Pas 27 vjetësh/Kosta Barjaba: Emigrimi, mundësi emancipimi, jo akt dëshpërimi

Postuar në 14 Gusht, 2017 12:42

Kosta Barjaba, një njeri i afërt me Partinë Socialiste dhe autor I një libri dhe disa artikujve për emigrimin e shqiptarëve, i kthehet kësaj çështjeje sot përmes një shkrimi në gazetën “Panorama”(http://www.panorama.com.al/shtetezimi-i-emigracionit/). Shkrimi pason një valë debati mediatik të degraduar, që mori shtysë nga një shënim në profilin e vet në Facebook të Agim Hushit.

Çfarë sugjeron sociologu Barjaba për dukurinë e emigrimit të shqiptarëve që ai në librin e vet e quan IKJE?

Emigrimi është tashmë një projekt individual ose familjar, që zhvillohet në kontekstin e lirisë europiane të lëvizjes. Kjo ndodh madje edhe në vendet ku qeverisja shkëlqen. Prirjen për të emigruar duhet të mësohemi ta shohim si një mundësi emancipimi. Jo vetëm si një akt dëshpërimi. Në këtë të ashtuquajtur “shtetëzim” të emigrimit nuk janë “dorëjashtë” as qeveritë… Samiti i Diasporës i vitit 2016 shënoi të paktën përpjekje serioze qeveritare për t’u ngritur mbi retorikat dhe vendosur emigrimin në të njëjtin bosht funksional me zhvillimin e vendit... Qindra-mijëra emigrantë janë kthyer në Shqipëri, paralel me ata që kanë ikur e ikin. Janë kthyer emigrantë të suksesshëm, që kanë hapur në Shqipëri sipërmarrjet e tyre ose janë vetëpunësuar me burimet e tyre modeste. Janë kthyer edhe mjaft prej tyre që nuk ia kanë dalë dot. Duhet thënë se mjaft prej tyre kanë qenë në vëmendje të politikave qeveritare. Por janë kthyer, pa zhurmë e bujë, edhe mjaft ish-studentë të lauruar në universitet perëndimore, disa dhjetëra prej tyre madje në universitetet e famshme, të cilëve shumica prej nesh u ka dëgjuar vetëm emrin.

Këto thotë Barjaba që vazndon me renditjen e disa personave që kanë bërë emër aty ku kanë shkuar. Çdo të thotë që emigrimi do parë si çështje emancipimi përveç se dëshpërimi? Këtë mund ta thotë vetëm Barjaba, por me gjasë një interpretim është se ti zgjedh të ikësh jo për arsye ekonomike, por për një cilësi të re jete dhe shkollimi. Por a është ky rasti i Shqipërisë?

Do të mjaftonte vetëm fakti që sot qeveria shqiptare po shtrëngon rregullat për daljen nga pikat e veta doganore, për të kuptuar se emigrantët shqiptarë nuk ikin se po kërkojnë emancipimin, që vjen dora dorës me jetesën jashtë, por sepse nuk kanë alternativë të besueshme në Shqipëri. Kjo nuk mund të përgenjeshtrohet. Edhe në projeksionet e qendrave të mëdha që merren me këtë punë(http://www.respublica.al/2017/07/11/iom-23-milion%C3%AB-njer%C3%ABz-p%C3...), shqiptarët vlerësohen si popullsi ndër më aktivet në potencialin migrator, ndonëse kanë kaluar 27 vjet që nga vala e parë e ikjes dhe kur nga vendi janë larguar tashmë 1/3 e popullisë. Për çfarë emancipimi bëhet fjalë në këtë proces që në fakt meriton më shumë fjalën: Braktisje apo zhvendosje popullsie?

Përtej interpretimeve se emigrimi është zgjedhje personale, mundësi etj., është e qartë se qeveria aktuale e vuan si çështje imazhi ikjen e re të shqiptarëve. Që këtu nis problemi kryesor që provon se askush nuk ka politika për këtë çështje. Një qeveri nuk ka në dorë të ndalojë njerëzit të ikin, por nëse ajo do të ishte serioze dhe do t’i besonte apo vlerësonte statistikat e veta që thonë se “shqiptarët po plaken”, apo do të ndiqte shqetësimin mbarëevropian për plakjen e popullsisë, do të vraponte për të sugjeruar zgjidhje që do ta ndalnin hemoragjinë. Një arsye pse edhe sot tregu i punës në Shqipëri dhe për pasojë edhe rritja ekonomike nuk është i strukturuar apo është më i pakualifikuari, do kërkuar edhe tek ajo ikje masive e viteve ’90. Nëse raporti mes ikjeve dhe hyrjeve qëndron në favor të të parës, atëherë edhe në perspektivën e leximit të fluksit hyrës si investime potenciale, kemi dështim. Ikja do trajtuar edhe në terma të stabilitetit ekonomik, të kontributeve, të energjisë që përçohet. Ndoshta vizioni për Shqipërinë perlë të Ballkanit, vjen përshtat një vend kafenesh, shërbimesh hotelerie dhe njerëzish që jetojnë këtu për asistencë sociale apo se merren me hashash dhe parti politike. Këta dy të fundit ndoshta po të emigrojnë e bëjnë se duan të emancipohen, pasi në fakt e rilindën edhe Shqipërinë dhe mbushën torbën me para.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.