Diagnozat "popullore" për probleme shumë komplekse

Postuar në 22 Korrik, 2017 10:15

Revista ekonomike “Monitor” publikon sot një shkrim të titulluar: Shqipëria “bie në depresion”. Shkrimi nis me një titull të guximshëm që duhet faktuar mirë përpara sesa të vendoset. Në një vend ku nuk ka statistika të besueshme dhe ku mobiliteti demografik është shumë i lartë, është e vështirë të përcaktosh dhe kampionosh incidencën e sëmundjeve të lidhura me shkaqe të brendshme.

http://www.monitor.al/shqiperia-bie-ne-depresion-2/
Në çdo rast, guximi i titullit ngjan si gjimnastikë mëngjesi po ta krahasosh me përmbajtjen e paragrafit hapës. Shkruhet në hyrje të shkrimit: 

Arjana Rreli është një psikiatre me përvojë të gjatë pune, por vitin e kaluar u përball me një klientelë jo të zakontë. Biznesmenët kishin qenë pacientë të rrallë më parë, po dy vitet e fundit janë shtuar. “Siç duket, punët nuk po iu shkojnë mbarë”, pohon Arjana, e cila zotëron me kompetencë profesionin e saj dhe është më e rezervuar për shkaqet që kanë çuar në ankth të pasurit. Ky konstatim i Rrelit vjen në akordancë me një aksion masiv kundër informalitetit në ekonomi, që në muajt e fundit të 2015-s dhe pjesën e parë të 2016-s, ishte tejet agresiv. Të gjendur përballë situatave të paparashikuara, që mund të sillnin edhe dënimin me burg, shumë biznesmenë kanë rënë pre e ankthit dhe depresionit, aq sa kanë zënë edhe dyert e spitaleve dhe klinikave të specializuara. 
Kjo gjendje stresi dhe ankthi, që është shtrirë me shpejtësi edhe në shtresa të tjera të popullatës, i ka dhënë drejtim tjetër zhvillimit ekonomik të vendit. Bizneset po hezitojnë të investojnë dhe konsumatorët shmangin blerjet e mëdha. Radha në Qendrën e Shëndetit Mendor në Tiranë është e gjatë që në orët e para të ditës. Burra, gra të reja, nëna, pleq presin të çelet dera e psikiatrit”

Që njerëzit me depresion apo probleme të shfaqura dhe të paneglizhueshme të shëndetit mendor janë shtuar kjo nuk ka pse të mos besohet. Edhe që një grup përherë e më i madh po fiton kulturën e trajtimit mjekësor kjo ëhstë e vërtetë. Por si të lidhësh incidencën e depresionit me aksionin kundër informalitetit kjo mbetet një detyrë që kërkon shumë më tepër sesa intuitë dhe mesatarizim opinionesh të dëgjuara kafenve të Tiranës. 
Në shkrim jepet edhe kjo statistikë: 

Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016 u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse”. 

Edhe kjo nuk ka pse të mos besohet. Por sërish do referim të besueshëm dhe profesional, statistikor dhe të qartë për të krijuar lidhjet mes pasojës që shohim dhe identifikimit të shkakut. 
Aksioni kundër informalitetit, një nga gjërat e bëra shumë keq nga kjo qeveri, krijoi jo pak probleme dhe ai u ndërpre. Por ai goditi jo të pasurit siç thuhet në shkrimin e "Monitor". Fokusi i tij ishin biznesi i vogël dhe në këtë drejtim qeveria ka në xhep dy argumente pro: shtimin e numrit të NIPT-eve të regjistruar dhe legjitimitetin e luftës kundër informalitetit. Në fakt informaliteti duhet goditur, por këtu puna është se u mbyllën sytë ndaj evazionit të biznesit të madh, drejtuesit e të cilëve me siguri që i shpëtojnë kësaj statistike të sjellë nga revista, pasi mund të hamendësojmë se e kurojnë dhe trajtojnë depresionin jashtë Shqipërisë. 

Po kështu statistikave të importit të medikamenteve mund t’u kundërvësh statistikat e rritura të njerëzve që merren me aktivitet fizik, apo që kanë nisur të organizohen në klube dhe që ndjekin hobi të caktuar. Nëse do të ndiqnim fillin e arsyetimit të revistës, duhet të themi se në Shqipëri ka shumë gëzim dhe optimizëm, por nëse do të thellohemi, mundet sërish të pohojmë se sporti dhe aktivitetet alternative janë shenjë e një depresioni të fshehur, një mënyrë për t’i qëndruar larg trajtimeve mjekësore të tij. 

Këtu nuk mund të mohohet në asnjë rast ndikimi shumë i keq në humorin e përgjithshëm i ngarkesës negative që përcjell kjo qeveri në të gjitha mesazhet e veta, e cila edhe kur ka ndonjë ide për t’u vlerësuar, zgjedh mënyrën më të keqe për ta bërë. Mjafton të shohim sesa tinëzisht po përgatit rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, një taksë kjo që synon të mbyllë bilancet e zeza të saj. 
Por dështimi i mjaft bizneseve të vogla do duhet të shihet edhe në kuadër të ristrukturimit që po afron në ekonomi, bashkë me ristrukturimin e shoqërisë, e cila duhet thënë se shton kërkesat, sidomos në Tiranë, por nuk pranon të shtojë punën dhe të rigjenerohet me iniciativë. Mundet që barra fiskale e krijuar të jetë një arsye, padyshim. Edhe korrupsioni. P.sh në Itali po diskutohet vendosja e një takse të sheshtë me 25% barrë fikse, por sipas një opinioni në Corriere della Sera, të Angelo Panebianco, vendosjen e saj e pengon Kushteuta italiane. Propozuesit e saj janë kaq entuziastë saqë ata argumentojnë se taksa e sheshtë do t’i bëjë italianët më të lirë.

http://www.corriere.it/opinioni/17_luglio_21/costituzione-2ba03ff2-6d83-...

Kjo ka një bazë pasi Italia është vendi me një sistem fiskal nga më absurdët dhe të ndërlikuarit, konsistent në vite, kurse në Shqipëri, sistemi ndryshon sa herë vijnë qeveri të reja, pa folur për gropat e mëdha që krijohen dhe për vendimet nekrofile siç janë Amnistitë. 

Të thuash pra se aksioni kundër informalitetit lidhet me shtimin e depresionit, jo vetëm që kërkon një studim më vete, por sapo i ke dhënë tërthorazi të drejtë qeverisë që mburret se reformat janë të dhimbshme dhe se ajo është e vendosur t’i bëjë. Nga ana tjetër Shqipëria është një vend që në harkun e një dekade a diçka më shumë e ktheu urbanizimin demografik në urbanizim ekonomik, duke përfshirë në skemë kreditimi një pjesë të madhe të popullsisë e cila sot përballet me detyrimet përkatëse që rrjedhin nga ky kapërcim. Dhe bashkë me zhvillimin vjen edhe stresi, dukuri patjetër e zonave urbane. Gabimi fillestar i faljes së shtëpive dhe i mungesës së një takse prone çoi në këtë kaos të cilin sot e paguajmë të gjithë me një ngarkesë stresi të shtuar pas iluzionit se liria e lëvizjes nuk kushton asgjë. Ka pra edhe një përmasë sociologjike e gjitha kjo dhe ka madje filozofë që lidhin vetë sistemin kapitalist me zhvillimin e skizofrenisë, por nuk jemi në këtë rast. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.