Konfiskim pasurive që nga 1991? Ligje që do bëjnë koka turku dhe do flenë në sirtar

Postuar në 11 Gusht, 2017 08:46

“Konfiskim që nga ’91, ‘anti-mafia’ efekt prapaveprues”. Me këtë titull trajton sot gazeta “shqiptarja.com” disa dispozita të reja të Kodit Penal që e fuqizojnë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit me kompetencën e veprimit edhe mbi pasuri të vëna përmes aktivitetit kriminal dhe korruptiv që nga viti 1991. 

Ligji do të veprojë që nga viti 1991 për të gjitha paratë e pista dhe pasuritë e paluajtshme, të krijuara me anë të praktikave korruptive apo aktiviteteve kriminale…Efekti prapaveprues i ligjit parashikohet fillimisht në pikën 6 të nenit 3 të ligjit të ndryshuar, duke theksuar se, ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave, të vëna përpara hyrjes në fuqi të tij, me  kusht që të ekzistojnë indicie të rëndësishme për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, në kohën e vënies së pasurisë. Efekti prapaveprues theksohet sërish tek pika 3 e nenit 35 i ligjit, ku flitet për dispozitat kalimtare”, thuhet në shkrim. I cili nuk sjell asnjë shqyrtim mbi mundësinë e zbatimit efektiv të një legjislacioni të tillë.

Kjo sepse të flasësh për sekuestro duke u bazuar mbi indicie të rëndësishme është të kërkosh sanksionimin e drejtësisë mbi spekullime dhe ky është problem i formulimit. Nëse do të flasim për hetim dhe drejtësi duke prekur pasuri që nga viti 1991 atëherë këto dy institucione do të duhet të nisin punë me bordet e privatizmit, me çështjen e pronave, me skemat piramidale për të ardhur në fazën tjetër të pas vitit 2001, kur sistemi nisi të marrë fytyrën që ka sot. Pasi këto janë momentet që përcaktuan pasurimin e shumë personave apo më saktë ndarjen e pasurisë kombëtare. Do të ishte me interes të shihej nëse në këtë kuadër të ri legjislativ do të rihapet çështja e skemave piramidale e cila u mbyll nga të dyja palët me marrëveshje. A është e mundur një gjë e tillë?

Një tjetër pyetje që shtrohet është sesi do të veprojnë këto dy institucione të cilat kanë kompetenca të jashtëzakonshme në kushtet kur politika nuk e ka vullnetin për të mbështetur skanimin e asaj që ka ndodhur në këto 27 vjet, por mbulimin e tyre. Njësoj si në rastin e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka patur bazën juridike për të vepruar, bazë e cila nëse zbatohet e vendos në kurs përplasjeje me politikën, edhe legjislacioni i ri, sanksionon drejtësi teorike apo premisa për një drejtësi e cila nuk duket e mundshme.

Kjo edhe për faktin se në hetimet me efekt prapaveprues, iniciues është vetë shteti dhe në këtë rast nuk kemi çështjen klasike të kallëzimit penal dhe mandej nisjes së hetimeve. Kjo do të mbetet në diskrecionin e institucionit që të gjykojë “indiciet e rëndësishme” që mund të jenë edhe investigime gazetareske. Por sado që ligji përdor dorën e rëndë ai nuk ngjall besim se dy institucione do të mund të hyjnë në prekjen e një skemë miliardaëshe të kapitalizmit shqiptar që u koncpetua dhe zbatua mbi plaçkitjen e pasurisë publike. Mund të marrim me mend se do të ketë ndonjë kokë turku, apo ndonjë shembull di dy drejtorët e pushuar të ALUIZNI-t, por kaq. Drejtësia duhet të jetë edhe kërkesë e shoqërisë, përveç se vullnet apo interes ambasadorësh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.