryesore është një hap, por organizimi dhe aktivizimi është një hap tjetër. Politika kërkon kohën e vet dhe talente të rralla, si atë organizativ dhe këmbënguljen. Mesa duket këto janë të panjohura në një skenë ku operohet me parimet e pazarit. Vetëm se sa më shumë dështon krijimi i një lëvizjeje të re, aq më shumë shpenzohen keq energjitë që përndryshe mund të sillnin përfitime dhe përparim real. Ka dy modele në botën shqiptare sesi mund të çash establishmentin: një është LSI-ja e Ilir Metës, që në ngjizje një nismë e korrupsionit autonom dhe Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë.

Shumëkush mendon se politikën e çojnë përpara vetëm paratë dhe interesat, klanet dhe grupet. Është e vërtetë që këto kanë ndikim. Por atë e çojnë përpara edhe bindja dhe vendosmëria, të cilat me afirmimin e tyre, do të sjellin nga pas edhe klanet dhe interesat që kanë zakonin të nuhasin dhe konformohen me pushtetin. Siç shihet njerëz si Ben Blushi apo Bojaxhi nuk kanë këllqe që të çojnë përpara asnjë prej modeleve në fjalë, por kjo nuk i jep të drejtë Berishës të konstatojë se leximi se në Shqipëri ka neveri për të dyja forcat kryesore, është i pavërtetë. Kjo i intereson atij, asgjë më shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.